Ne jemi një vend normal megjithëse kemi një opozitë të çmendur, antidemokratike dhe që e ka marrë lumi prej kohësh. Ky ka qenë pak a shumë konkluzioni i Edi Ramës në monologun e përjavshëm të së dielës. Por pavarësisht këtyre sharjeve dhe anatemimeve të zakonshme, kryeministri ka tërhequr vëmendjen këtë herë me një përpjekje t’u dukur racional: “A është demokratike që zgjedhjet të mos bëhen, kur opozita nuk do zgjedhje”? “A është demokratike që të vërë ajo veton si i do dhe kur i do votimet”? “Në cilin vend dhe në cilën demokraci është parë kjo dhunë e pakicës mbi shumicën” (lexo poshte/lapsi.al)?
Këto kanë qenë pyetjet e ngritura prej Ramës.
Në pamje të parë ato duket se i japin atij të drejtë. Ai ngjan si njeriu që i ka lënë më shumë se kushdo hapsira kundërshtarëve politikë, si udhëheqësi që e ka respektuar minorancën, si lideri që po nëpërkëmbet se ka përballë rivalë që, ngaqë nuk e mundin dot, duan të prishin rregullat e lojës.
Natyrisht pak kush beson se Edi Rama dhe qeverisja e tij mundësojnë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por, le të arsyetojmë për një moment nga e kundërta. Le të imagjinojmë për një çast se 18 qershori nuk do të jetë një farsë Putiniano-Erdoganiane, ku të gjitha mediat e mëdha bëjnë propogandë për qeverinë. Le të mbyllim sytë dhe të besojmë se paratë e hashashit nuk do të ndërhyjnë në fushatë. Le të bëjmë naivin dhe të bindemi se Roshët, Prengët, Ndokët nuk do të ndikojmë mbi votën.
E pasi të ëndërrojmë këtë, le t’i japim të drejtë Ramës se ai po përballet me një opozitë desktuktive. Se ai gjendet në presionin e një kundërshtari që do të prishë garën ngaqë nuk e fiton dot atë. Se ai po vuan shkelmëhedhjet e një rivali që do të ringrihet përmes destabilitetit.
Le t’i marrim të gjitha këto të mirëqena dhe të rikthehemi tek pyetja e hedhur këtë të dielë nga kryeministri: “Në cilin vend dhe në cilën demokraci do tolerohej kjo dhunë tekanjoze e pakicës mbi të drejtën legjitime të shumicës”?
Pra, me anë të kësaj dileme, Rama na fton të arsyetojmë duke hedhur vështrimin përreth vetes, në botën me tradita pluraliste.
Por pikërisht këtu gabon. Madje rëndë.
Sepse para se të bëjë këtë pyetje, ai duhet të ngrejë disa të tjera; “në cilin vend normal, një opozitë që do kundërshtonte kot, që do të hidhte vickla dhe që do i shmangej gjedhjeve pa arsye, nuk do të shkonte drejt vetë azgjesimit? Në cilin vend demokratik një opozitë që do të bojkotonte, thjesht për qef të destabilizimit, nuk do të braktisej nga njerëzit? Në cilin vend nga ato që ai ka ndërmend, një lider që do të shpikte fabula të reme, nuk do e humbte mbështetjen?
Por, asgjë e tillë nuk duket se po ndodh.
Edi Rama, i cili shpenzon shuma marramendëse për sondazhe e di fare mirë se PD-ja nuk ka asnjë rënie pas shpalljes së politikave radikale. Ai e di po aq mirë se ajo nuk do ta humbasë bërthamën e saj, që vërtitet nga 30 deri në 40 % edhe nëse i bën thirrje njerëzve të saj për bojkot. Ai e di se ky “popull i opozitës” për fatin e tij të keq, i miraton thirrjet e Bashës dhe Berishës.
Prandaj, Rama, para se të shtrojë pyetjen: “a duhet ti bindemi në një demokraci, dhunës së pakicës”, ka si emergjencë të ngrejë shqetësime të tjera: “a mundet të mos përfillet në një vend normal, kjo masë e madhe votuesish? A mund të mdodhë që në sisteme me tradita të lashta demokratike, – mbi të cilat ai na fton të arsyetojmë – , 30 apo 40 përqind e popullsisë të mos shkojnë në votime, pasi janë të bindur se ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme?
Përballë këtyre dilemave, argumentat se e gjitha është një lojë e plakut të çmendur që i trembet vettingut dhe të riut që qesharak që nuk përballon dot garën nuk kanë kuptim. Për sa kohë, Basha dhe Berisha kanë nga pas afro 1/3 e votuesve, të gatshëm për t’i ndjekur edhe në bojkot, Rama ka vetëm dy rrugë: ose t’i dëgjojë ata, në emër të unitetit të vendit dhe kohezionit social, ose të thotë se kjo masë e madhe njerëzish janë po aq të marrë, të rrjedhur, të korruptuar dhe destruktivë sa liderët e tyre.
Pra, në një farë mënyre, ai është para zgjedhjes: ose duhet ti shpallë idiotë dhe të marrë, një pjesë të made të shqiptarëve që i besojnë Bashës dhe Berishës, ose duhet t’i përfillë ata.
Fatkeqësisht Rama e ka të vështirë të përcaktohet në këtë dyzim. Prandaj ai po zgjedh të mbyllë sytë. Prandaj ai po shkon drejt agravimit të krizës dhe katapultimit të saj pas 18 qershorit. Sepse ai po kërkon t’i japë përgjigje pyetjes sfiduese: nëse një demokraci e pranon diktatin e pakicës?
Ndqërkohë që gjithçka mund të qe shumë më racionale, nëse ai vendostee t’i përgjigjej një pyetje më paqtuese: a mund të ketë zgjedhje normale nëse tek ato nuk beson në rastin me të keq, 1/3 e votuesve? (lapsi.al)