OKB: Më shumë se 200 punëtorë humanitarë të vrarë në Gaza

Përgjegjësja e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Yasmina Guerda deklaroi se më shumë se 200 punonjës të ndihmës humanitare janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023 dhe se enklava nuk është zonë e sigurt për askënd, transmeton Anadolu.

Guerda ndau me përfaqësuesit e mediave atë që ajo dëshmoi pas detyrës së saj 3-mujore në Gaza, e cila ishte nën sulme intensive nga Izraeli.

“Situata në Gaza është aq e keqe sa nuk mund të matet me numra. Shumë njerëz janë zhvendosur dhe banorët e Gazës nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre për ushqim, strehim, shëndet dhe nevoja të tjera”, tha Guerda.

“Në Gaza, kam dëgjuar dhe parë histori të dorës së parë që do të më ndjekin për pjesën tjetër të jetës sime”, tha ajo. Duke tërhequr vëmendjen për vështirësitë e hasura në dërgimin e ndihmave humanitare për personat në nevojë, Guerda shtoi se ata janë mbajtur në pritje për orë të tëra në postblloqe dhe kjo ka shkaktuar vështirësi në koordinim.

Guerda thekson se në Gaza nuk ka mbetur as një centimetër i sigurt. “Më shumë se 200 punonjës të ndihmës humanitare janë vrarë që nga 7 tetori 2023. Nuk ka zonë të sigurt për askënd në Gaza”, u shpreh ajo. “Të moshuarit, invalidët, gratë dhe fëmijët paguajnë çmimin më të lartë në Gaza. Banorët e Gazës kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, tha përgjegjësja e Zyrës së OKB-së./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne