Një vit proteste kundër qeverisë

Autor:Gjergj Erebara BIRN Tiranë

 

Studentët protestojnë para ministrisë së Arsimit. 7 dhjetor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Qeveria e dytë e kryeministrit Edi Rama mori detyrën në shtator 2017, pasi realizoi fitoren më të madhe elektorale në 15 vjet si dhe siguroi maxhorancën më solide që ka parë vendi që nga viti 2001. Por menjëherë pasi mori detyrën, qeveria kaloi nga një skandal në tjetrin, ndërsa punoi me ngulm për të çuar përpara një axhendë qeverisëse të karakterizuar nga koncesionet dhe propaganda.

Këto të fundit ishin përgjegjëse për disa nga protestat më të forta që ka përjetuar vendi në dekadën e fundit, ndërkohë që viti 2018 u përmbyll me mijëra studentë që shprehën zemërimin e tyre me protesta masive dhe shumëngjyrëshe.

Tensioni social që duket se u shkaktua në thelb nga thellimi i pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, mes qeverisësve dhe të qeverisurve, shënoi protestën e parë të dhunshme të paorganizuar nga ndonjë parti politike në më shumë se dy dekada, protestë që nga ana e saj solli thirrje publike për “bojkot” ndaj një numri biznesmenësh, të cilët, gjithnjë e më shumë po marrin nofkën “oligarkë”.

Nga naftëtarët te studentët

Naftëtarët presin rrogat përballë bankës Credins nër Fier me 29 Dhjetor 2017 | Foto nga : Edmond Hoxhaj

Në ditët e fundit të vitit 2017, rreth 200 punonjës të Rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit, pasi kishin protestuar pa u dëgjuar prej muajsh për pagat e papaguara nga kompania që përdorte rafinerinë përmes një kontrate qiraje, u nisën në një protestë ekstreme, me synimin për tëmarshuar në këmbë nga Fieri për në Tiranë.

Dy ministra të qeverisë u ulën për të diskutuar me naftëtarët, të cilët nxorrën në pah skamjen në një kohë kur qeveria pretendon suksese të njëpasnjëshme në ekonominë kombëtare. Ndonëse marrëdhënia e punës e naftëtarëve ishte me një kompani private, presioni mbi qeverinë duket se shkaktoi presion mbi kompaninë dhe brenda disa orëve, naftëtarët morën pagat e muajit nëntor.

Në shkurt 2018, aktorët e Teatrit Kombëtar u ngritën në protestë pasi morën urdhër të largoheshin nga ndërtesa historike e teatrit në qendër të Tiranës drejt një salle të re, e krijuar nga përshtatja e ish-Laboratorit të Hidrologjisë. Qeveria qëndroi e heshtur për disa javë, por artistët e nuhatën menjëherë se bëhej fjalë për koncesion.

Më 12 mars, kryeministri Edi Rama prezantoi atë që e quajti një projekt frymëzues të partneritetit publik privat, projekt që përfshin një teatër të ri dhe pallate private me sipërfaqe ndërtimi prej gati 90 mijë metrash katrorë. Ajo që pasoi ishte një betejë e gjatë qytetare dhe politike, ku Rama përdori maxhorancën parlamentare për të votuar tre herë një ligj kontrovers për koncesionin. Deri në fund të dhjetorit, ndërtesa e Teatrit Kombëtar vijon të mbijetojë, ndërsa mbrojtësit e saj e kanë kthyer oborrin e teatrit në një skenë në qiell të hapur ku protestohet, zhvillohen shfaqje dhe debate publike. [Link]

Një telash edhe më i madh për qeverinë erdhi vetëm pak javë më vonë. Më 31 mars, pas një procedure dhënieje me koncesion që zgjaste prej vitesh, dy kompani shqiptare vendosën të fillojnë arkëtimin e tarifave në Rrugën e Kombit, projekti infrastrukturor më i shtrenjtë në historinë e Shqipërisë.

Protesta e të shtunës në Rrugën Rrëshen-Kalimash. Foto: Malton Dibra/LSA

Po atë të shtunë, disa mijëra protestues nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth, zunë në befasi policinë kur sulmuan dhe dogjën vendpagesat e koncesionarit. Protesta e dhunshme, e para në shumë vite që duket se nuk përfshinte përplasje partiake, u prit në përgjithësi me lavde nga një pjesë e popullsisë anekënd vendit. Qeverisë iu desh të mobilizonte trupa të shumta policore, të vendoste Kukësin efektivisht në shtetrrethim dhe të shtynte zbatimin e kontratës koncesionare me gjashtë muaj.

Protesta u shoqërua me thirrje publike për bojkot ndaj kompanisë së naftës Kastrati, e cila ka pronësinë e gjysmës së koncesionit të rrugës, ndërsa dhuna e ushtruar nga protestuesit vuri në pah nivelin e lartë të tensionit social në shoqërinë shqiptare.

Dyqane të mbyllura gjatë grevës njëorëshe të 10 prillit 2018 në “Tregun Çam” në Tiranë. Foto: Malton Dibra/LSA

Në prill, një pjesë e biznesit të vogël nëpër të gjithë Shqipërinë vendosi kundër logjikës, të bëjë protestë duke refuzuar të shesë për disa orë. Shkaku i protestës ishte vendimi i qeverisë për të përfshirë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë, një hap i kritikuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e quajti të paarsyeshme. Qeveria pati gjithsesi edhe mbështetës për këtë masë. Një pjesë e bizneseve të mëdha, jo vetëm që e mbështetën qeverinë, por disa patën organizuar në fund të vitit të kaluar edhe një “protestë kundër informalitetit” në Tiranë, duke krijuar një situatë absurde të të pasurve që protestonin kundër të varfërve.

Banorët e Unazës së Madhe të Tiranës duke u përplasur me policinë para Kuvendit të Shqipërisë më 22 nëntor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Në nëntor 2018, një numër banorësh të zonës së njohur si “Astiri” u organizuan në protesta të shumta, pasi mësuan planet e qeverisë për të shembur shtëpitë e tyre, një pjesë pa dëmshpërblim dhe një pjesë me dëmshpërblim shumë herë poshtë çmimit të tregut, në kuadër të një projekti për zgjerimin e rrugëve të zonës. Më 22 nëntor, banorët u përleshën me policinë para Kuvendit të Shqipërisë. Disa policë u plagosën, ndërsa kryeministri Edi Rama i shpëtoi një këpuce të hedhur në drejtim të tij nga një protestues, ndërsa Rama po vizitonte policët e lënduar në protestë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Por telashi më i madh për qeverinë nisi më 4 dhjetor. Studentët e fakultetit të Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës morën një njoftim atë ditë, ku i kërkohej të paguanin tarifat e vitit akademik 2018-2019 brenda 15 dhjetorit dhe jo siç ishte planifikuar më parë, në dy këste në janar dhe qershor 2019. Të zemëruar, studentët braktisën mësimin dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit në Tiranë. Protesta u përhap me shpejtësi nëpër fakultete të tjera dhe brenda pak ditësh, me mijëra studentë, shumica e të cilëve ka lindur pas vitit 1998, bllokuan rrugën në protesta të përditshme pranë Ministrisë së Arsimit.

Kryeministri Edi Rama fillimisht u tall me protestuesit, duke i quajtur ata ngelësa. “A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentet ngeles?”, deklaroi ai në Facebook mesditën e datës 5 dhjetor. Por brenda pak orësh, kur protesta u shumëfishua, Rama duket se u pendua për deklaratën dhe njoftoi një tërheqje të mundshme të vendimit.

Por protesta vetëm u shtua dhe bashkë me të edhe kërkesat e protestuesve. Protesta vijoi çdo ditë deri para Krishtlindjeve, me universitete të bllokuara në të gjithë vendin, me kryeministrin që kërkoi dialog dhe premtoi plotësimin e të gjitha kërkesave dhe me studentët rebelë që refuzonin dialogun.

Protestat studentore të dhjetorit u panë si një rikthim i shpresës për shqiptarët si dhe një shprehje e një zemërate më të gjerë kundër qeverisë dhe jo ngushtësisht e lidhur me tarifat universitare. Por ato vunë në pah gjithashtu distancën e madhe mes klasës politike në përgjithësi dhe brezit të ri të shqiptarëve, të cilët me këmbëngulje refuzuan jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën.

Rama u lut për ditë të tëra me të gjitha mënyrat për dialog, nga komunikimet në Facebook në Twitter dhe deri në Instagram, rrjeti social më gjerësisht i përdorur nga adoleshentët e sotëm, por më kot. Ai u përball me studentë protestues ndërsa tentoi të hyjë pa paralajmërim në auditore në Universitetin e Kamzës në Tiranë si dhe u përball me pyetje sikletosëse në Vlorë mbi origjinën e parave të vilës së tij private në Surel të Tiranës. Përgjigjja e atypëratyshme e Ramës: “Punë në emigrim”.

Gratë e fshatrave të Bulqizës gjatë takimit me ministrin e Mjedisit Blendi Klosi | Foto nga : Sami Curri

Gjatë vitit 2018 në Shqipëri pati edhe një numër protestash për çështje të tjera, përfshirë protestë në mbrojtje të një sipërfaqeje pyjore të dhënë me koncesion në Bulqizë, protestë në mbrojtje të qenve të rrugës e të tjera, përfshirë edhe njëprotestë të madhe të organizuar nga opozita politike kundër ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Partitë politike në opozitë e nisën vitin duke premtuar protesta masive dhe mosbindje civile. Megjithatë, protestat reale duket se erdhën jo aq shumë nga opozita se sa nga qytetarët e zhgënjyer me çdo parti politike, të cilat deri më sot kanë qenë mjeti kryesor i të bërit politikë në vend.

Rekordi i koncesioneve

Emëruesi i përbashkët i shumë prej protestave të vitit 2018 ishte një fjalë: Koncesion! Koncesionet ose Partneriteti Publik-Privat ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për shqiptarët përgjatë dekadës së fundit si dhe pjesë e debatit politik së paku që nga viti 2013. Megjithatë, intensiteti i debatit publik dhe politik si dhe volumi i koncesioneve të dhëna nga qeveria “Rama 2” shënuan një rekord historik.

Koncesionet kanë qenë simbol i korrupsionit politik përgjatë viteve të fundit, ku palët politike kanë akuzuar njëra-tjetrën me bollëk për vjedhje, ndërsa në vitin 2018, koncesionet u bënë shkaku kryesor i protestave jo ngushtësisht të lidhura me partitë politike.

Koncesioni ishte ai që shkaktoi protestën e dhunshme në rrugën e Kombit dhe koncesion ishte ai që shkaktoi protestën e gjatë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Aktorë dhe aktivistë në protestën e të enjtes më 20 shtator 2018 kundër shembjes së selisë historike të Teatrit Kombëtar. Foto: Malton Dibra/LSA

Volumi i parave të përfshira në valën e fundit të koncesioneve të dhëna nga qeveria “Rama” mbetet i paqartë. Kostot dhe përfitimet e publikut nga këto kontrata mbeten mister. Pjesë kyçe të kontratave të nënshkruara nga qeveria me kompanitë private janë përfshirë në klauzola konfidencialiteti.

Për shembull, një kontratë për të ndërtuar afro 21 kilometra autostradë nga Thumana në Kashar në Shqipërinë qendrore ishte rreth 225 milionë euro, ndërsa Ministria e Financave deklaron në buxhetin e shtetit një kosto të përgjithshme prej 54.4 miliardë, (rreth 435 milionë euro). Qeveria nuk ka marrë mundimin të shpjegojë formulën bazë të këtyre kontratave koncesionare, ndërkohë që edhe forma e dhënies së këtyre koncesioneve, (kryesisht propozime të pakërkuara), është kritikuar si një mënyrë për të shmangur konkurrencën dhe për të inflacionuar kostot, duke anashkaluar analizat e shëndosha të kostove dhe përfitimeve që nevojiten për investimet publike.

Të katër fituesit e katër koncesioneve të rrugëve, të cilat pritet të krijojnë afro 100 kilometra rrugë me një kosto të përgjithshme të vlerësuar nga Ministria e Financave prej mbi 1.2 miliardë eurosh, janë të gjitha kompani shqiptare. Kjo duket se shtyu Departamentin Amerikan të Shtetit të bëjë deklaratën më të ashpër ndonjëherë për Klimën e Investimeve në Shqipëri. Sipas deklaratës, koncesionet e pakërkuara po përdoren për të kufizuar konkurrencën dhe për të mbajtur larg kontraktorët e huaj.

Kufizimi i konkurrencës në tenderët e koncesioneve është njëra anë e medaljes. Përgjatë muajve të fundit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka organizuar tetë tenderë me vlera të konsiderueshme, ku pjesëmarrja në secilin tender të kompanive të interesuara ka qenë e kufizuar në një ose dy ofertues. Rezultati i tenderit në shumicën dërrmuese të rasteve ka qenë e barabartë me mbi 99% të fondit limit, një tregues që normalisht ngre “flamuj të kuq” dhe që sugjeron ose manipulim të tenderit nga ana e kompanive pjesëmarrëse, ose manipulim nga ana e autoritetit tenderues.

Lidhjet me krimin

Viti 2018 nisi me premtimin e opozitës për të shpërthyer më shumë skandale të “bashkëpunimit të qeverisë me krimin”, pasi 2017-a ishte mbyllur me marrjen të pandehur të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe abuzim me detyrën. Tahiri i mohon akuzat. Hetimet ndaj tij janë shtyrë disa herë dhe prokuroria nuk e ka përmbyllur punën.

Mijëra protestues të opozitës kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndërsa përplasen me policinë. 26 maj 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Në maj, Partia Demokratike publikoi atë që u njoh më pas si “çështja Babale”, ku një bisedë e përgjuar mes dy njerëzve sugjeronte, sipas opozitës, se vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, i cili njihet edhe me emrin Geron, ishte jo vetëm i dënuar për trafik droge në Itali shumë vite më parë, por vijonte të ishte aktiv në këtë trafik.

Mbrëmjen e asaj dite, personi me emrin Geron (Agron) Xhafaj u paraqit në Prokurori dhe pasi  dorëzoi një kampion të zërit të tij, u nis me vullnet të lirë në drejtim të Italisë ku filloi të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane. Muaj më vonë, hetimi i prokurorisë e konsideroi çështjen si manipulim, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se “Babalja” ishte një komplot që synonte rrëzimin e qeverisë.

Denoncimet për lidhje të mazhorancës me krimin ishin të shumta gjatë vitit 2018, ndërsa presioni nga ndërkombëtarët për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin duket se ka shënuar gjithashtu një rekord.

Në gusht 2018, një person aspak i njohur për publikun me emrin Edmond Bego, u ndalua përkohësisht nga policia greke, për shkak të një urdhërarresti italian. Ai mbante edhe emrin Mond Bega. Që nga ajo ditë, Bego apo Bega u bë emër i njohur për shqiptarët, pasi Partia Demokratike akuzoi kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla si mbështetës të Begos, i cili rezulton edhe biznesmen.

Balla pranoi se e kishte “mik familjeje” Begon, por mohoi që ai të ishte favorizuar në përfitimin e tenderëve publikë, siç pretendon opozita. Pavarësisht se si qëndron e vërteta, kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet mjaftueshëm sa të propozojë disa ndryshime ligjore të cilat synojnë të ndalojnë personat me të shkuar kriminale të përfitojnë fonde publike, prona publike apo të ashtuquajturin “status të investitorit strategjik në turizëm”.

Rexhep Rraja i fotografuar më 2 tetor 2018 në Krujë. Foto: LSA

Në shtator, një ish-oficer policie u arratis nga Shqipëria dhe deklaroi nga emigrimi se persona me pushtet, përfshirë Taulant Ballën, i kanë bërë presion të mos hetojë djalin e një deputeti socialist për dhunë dhe përndjekje ndaj ish të dashurës. Balla mohoi akuzat por presioni publik duket se solli riaktivizimin e hetimit të prokurorisë ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist të Niklës Rrahman Rraja, i cili u arrestua dhe aktualisht po përballet me drejtësinë. Siç rezultoi më vonë, ish- e dashura e Rexhep Rraja e kishte denoncuar atë për katër herë ndërsa efektivët e policisë kishin vuajtur për të zbatuar rregullat në raste kallëzimesh të tilla.

Në tetor, situata për socialistët, të cilët janë akuzuar vazhdimisht se mbajnë lidhje me elementë të krimit të organizuar në fushatat e tyre zgjedhore, thjesht u përkeqësua më tutje. Dy ish deputetë socialistë u arrestuan nga policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po hetonte prej dy vjetësh një rrjet të strukturuar kriminal të shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Dokumente të rrjedhura nga prokuroria tërhoqën menjëherë në skenë edhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili rezulton se ka biseduar me disa anëtarë të bandës për çështje elektorale dhe blerje votash. Prokuroria u akuzua edhe një herë për njëanësi politike dhe inaktivitet në rastet e hetimit të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” në botën e krimit dhe të politikës shqiptare.

Viti 2018 u mbyll me një skandal tjetër me tenderët publikë. Në shtator, Autoriteti Rrugor Shqiptar organizoi tre tenderë me vlerë të përgjithshme 40 milionë euro për një segment të shkurtër prej 2.3 kilometrash në Unazën e Re të Tiranës. Kostoja e stërmadhe e këtij segmenti rrugor si dhe fakti se në të tre tenderët nuk kishte konkurrencë reale, ngriti dyshime për ndershmërinë e tenderëve. Por Partia Demokratike në opozitë ngriti edhe një akuzë tjetër: njëra prej kompanive, DH Albania, rezultonte e regjistruar në një parajsë fiskale me pronarë të panjohur.

Qeveria dhe ARRSH hodhën poshtë pretendimet duke argumentuar se kompania në fjalë ishte një gjigand amerikan me mijëra të punësuar dhe miliarda dollarë xhiro. Por emisioni Të Paekspozuarit i gazetarit Ylli Rakipi zbuloi më 6 dhjetor se në fakt, dokumentet e kompanisë ishin false. Sërish në siklet, qeveria vendosi anulimin e tenderit dhe referimin e çështjes në prokurori, por kjo e fundit nuk ka gjetur ende se kush mund të jetë autori i falsifikimit dhe as motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij falsifikimi.

Dokumente të zbuluara nga BIRN tregojnë se personat e lidhur me kompaninë fantazëm DH Albania kanë edhe një lidhje të dytë me kompaninë Gener 2, një nga ndërtuesit e rrugëve në Shqipëri dhe fituesi i kontratës më të madhe koncesionare deri tani, atë të segmentit Thumanë-Kashar.

Viti 2018 duket se po mbyllet me përpjekjet e qeverisë për të menaxhuar krizat e njëpasnjëshme. Të mërkurën më 26 dhjetor, kryeministri Edi Rama premtoi plotësimin e kërkesave të studentëve protestues. Ndërkohë, Partia Demokratike në opozitë vijon të denoncojë ato që i quan skandale të qeverisë. I fundit lidhet sërish me emrin e Mond Begës dhe me projektin e Unazës së Re. Sipas opozitës, Bashkia Tiranë dhe qeveria kanë ndryshuar planin rregullues të qytetit për të zhvendosur rrjedhën e lumit Lanë dhe për ta larguar atë nga një parcelë toke, të cilën opozita akuzon se e ka privatizuar ish-i dënuari për trafik droge. Në këtë proces, rrjedha e lumit Lanë duket se është dërguar mespërmes shtëpive të banorëve të zonës, të cilët janë njoftuar për shembjet pa dëmshpërblim të pronave të tyre.

Drejtësi dhe veting

Viti që po lëmë pas ka gjasa do të hyjë në histori edhe për procesin e Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, njohur më së shumti si vetingu në drejtësi.

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Fatos Lulo. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Gjithsej 77 gjyqtarë, prokurorë e këshilltarë ligjorë u përballën me procesin e vetingut gjatë vitit 2018, nga të cilët, 35 u shkarkuan, 42 u konfirmuan dhe 13 janë në proces apeli. Vetingu asgjësoi Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, ku shumica e gjyqtarëve ose vendosën të tërhiqeshin para procesit, ose u rrëzuan nga procesi, në shumicën e rasteve për pasuri të pajustifikuar, por në një numër rastesh domethënëse edhe për lidhje me elementë të krimit të organizuar. Gjatë vitit 2018 vetingut iu nënshtruan 9% e subjekteve të planifikuara.

Procesi i vetingut u konsiderua si ndër të pakëtat lajme pozitive në dëshirën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në qershor, Këshilli i krerëve të shteteve të Bashkimit Europian u shpreh në mënyrë ambigue mbi çështjen nëse duhej apo jo të hapeshin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendimi la mundësinë për fillimin e negociatave në qershor 2019, por kushtet për reforma, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetën në fuqi dhe në një farë drejtimi, u forcuan.

Viti 2018 po mbyllet edhe me një betejë të rradhës për lirinë e medias. Gjuha e kryeministrit ndaj medias u ashpërsua në tetor 2017, kur ai u përball me pikëpyetjet mbi vendimin kontrovers të deputetëve socialistë për të refuzuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit.

Sulmet e tij verbale ndaj medias u bënë pjesë e një raporti të thelluar të organizatës ndërkombëtare Reporterë pa Kufi dhe BIRN Albania mbi gjendjen e medias në Shqipëri ndërsa u nënvijëzuan si problematike në raportin vjetor të RFS për gjendjen e medias nëpër botë gjatë vitit 2018.

Rama u rendit krahas kryeministrit hungarez Viktor Orban, presidentit çek Milos Zeman apo atij slovak Robert Fico, si politikanë që sulmojnë median dhe krijojnë një “klimë armiqësore kundër gazetarëve”. Por kjo nuk e ndaloi Ramën të vijojë sulmet ndaj mediave kritike ku një përshkallëzim u shënua në krahasim me një vit më parë.

Në tetor, Rama nisi një fushatë tjetër dukshëm diskretituese dhe dizinformuese ndaj medias online përmes një statusi në Twitter, në të cilën deklaroi se portalet duhet të “legalizohen” ose do të mbyllen, duke sugjeruar nga njëra anë se media online është e paligjshme dhe nga ana tjetër se ajo është evazore fiskale. Por ndërsa kërcënimi i Ramës për t’u regjistruar brenda tre ditësh kaloi pa pasoja, më 15 tetor, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare vijoi fushatën sulmuese ndaj medias duke renditur një listë me 44 faqe interneti (mes të cilave edhe reporter.al) në një deklaratë për shtyp e cila sugjeronte se faqet e internetit bënin aktivitet të paligjshëm dhe pa taksa dhe duke kërcënuar me mbyllje “brenda 72 orësh”.

Shumica e faqeve të renditura në “listën e zezë” të AKEP reaguan duke denoncuar si të pavërtetë presupozimin se këto media ishin të paregjistruara në taksa, ndërsa organizatat ndërkombëtare, përfshirë OSBE dhe Reporterë pa Kufi, kritikuan ngjarjen si një kërcënim për censurë.

Në një seri komentesh në Twitter, Reporterë pa Kufi kritikoi aktivitetin e Ramës dhe AKEP.

“RFS dënon një vendim të qeverisë shqiptare që detyron disa media online të regjistrohen në një institucion publik brenda tre ditësh ose në të kundërtën mbyllen,” deklaroi organizata.

“Supozohet se kjo masë synon të godasë shpifjen online por kjo iniciativë nga kryeministri @ediramaal kërcënon lirinë e medias dhe faqet e pavarura të internetit të cilat shpesh ofrojnë raportim investigativ mbi korrupsionin dhe bashkëpunimin e qeverisë shqiptare me krimin e organizuar,” shtoi RFS.

Në dhjetor, qeveria prezantoi dy projekligje të reja gjithashtu të kritikuara si tentativë për censurë./ reporter.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne