OKB-ja e shqetësuar nga vendimi i Izraelit për të rrënuar fshatin palestinez Han Al-Ahmer

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shprehu shqetësimin e thellë nga vendimi i Izraelit për të rrënuar fshatin nomad Han Al-Ahmer, i cili ndodhet në pjesën e kundërt të murit ndarës të ngritur në rrethin e Jerusalemit të pushtuar Lindor.

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Liz Throssell, gjatë konferencës për shtyp të organizuar në zyrën e OKB-së në Gjenevë deklaroi se “Ndjejmë shqetësim të thellë nga vendimi i autoriteteve izraelite për të rrënuar fshatin Han Al-Ahmer-Ebu Al-Helul të komunitetit nomadë palestinezë”.

Zëdhënësja Throssell gjithashtu shtoi se në fshat jetojnë mbi 181 persona, shumica e të cilëve janë fëmijë.

Throssell kërkoi që të mos vihet në zbatim vendimi i gjykatës izraelite, të respektohet e drejta e fshatarëve për të mbetur në trojet e tyre dhe të rregullohet statusi i tyre, ndërsa bëri të ditur se “Përveç kësaj, ligji humanitar ndërkombëtar ndalon shkatërrimin apo uzurpimin me dhunë të pronës private nga forcat okupatore”.

Gjykata e Lartë e Izraelit më 24 maj kishte marrë vendim për rrënimin e shtëpive të nomadëve palestinezë në fshatin Han Al-Ahmer, i cili ndodhet në pjesën e kundërt të murit ndarës, të ngritur në rrethin e Jerusalemit të pushtuar Lindor.

Fshati në fjalë është i përfshirë në kuadrin e projektit izraelit E1, me anë të të cilit parashikohet dëbimi i palestinezëve nga një zonë afërsisht 12 mijë hektarë, e që shtrihet nga Jerusalemi Lindor e deri në Detin e Vdekur.

Në rrethin e fshatit Han Al-Ahmer, i cili është njëri prej 46 fshatrave nomade që numërojnë gjithsej 3 mijë banorë, ndodhen vendbanimet hebreje.

Në këtë fshat, për të cilin Gjykata e Lartë e Izraelit ka marrë vendim për rrënim, jetojnë nën kërcënim afërsisht 190 palestinezë të strehuar nëpër baraka dhe në shtëpitë parafabrikat të ngritura me mbështetjen e vendeve evropiane./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne