Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Palestinën e okupuar i kërkoi të martën Izraelit që të veprojë sipas ligjit ndërkombëtar dhe standardeve ndërkombëtare të burgimit.
Në një deklaratë me shkrim, Michael Lynk, raportuesi special i OKB-së mbi situatën e të drejtave të njeriut në Territorin e pushtuar Palestinez, kërkoi kujdes shëndetësor më të mirë dhe më të arritshëm, vizita familjare të pakufizuara dhe dhënien fund të izolimit dhe ndalimit administrativ për grevistët palestinezë të urisë.
Greva e vazhdueshme e urisë e organizuar nga rreth 1,000 palestinezë në burgjet izraelite hyri këtë javë në muajin e dytë.
“Të burgosurit kudo kanë të drejtë të angazhohen në greva urie për të protestuar ndaj kushteve të tyre të jetesës, dhe nuk duhet të ndëshkohen si rezultat”, tha deklarata e Lynk.
“Më vjen keq që nuk kam mundësi ta vizitoj Territorin Palestinez të okupuar dhe të flas ballë për ballë me viktimat dhe dëshmitarët e shkeljeve të pohuara të Izraelit ndaj të drejtave ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut”.
Për shumë të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael, jo në territorin e okupuar palestinez, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare, ai shtoi: “Këto transferime krijojnë barriera të dukshme për familjet e të burgosurve që dëshirojnë t’i vizitojnë për shkak të vështirësive për marrjen e lejeve për të hyrë në Izrael, dhe familjet duhet të ndërmarrin shpesh udhëtime të vështira për të takuar të afërmit e tyre”.
Sipas një raporti nga fondacionet, përfshirë Shoqërinë Palestineze të të Burgosurve, rreth 7,000 palestinezë – përfshirë 57 gra dhe 300 fëmijë – aktualisht janë të burgosur në burgjet izraelite. / © Gazeta Impakt