Norvegji – Soreide: Qeveria dhe opozita venezuelase kanë tendencë për të vijuar negociatat

“Në bisedimet ndërmjet qeverisë së drejtuar nga Presidenti Nicolas Maduro dhe përfaqësuesve të opozitës është shënuar progres. Palët kanë tendencë për të vijuar negociatat”, deklaroi ministrja norvegjeze e Punëve të Jashtme, Ine Eriksen Soreide, një ditë pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve.

“Palët demonstruan vullnetin e tyre për të vazhduar kërkimin e zgjidhjes kushtetuese mbi të cilën do të pajtohen, për çështjet politiko-ekonomike dhe zgjedhjet”, shtoi ajo.

Soreide paralajmëroi palët që të bëjnë kujdesin maksimal në prononcimet e tyre për median, në mënyrë që të ruhet integriteti i procesit dhe të arrihet rezultat.

Nga ana tjetër, ekzistenca e këtyre bisedimeve u konfirmua edhe nga Presidenti Maduro gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionin shtetëror të Venezuelës.

“Unë krenohem me përpjekjet e delegacionit tonë në Norvegji. Jam krenar për dialogun konstruktiv që po realizojmë me opozitën venezuelase”, tha ai.

Në një prononcim pas negociatave, opozitarët u shprehën gjithashtu të gatshëm për të bashkëpunuar me Norvegjinë për gjetjen e zgjidhjes, pavarësisht se në bisedime nuk është arritur ende një marrëveshje.

Venezuela po përballet që nga 10 janari i këtij viti me protesta, të cilat nisën kur Presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pasi fitoi zgjedhjet e bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan më tej më 23 janar, kur Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës, një veprim që u mbështet fillimisht nga SHBA-ja dhe më pas nga shumë vende evropiane e amerikanojugore.

Kurse Turqia, Meksika, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia konfirmuan mbështetjen e tyre për Presidentin Maduro./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne