Një renditje e mizorive të CIA-s përgjatë viteve

nga Steve Kangas.

Renditja e mëposhtme paraqet vetëm disa nga qindra mizori dhe krime të kryera nga CIA.

Operacionet e CIA-s ndjekin një skenar të njëjtë që përsëritet gjithmonë. Fillimisht interesat e biznesit amerikan jashtë vendit kërcënohen nga një udhëheqës popullor ose udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike. Njerëzit e mbështesin liderin e tyre, sepse ai synon të kryejë reforma për tokën, të forcojë sindikatat, të rishpërndajë pasuritë, të shtetëzojë industrinë e huaj dhe të rregullojë biznesin për të mbrojtur punëtorët, konsumatorët dhe mjedisin. Pra, në emër të biznesit amerikan dhe shpesh me ndihmën e tyre, CIA mobilizon opozitën. Në fillim identifikon grupet e krahut të djathtë brenda vendit (zakonisht ushtarakët) dhe u ofrohet atyre një marrëveshje: “Ne do të vendosim në pushtet nëse do të mbani një klimë të favorshme biznesi për ne.” Agjencia pastaj punëson, trajnon dhe punon për të përmbysur qeverinë ekzistuese (zakonisht një demokraci). Ajo përdor çdo mashtrim, propagandë, mbush kutitë e votimit, blen zgjedhjet, zhvat, shantazhon, kryen intriga seksuale, sajon ngjarje të rreme për kundërshtarët në mediat lokale, infiltron persona dhe përçan partitë politike kundërshtare, rrëmben, kryen rrahje, torturon, frikëson, saboton, ngre skuadrat e vdekjes madje edhe kryen vrasje. Këto përpjekje arrijnë kulmin me një grusht shteti ushtarak, i cili instalon një diktator të krahut të djathtë. CIA trajnon aparatin e sigurisë të diktatorit për të goditur armiqtë tradicionalë të biznesit të madh, duke përdorur marrjet në pyetje, torturat dhe vrasjet. Viktimat thuhet se janë “komunistë”, por në përgjithësi ata janë kryesisht fshatarë, liberalë, të moderuar, udhëheqës të sindikatave të punës, kundërshtarë politikë dhe avokatë të fjalës së lirë dhe të demokracisë. Situata ndiqet me perhapjen e abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Aq shumë herë është përsëritur ky skenar sa që CIA në fakt e mëson atë në një shkollë speciale të vetën, famëkeqja “Shkolla e Amerikës”. (Ajo u hap në Panama por më vonë u zhvendos në Fort Benning të Xhorxhias.) Kritikët e kanë quajtur atë “Shkolla e Diktatorëve” dhe “Shkolla e Vrasësve”. Këtu CIA trajnon oficerët ushtarakë të Amerikës Latine, se si të pregatsin grushte shteti, si të marrin në pyetje, të torturojnë dhe të vrasin.

Organizata mbi përgjegjësitë e mospajtimeve, “The Association for Responsible Dissent”, vlerëson se deri në vitin 1987, 6 milion njerëz kishin vdekur si rezultat i operacioneve të fshehta të CIA-s. (2) Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit William Blum e ka cilësuar këtë si një “holokaust amerikan”.

CIA i justifikon këto veprime si të qënurit pjesë e luftës së saj kundër komunizmit. Por grusht shtetet më të mëdha nuk kanë përfshirë dhe skanë pasur të bëjnë me kërcënimet komuniste. Shtetet me të pafat janë shënjestruar për një shumëllojshmëri arsyesh: jo vetëm si kërcënime të interesave afariste amerikane jashtë, por edhe reformat liberale madje edhe ato sociale të moderuara, paqëndrueshmëritë politike, mungesa e gatishmërisë së një udhëheqësi për të vepruar diktatin e Uashingtonit si dhe deklaratat e neutralitetit gjatë Luftës së ftohtë. Në të vërtetë, asgjë nuk i ka zemëruar Drejtorët e CIA-s më shumë se sa dëshira e një shteti për të qëndruar jashtë Luftës së Ftohtë.

Gjëja më ironike për gjithë këto ndërhyrje ishte se ato shpesh dështonin në arritjen e objektivave amerikane. Shpesh, diktatori i instaluar rishtazi fuqizohej i sigurt me anë të aparatit të sigurisë që CIA kishte ndërtuar për të. Ai bëhet ekspert në drejtimin e një shteti policor. Dhe për shkak se diktatori e di mirë se ai nuk mund të rrëzohet, bëhet i pavarur dhe sfidues ndaj vullnetit të Uashingtonit. CIA pastaj del në përfundimin se nuk mund ta rrëzojë sepse policia dhe ushtria janë nën kontrollin e diktatorit dhe frikësohen nga bashkëpunimi me spiunët amerikanë për shkak të frikës së torturave dhe ekzekutimeve. Dy opsionet e vetme për SHBA-në në këtë pikë janë tërheqja si shkak i pamundësisë ose lufta. Shembuj të këtij “efekti bumerang” përfshijnë Shahun e Iranit, gjeneralin Noriega dhe Saddam Husseinin. Efekti bumerang gjithashtu shpjegon atë se pse CIA ka rezultuar shumë e suksesshme në rrëzimin e demokracive dhe pse ka rezultuar e dështuar keq në shkatërrimin e diktaturave.

Renditja e mëposhtme konfirmon atë se CIA që ne njohim, duhet të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me një organizatë të vërtetë të mbledhjes së informacioneve dhe analizave. CIA nuk mund të reformohet, ajo është institucionalisht dhe kulturarisht e korruptuar.

1929
Fillon të humbasë kultura – Sekretari i Shtetit Henry Stimson refuzon të mbështesë një operacion të zbërthimit të kodeve. Ai thotë: “Zotërinj, mos i lexoni mesazhet e njëri-tjetrit”.

1941
Krijohet COI – Në përgatitje e sipër për Luftën e Dytë Botërore, Presidenti Roosevelt krijon Zyrën e Koordinimit të Informacionit (COI). Gjenerali William “Wild Bill” Donovan drejton shërbimin e ri të inteligjencës.

1942
Krijohet OSS – Roosevelt ristrukturon COI-n në diçka më të përshtatshme për veprime të fshehta, Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS). Donovan rekruton kaq shumë njerëz të pasur dhe të fuqishëm sa që njerëzit fillojnë e bëjnë shaka se “OSS” do të thotë “Oh, sa sociale!” dhe “Oh, këta snobë të tillë!”

1943
Itali – Donovan rekruton kishën katolike në Romë për të qenë qendra e operacioneve spiune anglo-amerikane në Italinë fashiste. Kjo do të provohet të jetë një nga aleancat më të qëndrueshme të zbulimit të Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë.

1945
OSS shfuqizohet – Agjencitë e mbetura amerikane të informacionit ndalin veprimtarinë e fshehtë dhe kthehen në mbledhësa dhe analizues të padëmshëm të informacionit.

Operacioni PAPERCLIP – Ndërkohë që agjencitë e tjera amerikane gjuajnë kriminelët nazistë të luftës për ti arrestuar, zbulimi amerikan i kontrabandon ata në Amerikë, pa i ndëshkuar, për ti përdorur kundër sovjetikëve. Më i rëndësishmi është Reinhard Gehlen, spiun i Hitlerit, i cili kishte ndërtuar një rrjet të shërbimit inteligjent në Bashkimin Sovjetik. Me bekimin e plotë të SHBA-së, krijon “Organizatën Gehlen”, një bandë spiunësh e refugjatëve nazistë të cilët riaktivizojnë rrjetin e tyre në Rusi.

Organizata përfshinte oficerët SS të inteligjencës Alfred Six dhe Emil Augsburg (që masakruan hebrenjtë gjatë holokaustit), Klaus Barbie (“Kasapin e Lionit”), Otto von Bolschwingun (organizatorin e holokaustit që punoi me Eichmannin) dhe kolonelin e SS-ve Otto Skorzenyin, mikun e Hitlerit). Organizata Gehlen e furnizoi SHBA-në për dhjetë vitet e ardhshme nga shërbimi i saj i vetëm i inteligjencës në Bashkimin Sovjetik, duke shërbyer si urë gjatë shfuqizimit të OSS-së dhe krijimit të CIA-s. Megjithatë, pjesa më e madhe e informacioneve që ish-nazistët siguronin ishte mashtrim. Në një kohë kur Bashkimi Sovjetik ende rindërtonte shoqërinë e tij të shkatërruar, Gehleni në mënyrë që ti jepte më shumë rëndësi vetes së tij tek amerikanët, i egzagjeronte gjërat (pasi përndryshe edhe mund të dënohej). Në vitin 1948, Gehleni pothuajse i bindi amerikanët se lufta ishte e pashmangshme dhe Perëndimi duhet të bënte goditjen parandaluese. Në vitet 50 ai sajon një “hendek raketor” fiktiv. Si për t’i bërë gjërat edhe më keq, rusët kishin depërtuar thellë në Organizatën Gehlen me agjentë të dyfishtë, duke minuar sigurinë amerikane që Gehleni supozohej se duhet ta mbronte.

1947
Greqi – Presidenti Truman kërkon ndihmë ushtarake për Greqinë për të mbështetur forcat e krahut të djathtë që luftonin kundër rebelëve komunistë. Gjatë periudhës tjetër të Luftës së Ftohtë, Uashingtoni dhe CIA do të bështesin krerët famëkeq grekë, në shkelje flagrante ndaj të drejtave të njeriut.

Krijohet CIA – Presidenti Truman nënshkruan Aktin e Sigurisë Kombëtare të vitit 1947, duke krijuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. CIA është përgjegjësi e presidentit nëpërmjet NSC-së, nuk ka mbikëqyrje nga kongresi. Statuti i lejon CIA-s të “kryejë funksione dhe detyra të tjera dhe herë pas here merr urdhra nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare”. Kjo i hap derën veprimeve të fshehta dhe mashtrimeve të pista.

1948
Krijohet krahu i fshehtë veprues – CIA krijon një krah të veprimit të fshehtë, të cilin e quan Zyra e Koordinimit të Politikave, e cila drejtohet nga avokati i Wall Streetit, Frank Wisneri. Sipas statutit të saj të fshehtë, përgjegjësitë e saj përfshinin “propagandën, luftën ekonomike, veprimet parandaluese të drejtpërdrejta që përfshinin sabotimet, antisabotimet, procedurat e shkatërrimeve dhe të evakuimeve; përmbysjen e shteteve armiqësore, duke përfshirë ndihmat ndaj grupeve të rezistencës dhe mbështetjen e elementeve antikomunistë indigjenë në vendet e kërcënuara të botës së lirë”.

Itali – CIA korrupton zgjedhjet demokratike në Itali, ku komunistët italianë mund të fitojnë zgjedhjet. CIA blen vota, transmeton propagandë, kërcënon dhe godet udhëheqësit e opozitës, si dhe infiltron dhe prish organizatat e tyre. Funksionon, komunistët munden.

1949
Radio Evropa e Lirë – CIA krijon mediane parë të saj të propagandës, Radion Evropa e Lirë. Gjatë dekadave të ardhshme, transmetimet e saj janë kaq të rreme sa që për një kohë është konsideruar e paligjshme që të publikohen transkriptet e saj edhe në SHBA.

Periudha e fundit e viteve 40

Operacioni MOCKINGBIRD – CIA fillon rekrutimin e organizatave amerikane të lajmeve dhe gazetarëve për ti bërë spiunë dhe shpërndarës të propagandës. Përpjekja kryesohet nga Frank Wisner, Allan Dulles, Richard Helms dhe Philip Graham. Graham ishte botues i Washington Post, i cili bëhet një lojtar i madh i CIA-s. Përfundimisht, asetet e CIA-s në media do të përfshinin ABC, NBC, CBS, Time, Newsweek, Associated Press, United Press International, Reuters, Hearst Newspapers, Scripps-Howard, Copley News Service dhe shumë të tjera. Të paktën 25 organizata dhe 400 gazetarë do të bëhen asete të CIA-s.

1953
Iran – CIA rrëzon Mohammed Mossadekun e zgjedhur në mënyrë demokratike gjatë një grushti ushtarak, pasi ai kërcënoi se do të nacionalizonte naftën. CIA e zëvendëson atë me një diktator, Shahun e Iranit, policia sekrete SAVAK e të cilit është po aq brutale sa dhe Gestapo.

Operacioni MK-ULTRA – I frymëzuar nga programi i lavazhos së trurit të Koresë së Veriut, CIA fillon eksperimentet për kontrollin e mendjes. Pjesa më famëkeqe e këtij projekti përfshinte dhënien e LSD-së dhe medikamenteve të tjera personave amerikanë pa dijeninë e tyre ose kundër vullnetit të tyre, duke shkaktuar tek disa edhe vetëvrasje. Megjithatë, operacioni përfshinte shumë më tepër se kjo. I financuar pjesërisht nga fondacionet e Rockefellerit dhe Fordit, hulumtimi përfshinte propagandën, lavazhon e trurit, marrëdhëniet me publikun, reklamat, hipnozën dhe forma të tjera sugjerimesh.

1954
Guatemalë – CIA rrëzon Jacob Arbenzin e zgjedhur në mënyrë demokratike në një grusht shteti ushtarak. Arbenz ka kërcënuar se do të shtetëzojë kompaninë United Fruit Company në pronësi të Rockefellerit, në të cilën drejtori i CIA-s Allen Dulles gjithashtu zotëronte aksione. Arbenz zëvendësohet me një sërë diktatorësh të krahut të djathtë, politikat gjakatare të të cilëve do të vrasin mbi 100,000 qytetarë në Guatemalë gjatë 40 viteve të ardhshme.

1954-1958
Vietnami i Veriut – Oficeri i CIA-s Edward Lansdale shpenzon katër vjet duke u përpjekur të rrëzojë qeverinë komuniste të Vietnamit të Veriut, duke përdorur të gjitha truket e pista. CIA gjithashtu përpiqet të legjitimojë një regjim marionetë tiran në Vietnamin e Jugut, i drejtuar nga Ngo Dinh Diem. Këto përpjekje nuk arrijnë të fitojnë zemrat dhe mendjet e vietnamezëve jugorë sepse qeveria e Diem është kundër demokracisë së vërtetë, reformës së tokës dhe masave për reduktimin e varfërisë. Dështimi i vazhdueshëm i CIA-s rezulton me ndërhyrjen amerikane, duke arritur kulmin me Luftën e Vietnamit.

1956
Hungari – Radio Evropa e Lirë nxit Hungarinë që të revoltohet duke transmetuar fjalimin e fshehtë të Khrushovit, në të cilin ai denoncon Stalinin. Gjithashtu lihet të kuptohet se ndihma amerikane do të jetë në krah të hungarezëve. Kjo ndihmë nuk arrin të materializohet, hungarezët nisin një revoltë të armatosur e cila vetëm se sjell një pushtim të madh sovjetik. Konflikti vret 7,000 sovjetikë dhe 30,000 hungarezë.

1957-1973
Laos – CIA kryen rreth një grusht shteti në vit duke u përpjekur të anulojë zgjedhjet demokratike të Laosit. Problemi është Pathet Lao, një grup majtist i mbështetur mjaftueshën nga populli për të qenë anëtar koalicioni i cdo qeverie. Në fund të viteve 50, CIA krijon edhe një “Armatë Klandestine” me mercenarë aziatikë për të sulmuar Pathet Laonin. Pasi ushtria e CIA-s pëson humbje të thella, SHBA nis bombardimet, duke hedhur aq shumë bomba mbi Laos sa të gjitha bombardimet e SHBA-së të marra së bashku në Luftën e Dytë Botërore. Një e katërta e të gjithë qytetarëve të Laosit do të kthehen në refugjatë, shumë prej të cilëve do të jetojnë nëpër shpella.

1959
Haiti – Ushtria amerikane ndihmon “Papa Doc” Duvalierin që të bëhet diktator i Haitit. Ai krijon forcën e tij private të policisë, “Touton Macoutes”, e cila terrorizon popullsinë me hanxharë. Ata do të vrasin mbi 100,000 persona gjatë sundimit të familjes Duvalier. SHBA nuk proteston për të të drejtat e njeriut.

1961
Gjiri i Derrave – CIA dërgon 1,500 kubanezë mergimtarë për të pushtuar Kubën e Kastros. Por “Operacioni Mongoose” dështon, për shkak të planit të sigurisë dhe mbështetjes së dobët. Planifikuesit kishin menduar se pushtimi do të nxiste një kryengritje popullore kundër Kastros, gjë që nuk ndodhi kurrë. Sulmi ajror amerikan i premtuar nuk ndodhi. Kjo është tërheqja e parë publike e CIA-s, e cila bëri që Presidenti Kennedy të lirojë nga detyra drejtorin e CIA-s Allen Dulles.

Republika Dominikane – CIA vret Rafael Trujillon, një diktator vrasës të cilin Uashingtoni e ka mbështetur që nga viti 1930. Interesat e biznesit të Trujillos janë rritur aq shumë (rreth 60 përqind e ekonomisë) sa që kanë filluar të garojnë me interesat e biznesit amerikan.

Ekuador – Forcat ushtarake të mbështetura nga CIA detyrojnë presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Hose Velascon që të japë dorëheqjen. Zëvendëspresidenti Carlos Arosemana e zëvendëson atë; CIA plotëson tani vendin vakant të zëvendëspresidentit me njeriun e vet.

Kongo (Zaire) – CIA vret Patrice Lumumban e zgjedhur në mënyrë demokratike. Sidoqoftë, mbështetja e publikut për politikën e Lumumbas ishte kaq e madhe sa që CIA nuk mundi dot të instalojë kundërshtarin e saj në pushtet. Situata u shoqërua me katër vjet trazira politike.

1963
Republikë Dominikane – CIA rrëzon Juan Boschin e zgjedhur në mënyrë demokratike në një grusht shteti ushtarak. CIA instalon një juntë shtypëse, të krahut të djathtë.

Ekuador – Një grusht shteti ushtarak i mbështetur nga CIA përmbys Presidentin Arosemana, politikat e pavarura (jo socialiste) të të cilit janë bërë të papranueshme për Uashingtonin. Një juntë ushtarake merr komandën, anulon zgjedhjet e vitit 1964 dhe fillon të abuzojë me të drejtat e njeriut.

1964
Brazil – Një grusht shteti ushtarak i mbështetur nga CIA rrëzon qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Joao Goulartit. Junta që e zëvendëson atë, në dy dekadat e ardhshme, do të bëhet një nga më të eturat për gjak në gjithë historinë. Gjenerali Castelo Branco do të krijojë skuadrat e para të vdekjes në Amerikën Latine, ose grupet e policisë sekrete që ndjekin, torturojnë, marrin në pyetje dhe vrasin “komunistët”. Shpesh këta “komunistë” nuk janë vetëm se kundërshtarët politikë të Brancos. Më vonë zbulohet se skuadrat e vdekjes i trajnonte CIA.

1965
Indonezi – CIA rrëzon Sukarnon e zgjedhur në mënyrë demokratike me një grusht shteti ushtarak. CIA ka tentuar ta eliminojë Sukarnon që nga viti 1957, duke përdorur gjithçka, që nga tentativa për vrasje deri tek intrigat seksuale, dhe gjitha për asgjë tjetër vetëm se për shpalljen e qëndrimit neutral të vendit gjatë Luftës së Ftohtë. Pasardhësi i tij, gjenerali Suharto, do të masakrojë mnga 500,000 deri në 1 milion civilë të akuzuar si “komunistë”. CIA e furnizon me emra të panumërt të dyshuarish.

Republikë Dominikane – Një rebelim popullor shpërthen, i cili premton rivendosjen e Juan Boschut si udhëheqësin e zgjedhur të vendit. Revolucioni zhtypet kur marinsat e SHBA-së vendosin të mbështetin regjimin ushtarak me forcë. CIA drejton çdo gjë prapa skenave.

Greqi – Me mbështetjen e CIA-s, mbreti shkarkon kryeministrin George Papandreoun. Papandreu nuk i ka mbështetur fuqishëm interesat e SHBA-së në Greqi.

Kongo (Zaire) – Një grusht shteti ushtarak i mbështetur nga CIA instalon Mobutu Sese Sekon si diktator. Mobutu, diktatori shtypës dhe i urryer, shfrytëzon vendin e tij të varfër për të bërë miliarda.

1966
Çështja Ramparts – Revista radikale Ramparts fillon të publikojë një seri të paprecedentë artikujsh kundra CIA-s. Midis shkrimeve më të bujshme është: CIA ka paguar Universitetin e Miçiganit me 25 milion dollarë për të punësuar “profesorë” që të trajnojnë studentë nga Vietnami i Jugut për tu mesuar metoda të fshehta policore. MIT dhe universitete të tjera kanë marrë pagesa të ngjashme. Ramparts zbulon gjithashtu se Shoqata Kombëtare e Studentëve është një front i CIA-s. Studentët në disa raste rekrutohen edhe përmes shantazheve dhe ryshfeteve.

1967
Greqi – Një grusht shteti ushtarak i mbështetur nga CIA rrëzon qeverinë dy ditë përpara zgjedhjeve. I preferuari për të fituar ishte George Papandreous, kandidat liberal. Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, “sundimi i kolonelëve” të mbështetur nga CIA, do të përhapin në masë torturat dhe vrasjet ndaj kundërshtarëve politikë. Kur një ambasador i Greqisë kundërshton Presidentit Johnson për planet e SHBA-së mbi Qipron, Johnson i thotë: “Shko q…u me gjithë parlamentin dhe kushtetutën tënde”.

Operacioni PHEONIX – CIA ndihmon agjentët e Vietnamit Jugor të identifikojnë dhe pastaj të vrasin liderët e dyshuar të Viet Kongut që operojnë në fshatrat e Vietnamit të Jugut. Sipas një raporti të Kongresit të vitit 1971, operacioni vrau rreth 20,000 “Viet Kongë”.

1968
Operacioni CHAOS – CIA ka spiunuar në mënyrë të paligjshme qytetarët amerikanë që nga viti 1959, por me Operacionin CHAOS, Presidenti Johnson i shton edhe më shumë. Agjentët e CIA-s shkojnë fshehtas duke u hequr si studentë radikalë për të spiunuar dhe përçmuar organizatat në kampuse që protestonin kundër Luftës së Vietnamit. Ata janë në kërkim të nxitësve rusë, të cilët nuk i gjejnë kurrë. Si përfundim CHAOS do të spiunojë 7,000 individë dhe 1,000 organizata.

Bolivi – Një operacion ushtarak i organizuar nga CIA kap guerilasin legjendar Che Guevara. CIA dëshiron ta mbajë të gjallë për ta marrë në pyetje, por qeveria boliviane e ekzekuton atë për të parandaluar thirrjet për falje nga bota.

1969
Uruguai – Torturuesi famëkeq i CIA-s, Dan Mitrione, arrin në Uruguaj, një vend i copëtuar nga grindjet politike. Ndërsa forcat e krahut të djathtë e përdornin më parë torturën vetëm si mjetin e fundit, Mitrione i bind ata që ta përdorin dhe ta përhapin atë si një praktikë rutinore. “Dhimbje e duhur, në vendin e duhur, në sasinë e duhur, për efektin e dëshiruar”, ishte motoja e tij. Teknikat e torturës që ai u mëson skuadrave të vdekjes rivalizojnë edhe ato të nazistëve. Si përfundim ai rrëmbehet nga revolucionarët dhe vritet.

1970
Kamboxhia – CIA rrëzon Princin Sahounek, i cili ka shumë popullaritet në mesin e kamboxhianëve për arsye sepse i ruajti ata nga përfshirja në Luftën e Vietnamit. Ai zëvendësohet nga Lon Nol, një kukull e CIA-s, i cili menjëherë i hedh trupat kamboxhiane drejt e në luftë. Ky veprim jopopullor forcon partitë e vogla opozitare si Rouge Khmer, e cila arrin të marrë pushtetin në vitin 1975, kohë në të cilën masakron miliona njerëz.

1971
Bolivi – Pas një gjysëm dekade trazirash politike të frymëzuara nga CIA, një grusht ushtarak i mbështetur nga CIA rrëzon presidentin majtist Juan Torres. Në dy vitet e ardhshme, diktatori Hugo Banzer do të arrestojë, torturojë, përdhunojë dhe ekzekutoje pa gjyq mbi 2,000 kundërshtarë politik.

Haiti – “Papa Doc” Duvalier vdes, duke lënë djalin e tij 19-vjeçar “Baby Doc” Duvalierin si diktatorin e ri të Haitit. Djali i tij vazhdon sundimin e tij gjakatar nën dijeninë e plotë të CIA-s.

1972
Rasti i aktit Zablocki – Kongresi kalon një akt që kërkon rishikimin në Kongres të marrëveshjeve ekzekutive. Në teori, kjo duhet t’i bëjë operacionet e CIA-s më të përgjegjshme. Në fakt, efekti është fare i vogël.

Kamboxhia – Kongresi voton për prerjen e fondeve të CIA-s për luftën e saj të fshehtë në Kamboxhia.

Ndërhyrjet në Wagergate – Presidenti Nixon dërgon në një ekip agjendësh për të përgjuar zyrat demokratike në Watergate. Anëtarët e ekipit kanë histori të vjetra me CIA-n, përfshirë James McCordin, E. Howard Huntin dhe pesë agjendë kubanezë. Ata punojnë që Komisioni të rizgjedhë Presidentin (CREEP), i cili po punon keq duke dëmtuar fushatën demokratike dhe duke pastruar paratë e paligjshme të fushatës së Nixonit. Aktivitetet e CREEP financohen dhe organizohen nga një tjetër front i CIA-s, kompania Mullen.

1973
Kili – CIA përmbys dhe vret Salvador Allenden, liderin e parë socialist të zgjedhur në mënyrë demokratike në Amerikën Latine. Problemet fillojnë kur Allende nacionalizon firmat amerikane në Kili. ITT i ofron CIA-s 1 milion dollarë për një grusht shteti (thuhet se u refuzua). CIA zëvendëson Allenden me gjeneralin Augusto Pinochet, i cili do të torturojë dhe vrasë mijëra bashkatdhetarë të tij gjatë goditjeve të liderëve të puntorëve dhe të së majtës politike.

CIA fillon hetimet e brendshme – William Colby, zëvendës drejtori i operacioneve, urdhëron të gjithë personelin e CIA-s të raportojë çdo gjë si dhe të gjitha aktivitetet e paligjshme për të cilat ata kanë dijeni. Ky informacion raportohet më vonë në Kongres.

Skandali Watergate – Gazeta kryesore bashkëpuntore e CIA-s në Amerikë, The Washington Post, raporton për krimet e Nixonit përpara se gazetat e tjera të flasin për këtë temë. Të dy gazetarët, Woodward dhe Bernstein, pothuajse nuk i përmendin fare gjurmë e gishtrinjve të CIA-s në këtë skandal. Më vonë zbulohet se Woodward kishte qenë për pak kohë pjesë e inteligjencës detare në Shtëpinë e Bardhë dhe i njihte mirë figurat e rëndësishme të inteligjencës, përfshirë gjeneralin Alexander Haig. Burimi i tij kryesor, “spiuni anonim”, ndoshta ishte njëri prej tyre.

Shkarkohet Helms, drejtori i CIA-s – Presidenti Nixon shkarkon drejtorin e CIA-s Richard Helms për dështim në mbulimin e skandalit Watergate. Helmsi dhe Nixoni nuk e kishin pëlqyer asnjëherë njëri-tjetrin. Drejtori i ri i CIA-s bëhet William Colby, i cili është relativisht më i hapur ndaj reformës së CIA-s.

1974
Ekspozohet CHAOS – Gazetari fitues i çmimit Pulitzer Seymour Hersh publikon një ngjarje të Operacionit CHAOS, mbikëqyrjen e brendshme dhe infiltrimin e grupeve kundër luftës dhe të të drejtave civile në SHBA. Historia ndez zemërim kombëtar.

Angleton shkarkohet – Kongresi mban seanca për përpjekjet e paligjshme të spiunimit nga James Jesus Angleton, shef i CIA-s për kundërzbulimin. Veprimet e tij përfshinin hapjen e letrave dhe mbikëqyrjen e fshehtë të protestuesve të luftës. Seancat dëgjimore rezultojnë me largimin e tij nga CIA.

CIA del e larë nga Watergate – Dhoma e Përfaqësuesve e pastron CIA-n nga ndërhyrjet në Watergate.

Akti Hughes Ryan – Kongresi kalon një amendament që kërkon që presidenti të raportojë tek komisionet përkatëse të kongresit në kohën e duhur, mbi operacionet e CIA-s që skanë lidhje me veprimet sekrete,

1975
Australi – CIA ndihmon në rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të kryeministrit Edward Whitlam. CIA e bën këtë duke i dhënë një ultimatum guvernatorit të saj të përgjithshëm, John Kerr. Kerr, një bashkëpunëtor i vjetër i CIA-s, ushtron të drejtën e tij kushtetuese për të shpërndarë qeverinë Whitlam. Guvernatori i Përgjithshëm është një pozicion i emëruar prej Mbretëreshës ndersa kryeministri zgjidhet në mënyrë demokratike. Përdorimi i këtij ligji arkaik të papërdorur më parë shokon kombin.

Angola – I etur për të demonstruar vendosmërinë ushtarake amerikane pas disfatës në Vietnam, Henry Kissinger nis një luftë të mbështetur nga CIA në Angola. Në kundërshtim me pohimet e Kissingerit, Angola është një vend me rëndësi të vogël strategjike dhe jo shumë i kërcënuar seriozisht nga komunizmi. CIA mbështet udhëheqësin brutal të UNITAS, Jonas Savimbin. Kjo e polarizon politikën e Angolas dhe i shtyn kundërshtarët e tij të nisen drejt Kubës dhe Bashkimit Sovjetik për mbijetesë. Kongresi do të shkurtojë fondet në vitin 1976, por CIA është në gjendje që ta drejtojë luftën deri në vitin 1984, kur financimet legalizohen përsëri. Kjo luftë krejtësisht e pakuptimtë vret mbi 300,000 persona në Angolë.

“CIA dhe kulti i inteligjencës” – Victor Marchetti dhe John Marks publikojnë historinë e krimeve dhe abuzimeve të CIA-s. Marchetti ka punuar 14 vjet në CIA, duke u bërë si përfundim asistent ekzekutiv i zëvendës drejtorit të Inteligjencës. Marks ka kaluar pesë vjet si zyrtar i inteligjencës në Departamentin e Shtetit.

“Brenda kompanisë” – Philip Agee boton një ditar të jetës së tij brenda CIA-s. Agee ka punuar në operacionet sekrete në Amerikën Latine gjatë viteve 60. Ai i detajon në ditar krimet në të cilat ka marrë pjesë.

Kongresi heton gabimet e CIA-s – Zemërimi publik detyron Kongresin të mbajë seanca për krimet e CIA-s. Senatori Frank Church drejton hetimin e Senatit (Komisionin Church), ndërsa përfaqësuesi Otis Pike drejton hetimin e Dhomës. (Megjithë normën e rizgjedhjejes prej 98 për qind, të dy, si Church dhe Pike munden në zgjedhjet e ardhshme.) Hetimet çojnë në një numër reformash që synojnë të rrisin llogaridhënien e CIA-s në Kongres, që përfshin edhe krijimin e një komisioni të Senatit mbi shërbimin inteligjent. Megjithatë, reformat rezultojnë jo të efektshme, siç do të rezultoje me skandalin “Iran / Contra”. Rezultoi se CIA mund të kontrollojë, të përballojë ose të anashkalojë Kongresin fare lehtë.

Komisioni Rockefeller – Në përpjekje për të zvogëluar dëmet e bëra nga “Komisioni Church”, Presidenti Ford krijon “Komisionin Rockefeller” për të mbuluar gabimet e rastit të CIA-s dhe për të propozuar reforma më të buta. Personi me emër të njëjtë në komision, nënkryetari Nelson Rockefeller, është vetë një figurë e madhe e CIA-s. Pesë nga tetë anëtarët e komisionit janë gjithashtu anëtarë të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë e dominuar nga CIA.

1979
Irani – CIA nuk arrin të parashikojë rënien e Shahut të Iranit, për një kohë të gjatë kukull e CIA-s, dhe ngritjen e fundamentalistëve myslimanë të cilët janë të zemëruar me mbështetjen e CIA-s për SAVAK-un, policinë sekrete gjakatare të Shahut. Si hakmarrje, muslimanët marrin peng 52 amerikanë në ambasadën e SHBA-së në Teheran.

Afganistan – Sovjetikët pushtojnë Afganistanin. CIA menjëherë fillon furnizimin e armëve për çdo grup që është i gatshëm për të luftuar sovjetët okupues. Armatosja e tillë pa dallim do të thotë se kur sovjetikët të largohen nga Afganistani, lufta civile të shpërthejë. Gjithashtu, ekstremistët muslimanë fanatikë tani posedojnë armë të një niveli të lartë. Një nga këta është Sheiku Abdel Rahman, i cili do të përfshihet në sulmin e Qendrës Botërore Tregtare në Nju Jork.

El Salvador – Një grup idealistësh oficerë të rinj ushtarakë, të shtyre nga masakrimi i të varfërve, përmbysin qeverinë e krahut të djathtë. Megjithatë, SHBA detyron oficerët e papërvojë që të përfshijnë shumë nga oficerët e vjetër në pozita kyçe në qeverinë e re. Shpejt, gjërat i kthehen “normales”, qeveria ushtarake shtyp dhe vret protestuesit e varfër civilë. Shumë nga reformatorët e rinj ushtarakë dhe civilë, duke e gjetur veten të pafuqishëm, japin dorëheqjen të indinjuar.

Nikaragua – Anastasios Samoza II, diktatori i mbështetur nga CIA, bie. Sandinistasit marksistë marrin qeverinë, duke qenë fillimisht të njohur për shkak të angazhimit të tyre ndaj tokës dhe reformave kundër varfërisë. Samoza kishte një ushtri personale vrastare të urryer që quhej Garda Kombëtare. Mbetjet e Gardës do të bëhen Contrasit, të cilët nisin një luftë guerile të mbështetur nga CIA-n kundër qeverisë Sandinista përgjatë gjithë viteve 80.

1980
El Salvador – Kryepeshkopi i San Salvadorit, Oscar Romero, i bën thirrje Presidentit Carter “si i krishteri të krishterit” për të ndalur ndihmën ndaj qeverisë ushtarake e cila vret njerëzit e vet. Carter refuzon. Pak kohë më pas, lideri i krahut të djathtë Roberto D’Aubuisson qëllon Romeron drejt e në zemër, kur ky i fundit po mbante meshë. Vendi shpejt shpërbëhet dhe hyn në luftë civile, me fshatarët nëpër male që luftojnë kundër qeverisë ushtarake. Forcat e armatosura të CIA-s i japin qeverisë një epërsi të madhe, ushtarakisht dhe në zbulim. Skuadrat e vdekjes të trajnuara nga CIA dalin fshatrave, duke kryer krime si ato të El Mazotes në vitin 1982, ku masakrojnë 700 deri në 1000 burra, gra dhe fëmijë. Deri në vitin 1992, rreth 63,000 salvadorianë do të vriten.

1981
Irani /Kontra – CIA fillon shitjen e armëve ndaj Iranit me çmime tepër të larta, duke përdorur fitimet për të armatosur Kontrasit që luftojnë qeverinë Sandinista në Nikaragua. Presidenti Regan zotohet se sandinistët do të detyrohen ti thonë “dajë”. “Manuali i CIA-s i Luftëtarëve të Lirisë, i shpërndarë për Kontrasit, përfshinte udhëzime mbi sabotazhin ekonomik, propagandën, zhvatjen, ryshfetet, shantazhet, marrjen në pyetje, torturat, vrasjet dhe vrasjet politike.

1983
Honduras – CIA i jep zyrtarëve ushtarakë të Hondurasit Manualin Trajnues të Shfrytëzimit të Burimeve Njerëzore 1983, i cili të mëson se si t’i torturosh njerëzit. Famëkeqi i Hondurasit, “Batalioni 316” me vone do ti përdorë këto teknika, me dijeninë e plotë të CIA-s, mbi mijëra disidentë majtistë. E pakta 184 persona vriten.

1984
Amendamenti Boland – Miratohen një sërë ndryshimesh të fundit të Boland. Këto ndryshime zvogëlojnë ndihmën e CIA-s për Kontrasit, ku ndryshimi i fundit e pret ndihmën krejtësisht. Megjithatë, drejtori i CIA-s William Casey tashmë është i përgatitur që ta “dorëzojë” operacionin tek kolonel Oliver Northi, i cili në mënyrë të paligjshme vazhdon të furnizojë kontrasit përmes rrjetit informal, sekret dhe vetëfinancues të CIA-s. Ai përfshin “ndihmën humanitare” të dhuruar nga Adolph Coors dhe William Simon si dhe ndihmën ushtarake të financuar prej shitjeve të armëve në Iran.

1986
Eugene Hasenfus – Nikaragua rrëzon një aeroplan transportimi C-123 që transportonte furnizime ushtarake për Kontrasit. I mbijetuari i vetëm, Eugene Hasenfusi, rezulton të jetë një punonjës i CIA-s, siç ishin edhe dy pilotët e vdekur. Aeroplani i përket Southern Air Transport, një fronti të CIA-s. Incidenti bën një tallje me pretendimet e Presidentit Reagan se CIA nuk i ka armatosur ilegalisht Kontrasit.

Anti-Sandinista Contras at their Coco River camp across the border from Nicaragua. Honduras, September 1987

Iran / Skandali Kontra – Megjithëse detajet kanë qenë prej kohësh të njohura, skandali “Iran/Kontra” më në fund kap vëmendjen e medias në vitin 1986. Kongresi mban seanca dhe disa figura kryesore (si Oliver North) vihen që të betohen për të mbrojtur komunitetin e inteligjencës. Drejtori i CIA-s William Casey vdes nga kanceri në trur përpara se Kongresi ta marrë në pyetje. Të gjitha reformat e miratuara nga Kongresi pas skandalit janë thjesht kozmetikë.

Haiti – Rritja e revoltës popullore në Haiti nënkupton që “Baby Doc” Duvalier do të mbetet “president për jetë” vetëm nëse e ka atë të shkurtër. SHBA, e cila urren paqëndrueshmërinë në një vend kukull, e nis Duvalierin despotik në jug të Francës me një pension të kënaqshëm. CIA më pas do të vendosë në skenë zgjedhjet e ardhshme në favor të një forcë tjetër ushtarake të krahut të djathtë. Megjithatë, dhuna e mban vendin në trazira politike për katër vjet të tjera. CIA përpiqet të forcojë ushtrinë duke krijuar Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës (SIN), i cili anulon revoltën popullore përmes torturave dhe vrasjeve.

1989
Panama – SHBA pushton Panamanë për të përmbysur një diktator të vetin, gjeneral Manuel Noriegan. Noriega ka qenë në listën e pagave të CIA-s që nga viti 1966 dhe ka transportuar drogë me dijeninë e CIA-s që nga viti 1972. Nga fundi të viteve 80, pavarësia në rritje dhe papajtueshmëria e Noriegës e kanë zemëruar Uashingtonin … kështu që ai shkon.

1990
Haiti – Në zgjedhjet kundër 10 kandidatëve relativisht të pasur, prifti majtist Jean-Bertrand Aristide kap 68 për qind të votave. Megjithatë, vetëm pas tetë muajsh në pushtet, ushtria e mbështetur nga CIA e rrëzon. Diktatorët ushtarakë e drejtojnë vendin me brutalitet, ndërsa mijëra refugjatë haitianë i shpëtojnë trazirave me anije dhe varka të sajuara që mezi lundrojnë. Ndërsa opinioni popullor bën thirrje për kthimin e Aristideit, CIA fillon një fushatë disinformuese që e përshkruan priftin guximtar si mentalisht të paqëndrueshëm.

1991
Lufta e Gjirit – SHBA çliron Kuvajtin nga Iraku. Diktatori i Irakut Saddam Husseini, një tjetër produkt i CIA-s, me inkurajimin e SHBA-së e sulmon Iranin në vitin 1980. Gjatë kësaj lufte të kushtueshme tetëvjeçare, CIA i pajis forcat e Sadamit me armë të sofistikuara, inteligjencë, trajnime dhe mbështetje financiare. Kjo e përforcoi shumë fuqinë e Sadamit në vend dhe i mundëson atij që të shtypë shumë rebelime të brendshme që shpërthenin herë pas here, të cilat ndonjëherë i shtypi edhe me gaz helmues. Ajo gjithashtu i dha atij të gjithë forcën ushtarake që i nevojitej për të kryer aventurën e mëtejshme, si për shembull në Kuvajt.

Saddam Hussein with King Hussein of Jordan

Rënia e Bashkimit Sovjetik – CIA dështon që ta parashikojë ngjarjen më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë. Kjo tregon se ka qenë aq e zënë duke minuar qeveritë e huaja sa edhe punën e saj primare duket se nuk e ka bërë: grumbullimin dhe analizimin e informacionit. Rënia e Bashkimit Sovjetik gjithashtu i heq CIA-s arsyen për të ekzistuar: luftimin e komunizmit. Kjo i çon disa që të akuzojnë CIA-n se qëllimisht ka dështuar që të parashikojë rënien e Bashkimit Sovjetik. Çuditërisht, buxheti i komunitetit të inteligjencës nuk është zvogëluar që pas rënies së komunizmit.

1992
Spiunazhi Ekonomik – Në vitet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, CIA gjithnjë e më shumë është përdorur për spiunazhin ekonomik. Këtu përfshihen vjedhjet e sekreteve teknologjike të kompanive të huaja konkurruese dhe dhënien e tyre tek kompanitë amerikane. Duke pasur parasysh preferencën e qartë të CIA-s për truket e pista mbi grumbullimin e informacionit, mundësia e sjelljes serioze kriminale është shumë e madhe.

1993
Haiti – Kaosi në Haiti shkon aq keq sa që presidenti Klinton nuk ka zgjidhje tjetër veçse të heqë diktatorin ushtarak të Haitit, Raoul Cedrasin, nën kërcënimin e sulmit amerikan. Pushtuesit amerikanë nuk i arrestojnë udhëheqësit ushtarakë të Haitit për krime kundër njerëzimit, por në vend të kësaj u ofrojnë siguri dhe pensione të larta. Aristide rikthehet në pushtet vetëm pasi detyrohet të pranojë një axhendë të favorshme të klasës sunduese të vendit.

EPILOG

Gjatë një fjalimi, para se CIA të festonte 50 vjetorin, Presidenti Klinton tha: “Populli amerikan asnjëherë ska për ta njohur plotësisht historinë tuaj të guximshme”.

Deklarata e Klintonit dhe të tjera si kjo: “populli amerikan duhet ti ndalë kritikat ndaj CIA-s, sepse në të vërtetë ata nuk e dinë se çpo bëjnë, ishin një mbrojtje normale për CIA-n. Natyrisht që kjo ishte thelbi i problemit. Një agjenci që qëndron mbi kritikat, gjithashtu qëndron edhe mbi sjelljen morale dhe përmirësimin. Fshehtësia dhe mungesa e përgjegjësisë së saj mundëson që korrupsioni i saj të rritet i pakontrolluar.

Për më tepër deklaratat e Klintonit janë thjesht të pavërteta. Historia e agjencisë po zmadhohet qartazi mes vështirësish, veçanërisht me deklasifikimin e dokumenteve të së kaluarës së CIA-s. Ne nuk i dimë detajet e operacioneve specifike, por ne e dimë mjaft mirë sjelljen e përgjithshme të CIA-s. Faktet filluan të dilnin gati dy dekada më parë me një ritëm gjithnjë e në rritje. Sot kemi një pamje të qartë që përsëritet vend pas vendi dhe që vërtetohet në shumë drejtime.

Përgjigjja e CIA-s mbi këto njohuri dhe kritika gjithnjë e në rritje ndjek një model tipik të së shkuarës. (Në të vërtetë, ka paralelizma jashtëzakonisht të ngjashme të luftës të Kishës në mesjetë kundër revolucionit shkencor.)Gazetarët dhe personat e parë amerikanë që shkruajtën dhe zbuluan sjelljet kriminale të CIA-s u luftuan dhe u censuruan, ndërsa jo amerikanët u torturuan dhe u vranë.(shiko librin “Philip Agee’s On the Run” për të tillë shembuj nga e kaluara). Megjithatë gjatë dy dekadave të fundit, stuhia e provave është bërë më e madhe dhe CIA nuk ka mundur që të mbyllë çdo vrimë të grykëderdhjes. Kjo është bërë kryesisht më e qartë gjatë epokës së internetit, ku informacioni qarkullon lirisht në mesin e miliona njerëzve. Meqenëse censura është e pamundur, Agjencia tani duhet të mbrohet duke u shfajësuar. Shembull është edhe deklarata e Klintonit se “Populli amerikan asnjëherë ska për ta njohur plotësisht historinë…”.

Një tjetër shfajësim i zakonshëm është se “bota është e mbushur me personalitete dhe figura negative, kështu që për të mbrojtur interesat amerikane duhet që të merremi me ta”. Këtu kemi dy gabime. Së pari, injorohet fakti se CIA i ka refuzuar rregullisht aleancat me mbrojtësit e demokracive, fjalës së lirë dhe të të drejtave të njeriut, duke preferuar miqësinë me diktatorët dhe tiranët ushtarakë. CIA i kishte në dispozicion opsionet e parimeve morale, por nuk i mori ato.

Së dyti, ky argument ngre disa pyetje. E para është: “Interesat amerikane të kujt?” CIA ka favorizuar diktatorë të krahut të djathtë, sepse ata kanë lejuar amerikanët e pasur të shfrytëzojnë krahun e lirë të punës dhe burimet natyrore të vendit. Por janë amerikanët e klasës së mesme dhe amerikanët e varfër që i paguajnë kostot e luftrave që rrjedhin nga veprimtaritë e CIA-s, nga Vietnami në Luftën e Gjirit dhe deri në Panama. Pyetja e dytë që ngrihet është: “Pse interesat amerikane duhet të vihen mbi kurrizin e të drejtave njerëzore të të tjerëve?”

CIA duhet të shfuqizohet, udhëheqja e saj të shkarkohet dhe anëtarët e saj të gjykohen për krime kundër njerëzimit. Komuniteti ynë i inteligjencës duhet të rindërtohet nga themelet, me qëllimin e mbledhjes dhe analizimit të informacionit. Sa i përket veprimeve të fshehta, ekzistojnë dy opsione morale. I pari është që të eliminohen plotësisht veprimet e fshehta. Por kjo i shton ankthin dhe nervozizmin njerëzve që shqetësohen për Hitlerët e botës. Alternativa e dytë është se mund të vendosim veprimet e fshehta nën mbikëqyrjen e gjerë dhe të vërtetë demokratike. Për shembull, një komision dypalësh i Kongresit me 40 anëtarë mund të shqyrtojë dhe të vërë veton për të gjitha aspektet e operacioneve të CIA-s me një shumicë votash. Se kush nga këto dy opsione është më i mirë mund të jetë një temë debati, por një gjë është e qartë: si në diktaturë, si në monarki, operacionet e fshehta të papërgjegjshme duhet të zduken ashtu sic u zhdukën dinosaurët./globalresearch/Gazeta Impakt

Artikulli i parë u botua fillimisht në vitin 1997. Ai bazohet pjesërisht në punimin e William Blumit, “Vrasja e Shpresës: Ndërhyrjet Ushtarake të SHBA-së dhe CIA-s që nga Lufta e Dytë Botërore”( Killing Hope: U.S. Military and CIA Interventions since World War II) 1995 (GR Ed. M. Ch.)/globalresearch/Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne