Nga Gjergj Meta
Merret vesh lehtë se ky është një provokim, i kërkuar, i mirëmenduar dhe i mirëorganizuar nga lobe të caktuara, që kanë një agjendë të tyren, pjesë e së cilës, siç duket është bërë edhe një institucion shtetëror. Mundohem të mos jem komplotist për natyrë, por kësaj here e besoj se qoftë Bashkia e Tiranës, qoftë protagonistët e një shfaqjeje ceremoniale të tillë, për interesa të ndryshme kanë vënë në skenë qëllimisht një teatër të shëmtuar, duke përdorur edhe veshjet e aktorëve madje (fustane nusërie, rroba klerikësh) e deri te fëmija që mbajnë në krahë.
Janë thënë shumë gjëra dhe nuk dua t’i përsëris, sepse nga ana ime është krejt e qartë se çfarë natyre duhet të ketë një martesë dhe se ajo duhet të jetë vetëm heteroseksuale që të quhet e tillë, pra vetëm ndërmjet një burri e një gruaje dhe kjo për gjithë jetën, derisa vdekja të mos i ndajë. Ajo që të bën shumë përshtypje, është se si një institucion publik lejon, madje bëhet pjesë bashkëpunuese e një provokimi të mirëstrukturuar. Se si kjo ndodh pikërisht në kohën kur Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është aty dhe në një kohë kur debati për familjen dhe shenjtërinë e saj po merr përmasa kombëtare, përveç debateve të tjera të këtyre ditëve. Kjo më bën të mendoj se Bashkia e Tiranës ka një agjendë të caktuar ose se së paku segmente të veçanta të saj e mbështesin këtë agjendë. Ky institucion nuk merr parasysh ndjesitë dhe ligjet e këtij vendi, por abuzon me to, duke i shkelur me të dyja këmbët në mënyrë arbitrare, madje edhe cinike, duke i zbukuruar me lule. Këtu çështja nuk është thjesht politike, por tregon qartë se Bashkia e kryeqytetit është pjesë e një lobimi, i cili po kërkon me ngulm të modifikojë konceptin e martesës dhe të familjes, duke u dhënë atyre ngjyrime të caktuara.
Mosbindja civile është një vlerë, kështu që do t’i bënit nder vetes dhe institucionit duke mos u bindur e duke protestuar, jo vetëm për këtë gjë, por për çdo abuzim për të cilin jeni dëshmitarë. Nuk e di nëse ndonjë prej katolikëve që punon në Bashkinë e Tiranës do t’i lexojë këto rreshta, por nëse i lexojnë dhe pajtohen me mua, të dalin e ta tregojnë publikisht dakordësinë e tyre me to e mosdakordësinë e tyre me atë teatër pashije./BW