Bota

Nobelistja Tawakkol Karman: Mjaft, jepini fund luftës në Jemen!

Aktivistja jemenase Tawakkol Karman, laureate e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2011, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në vendin e saj.

Përmes artikullit të saj me titullin “Mjaft, jepini fund luftës në Jemen!”, publikuar në gazetën amerikane “The Washington Post”, Tawakkol Karman ka renditur një sërë kritikash ndaj Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit për luftën me prokurë në Jemen.

Sipas nobelistes jemenase, Arabia Saudite fajëson të tjerët për krimet e saj.

“Vrasja e Jamal Khashoggit duhet të zgjojë të paktën një vetëdije globale për të risjellë në vëmendje ato çfarë bën regjimi i Arabisë Saudite në vendin tim dhe luftën e harruar”, ka vlerësuar ajo.

Duke tërhequr vëmendjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera duhet të ndërpresin shitjen e armëve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për t’i dhënë fund luftës në Jemen, Karman vuri në pah se Organizata e Kombeve të Bashkuara gjithashtu duhet të ndërmarrë një fushatë politike për të mundësuar lënien e armëve nga të gjitha palët jemenase, përfshi këtu edhe Huthitët.

“Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të paguajnë për dëmet që i kanë shkaktuar Jemenit, pasi këto janë vendet përgjegjëse për tragjedinë në Jemen. Huthitët po ashtu duhet t’u japin fund qëndrimeve dhe akteve të tyre shkatërrimtare. S’duhet të lejohet që ata të marrin armë nga Irani. Huthitët radikalë po mbajnë qëndrime shumë të ashpra ndaj vlerave shoqërore dhe po bëjnë shkelje të shumta të të drejtave të njeriut”, ka shkruar ajo mes të tjerash për të përditshmen “The Washington Post”.

Fondacioni humanitar britanik, “Save the Children”, theksoi të mërkurën përmes një raporti se të paktën 84 mijë e 700 fëmijë mund të kenë humbur jetën në Jemen për shkak të kequshqyerjes akute nga muaji prill 2015 deri në tetor 2018.

OPINIONE