Një polic i plagosur, 37 persona të shoqëruar! Policia thirrje qytetarëve e opozitës: Shmangni përplasjet te teatri, ndalohen tubimet (VIDEO)

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me protestën dhe tensionimin e situatës pranë teatrit kombëtar, godina e të cilit ka nisur të prishet në orën 04:30 të mëngjesit. Sipas policisë deri tani janë shoqëruar 37 persona në komisariat, ndërsa një efektiv policie është plagosur si rezultat i hedhjes së shashkave dhe mjeteve piroteknike nga protestuesit. Polici ndodhet në Spitalin e Traumës pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit.

Gjithashtu policia ka bërë thirrje që protestuesit të kuptojnë se janë në shkelje të aktit normativ për pandeminë covid-19, që ndalon tubimet dhe grumbullimet. Policia apelon për shmangie të dhunës ndaj efektivë të policisë që janë në krye të detyrës.

Deklarata e policisë

Me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.

Gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Duke përfituar nga ky komunikim, Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politike, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disajavore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet.

Gjithashtu apelojmë fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e Rendit që janë në krye të detyrës.

Në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne