OHCHR: Jemeni po kacafytet me krizën humanitare më të madhe në botë

“Kriza humanitare më e madhe në botë po përjetohet në Jemen…”

Zëvendëskomisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Kate Gilmore, deklaroi të enjten gjatë një fjalimi drejtuar përfaqësuesve të vendeve anëtare në sesionin 36. të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, i cili vazhdon punimet në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, se situata humanitare në Jemen është përkeqësuar gjithnjë e më shumë gjatë 3 viteve të fundit dhe luftimet kanë shkaktuar efekte shkatërruese mbi popullsinë e këtij vendi.

“Kriza humanitare më e madhe në botë po përjetohet në Jemen”, tha Kate Gilmore duke tërhequr vëmendjen se popullsia totale e vendit në fjalë është 27,4 milionë banorë dhe 18,8 milionë prej tyre kanë nevojë për ndihma humanitare.

“Në mesin e civilëve, 10,3 milionë jemenas kanë nevojë shumë urgjente për ndihma humanitare, ndërsa 7,3 milionë jetojnë në kufirin e urisë”, shtoi ajo.

Gilmore tërhoqi vëmendjen se Zyra e OHCHR-së në Jemen ka konstatuar dhe dokumentuar se mbi 5 mijë civilë kanë humbur jetën dhe rreth 9 mijë të tjerë janë plagosur në luftimet, të cilat kanë shpërthyer në këtë vend që prej muaji prill 2014 e deri më sot.

“Mendojmë që numri i viktimave civile është shumë herë më i lartë sesa ai i dokumentuar, ndërkohë që mbi 3 milionë njerëz në Jemen janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre”, theksoi zv/komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Ajo nënvizoi se katastrofa në Jemen është “vepër e njeriut” dhe se populli po varfërohet gjithnjë e më shumë duke bërë që situata humanitare në vend të përkeqësohet dita-ditës.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), që prej shfaqjes së epidemisë së kolerës më 27 prill e këtej, në shkallë vendi janë regjistruar 704 mijë e 544 raste të dyshuara dhe 2 mijë e 103 vdekje për shkak të epidemisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne