Normalizim i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, Stoltenberg: NATO po shqyrton shtimin e përhershëm të trupave në Kosovë dhe rajon

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën në Prishtinë se aleanca po shqyrton një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Ballkanin Perëndimor për të mbajtur tensionet nën kontroll. NATO-ja vendosi një mijë trupa shtesë në Kosovë pas 24 shtatorit kur një pjesëtar i policisë së Kosovës u vra në një fshat në veriun e vendit gjatë një sulmi nga një grup i armatosur serbësh.

Sekretari Stoltenberg tha se ky ishte shtimi më i madh i trupave në vitet e fundit dhe kjo dëshmon sa seriozisht e trajton aleanca dhunën e 24 shtatorit. “Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë”, tha sekretari Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

 

 

Ai tha se përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit duhet të përballen me drejtësinë, sikurse edhe autorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it me 29 maj në veri të Kosovës. Këtë mesazh, tha ai, do ta transmetojë edhe gjatë vizitës të martën në Beograd. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Por, Beogradi mohon çfarëdo lidhjeje me sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, theksoi se palët duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës.

“NATO-ja e mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të ishte një hap thelbësor drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha ai, duke nënvizuar se NATO-ja ka një histori në këtë pjesë të Evropës që nga vitet 90-ta dhe ka investuar shumë në qëndrueshmërinë dhe paqe në këtë rajon.

“Ne me të vërtetë po investojmë në sigurinë në këtë rajon sepse siguria për këta njerëz në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha sekretari Stoltenberg.

Vizita e zotit Stoltenberg ndodh në një periudhë të shqetësimeve të shtuara perëndimore rreth ndikimit rus në rajon. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si e vetmja mënyrë për të siguruar paqe e qëndrueshmëri, ndërsa nënvizoi se është në interesin e Rusisë që të hap një front të ri të luftës me perëndimin.

“Natyrisht që këtë front dëshiron ta hap në pjesë të Evropës të cilat akoma nuk janë pjesë e NATO-s prandaj kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin e vendit tonë në NATO në mënyrë që të parandalohen sulme të tilla apo edhe influencë e tillë malinje në rajonin tonë që faktikisht është pjesë e kontinentit evropian. Natyrisht që shqetësimet ekzistojnë që mund të përsëriten sulme të tilla, të gjitha informatat që vijnë nga institucionet tona të sigurisë dëshmojnë që Serbia nëpërmjet këtyre strukturave ilegale, paramilitare, terroriste vazhdon të bëj organizime të reja, pra është e domosdoshme që bashkëpunimi mes nesh dhe NATO-s të jetë gjithnjë koordinim i plotë, gjithnjë koordinim në rritje”, tha presidentja Osmani.

Në prag të vizitës së sekretarit Stoltenberg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e Bashkimit Evropian për ta shpërqendruar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve të saj.

“Vizita e sekretarit Jens Stoltenberg në Kosovë tregon përkushtimin e vendosur të NATO-s për sigurinë tonë. Me Bashkimin Evropian që e ka shpalosur zyrtarisht qëllimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE dhe integrimi në NATO”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter.

Serbia është vend kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër saj për shkak të agresionit në Ukrainë. Ajo gëzon mbështetjen e Moskës në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Muajin e kaluar udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane i kërkuan Prishtinës t’u jap më shumë autonomi serbëve të Kosovës, ndërsa Beogradit të njohë de fakto pavarësinë e saj, si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne