OBI, thirrje komunitetit ndërkombëtar për të penguar aneksimin e territoreve palestineze nga Izraeli

“Çdo veprim i njëanshëm i Izraelit për të aneksuar territoret arabe nuk do t’i shërbente procesit të paqes dhe do të kundërshtonte rezolutat ndërkombëtarisht detyruese”, theksoi Sekretariati i Përgjithshëm i OBI-t në një komunikatë të shkruar.

Më tej, OBI u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, sidomos Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të ndërmarrin masa praktike dhe urgjente për të parandaluar aneksimin kolonial të mëtejshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

“Një zgjidhje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për çështjen palestineze, në atë mënyrë që të sjellë siguri dhe paqe në rajonin e Lindjes së Mesme, mund të arrihet vetëm përmes Iniciativës Arabe për Paqen, e cila bazohet në zgjidhjen me dy shtete të konfliktit duke favorizuar themelimin e shtetit të pavarur të Palestinës me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe duke respektuar rezolutat ndërkombëtarisht detyruese”, thuhet në fund të komunikatës së OBI-t.

Nga ana tjetër, Rusia paralajmëroi të premten se plani i Izraelit për të aneksuar Bregun Perëndimor mund të shkaktojë një spirale të rrezikshme dhune në Palestinë.

Plani në fjalë vjen si pjesë e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e cila u njoftua më 28 janar të këtij viti. Ajo i referohet Jerusalemit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Luginës së Jordanit.

Ky plan përcakton krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.

Zyrtarët palestinezë, të cilët kanë kërcënuar se do të shfuqizojnë të gjitha marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai procedon me aneksimin që do të dëmtojë zgjidhjen me dy shtete, thonë se në bazë të planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30-40% të Bregut Perëndimor duke përfshirë këtu të gjithë Jerusalemin Lindor.

Siç deklaroi Kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë betimit në Parlament më 17 maj, Izraeli pritet të kryejë aneksimin më 1 korrik, pasi ky ishte edhe akordi për koalicionin qeverisës ndërmjet Netanyahut dhe kreut të Aleancës “Blu e Bardhë”, Benny Gantz./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne