Nuk i lanë të protestojnë/ Këta janë pesë mjekët që do takojnë Edi Ramën

Pasi erdhi reagimi zyrtar nga Kryeministria, ku kjo e fundit kërkonte të ulej në një tryezë me një përfaqësi të mjekëve që do të protestonin nesër në QSUT, zbulohen emrat nga bluzat e bardha që do të prijnë këtë takim.

Mësohet se është caktuar një grup me pesë mjekë që do të shkojnë në takim nesër me përfaqësues të zyrës së bashkëqeverisjes dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në ambientet e qendrës për hapje dhe dialog (COD) në Kryeministri, i cili është parashikuar të nis në orën 09:30. Bëhet fjalë për mjekët Gentian Stroni, Altin Kuqo, Fatos Olldashi, Arjan Harxhi si dhe Arjan Mezini.

Në këtë takim do të diskutohen katër kërkesat e sindikatës së mjekëve. Kujtojmë se mjekët bënë një kërkesë në polici për të zhvilluar nesër tubimin e tyre në oborrin e QSUT. Ndërkohë që nga policia erdhi një përgjigje negative për ta, pasi në kushtet e pandemisë nuk mund të mbaheshin protesta.

Kërkesat e mjekëve:

-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm

-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne