“Nuk këtë luftë vendos strategjia e masave jo numri i ushtarëve”, Rama: Mbështetja për 123 mijë familje, për të mos dalë kokulur në fund

“Në këtë luftë nuk qenka puna sa bukë dhe sa para ke por si lufton dhe sa reziston. Në një luftë si kjo vendos strategjia e masave jo numri i ushtarëve. Vendos koha kur masat merren jo lloji i tyre që është njësoj për të gjithë”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve sot ku tha se 123 mijë familje shqiptare do të marrin dyfishin e ndihmës ekonomike për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Rama tha se këto familje nuk po ndihmohen as se mund të vdesin për bukë dhe as nga frika se mund të dalin në rrugë por për të mos dalë kokëulur nga kjo luftë.

“Vendos fuqia e solidarizimit të qytetarëve me shtetin që në këtë luftë duhet të jenë si një familje e vetme ku secili vepron në unitet me rregullin e përbashkët. Dhe prandaj ndër të tjera, në këtë luftë familjare shqiptare, si një shtet, një popull, një qeveri të bërë një trup i vetëm, 123 mijë familje më në hall se të tjerat të këtij vendi duhen ndihmuar jo vetëm me ligj por dhe me zakon. Nuk vdes njeriu edhe po të rri pa ngrënë 20 ditë, edhe po të rri mbyllur pa parë njeri tjetër me sy 20 vjet por mbështetja e veçantë për këto 123 mijë familje nuk është as nga halli se do vdesin për bukë dhe as nga frika se do dalin rrugëve për të mos vdekur, por nga nevoja po aq jetike e kësaj lufte që ata të mos ndihen të veçuar, të braktisur, të vetmuar për ta bërë këtë luftë si gjithë të tjerët deri në fund brenda familjes së madhe të bashkuar shqiptare. Vetëm kështu nuk do dalim kokulur nga kjo luftë por do të bëhemi më të mirë dhe do të jemi më të fortë si popull dhe si shtet kur pas çlirimit të rifillojë jeta normale në Shqipërinë që do të fillojë të negociojë me BE-në anëtarësimin e saj të shumë ëndërruar në familjen e madhe të popujve të Europës së bashkuar. Zoti i shqiptarëve është i madh, ju bekoftë të gjithëve”, deklaroi Rama./BalkanWeb)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne