Shqiperia

Shqipëri – Biznesi turk njihet me ndryshimet rrënjësore në sistemin doganor

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë, në kuadër të nismës së qeverisë për të krijuar një klimë sa më të favorshme për biznesin vendas dhe të huaj, çdo ditë e më tepër po forcon bashkëpunimin me sipërmarrjen.

Këtij objektivi i shërbeu edhe takimi i zhvilluar mes përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Turke (ATTSO) dhe drejtuesve të lartë të administratës doganore.

Zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Doganave, Mirela Meko dhe drejtori i Procedurave Doganore, Saimir Sinani, i njohën sipërmarrësit turq me një sërë procedurash doganore të përmirësuara dhe disa risi në sistemin doganor shqiptar.

Sipas Mekos, janë kryer ndryshime rrënjësore në sistemin e vlerësimit doganor, por edhe në lehtësimin e shumë procedurave pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Doganor.

“Takimet ballë për ballë me biznesin janë shumë frytdhënëse dhe kanë një efektivitet më të madh për të dyja palët”, theksoi Meko gjatë këtij takimi.

Ajo ftoi biznesin turk që zhvillon aktivitet ekonomik në Shqipëri të jetë pjesë e trajnimeve që administrata doganore ofron për sipërmarrjen, sidomos për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO).

Përfaqësuesit e ATTSO-së vlerësuan progresin e bërë nga ana procedurale në administratën doganore, si dhe klimën që është krijuar tashmë mes kësaj administrate dhe biznesit.

Kreu i bordit të ATTSO-së, Seyhan Pencapligil, kërkoi më tepër njohje me procedurat për mallra specifike që importohen nga ky vend, çmimet e references dhe tarifat doganore. /ATSH