Një ditë pas arrestimit të Gjuriç, Haradinaj mbledh Këshillin e Sigurisë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur për sot në orën 13:00 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, një ditë pas arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç i cili të hënën kaloi ilegalisht kufirin dhe hyri në Mitrovicë.

Ky zhvillim tensionoi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mblodhi menjëherë Këshillin e Sigurisë dhe dënoi arrestimin e Gjuriç nga Forcat Speciale të Kosovës, “ROSU” duke e cilësuar këtë si një moment i cili nuk i shërben dialogut mes dy vendeve dhe paqes në rajon.

Sipas njoftimit nga qeveria, Këshilli i Sigurisë do të diskutojë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend. Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga kryeministri, presidenti, drejtori i policisë, komandanti i FSK-së dhe ministri i Punëve të Brendshme. Hera e fundit që u mbajt një takim i tillë ishte pas vrasjes së liderit të serbëve të veriut Oliver Ivanoviç më 16 janar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne