Bota

OKB-ja akuzon SHBA-në dhe SDF-në për “shkeljen e të drejtave të njeriut” në Siri

Hetuesit e OKB-së akuzuan të martën Forcat Demokratike Siriane (SDF), kamuflazh i organizatës separatiste terroriste PKK/PYD, si dhe forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe sulmet ndaj civilëve në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Një raport i lëshuar nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Hetimet në Siri paraqet një kronikë të shkeljeve, që janë kryer në mes të korrikut 2017 dhe janarit 2018, bazuar në 513 intervista me viktima të mbijetuar dhe dëshmitarë të luftës në Siri.

Sipas raportit, edhe pse sulmet për të mposhtur DAESH-in në qytetet e Raqqa dhe Deir ez-Zor duket të kenë “çrrënjosur me sukses” grupin terrorist, betejat “kanë faturuar një kosto jashtëzakonisht të lartë për civilët”.

“Edhe përpara se të niste fushata për të marrë qytetin Raqqa, koalicioni ndërkombëtar dështoi të marrë të gjitha masat e mundshme/nevojshme për të mbrojtur civilët dhe objektet civile, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare, kur ai nisi një sulm ajror në Al-Mansoura me pasojë vdekjen e të paktën 150 personave të zhvendosur brenda vendit, përfshirë gra dhe fëmijët”, thuhet në raportin e OKB-së.

Komisioni i OKB-së për Hetimet në Siri thekson se banorët e bllokuar të Raqqas më pas janë përdorur nga DAESH-i si mburojë njerëzore.

Sa u përket shkeljeve të SDF-së në vend, raporti zbuloi se ajo po internon rreth 80.000 persona të zhvendosur brenda vendit për t’i hetuar për lidhje të mundshme me DAESH-in.

Raporti në fjalë nënvizon se shkeljet e SDF-së përfshijnë gjithashtu rekrutime të detyruara me forcë duke përfshirë edhe fëmijë.

“Gjetiu anembanë Sirisë, vendet e adhurimit, qendrat e mbrojtjes civile, shtëpitë, objektet mjekësore, tregjet, furrat e bukës dhe shkollat vazhdojnë të sulmohen pa u ndëshkuar nga palët ndërluftuese”, shtohet në raport.

Më tej theksohet se forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë kryer më shumë se 150 sulme ajrore dhe se në këto sulme janë dëmtuar civilët.

Në raport potencohet veçanërisht sulmi i kryer nga forcat ajrore më 21 mars të vitit të kaluar në një shkollë në Raqqa, ku u vranë mbi 150 civilë.

Pasi rikujton se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja kishte deklaruar që në shënjestër të sulmit ka qenë ndërtesa e përdorur si bazë nga të paktën 30 terroristë, Komisioni i OKB-së për Hetimet në Siri raporton se në fakt kjo ishte një shkollë, ku strehoheshin mbi 200 civilë të zhvendosur.

“Të 12 personat e mbijetuar nga ky sulm dhe të hetuar me kujdes dëshmuan se ishin strehuar në këtë shkollë që nga viti 2012 dhe se terroristët nuk e kanë përdorur asnjëherë këtë objekt”, theksohet në raport.

Ai gjithashtu bën të ditur se organizata terroriste PYD/PKK, e cila paraqitet si e ashtuquajtura Forcat Demokratike Siriane, detyron me forcë të rriturit dhe të miturit që të luftojnë, arreston gazetarët dhe aktivistët, si dhe keqtrajton kryengritësit dhe terroristët e kapur të DAESH-it.

Sipas këtij raporti të OKB-së, kryengritësit e arrestuar dhe familjarët e pjesëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane janë po ashtu viktima të abuzimeve të ndryshme, që terroristët e PYD/PKK-së ushtrojnë ndaj tyre duke përfshirë edhe konfiskimin e ilaçeve nga të sëmurët kronikë./ TRT

OPINIONE