OKB: Sulmi në Saada të Jemenit është “i tmerrshëm dhe i pajustifikuar”

Sulmi ajror i kryer nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët në Jemen, i cili la të vrarë të paktën dymbëdhjetë civilë, përfshirë fëmijë, është “i tmerrshëm dhe i pajustifikuar”, sipas një organi të OKB-së.

Raportet fillestare në terren tregojnë se të paktën 12 civilë, duke përfshirë katër fëmijë, u vranë në sulmet ndaj një automjeti në rrethin Saada në provincën veriore jemenase Saada të hënën, tha Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një deklaratë me shkrim.

“Ne ndajmë ngushëllimet tona më të thella me familjet dhe të dashurit e atyre që kanë humbur jetën në këtë sulm të tmerrshëm dhe të pajustifikuar”, tha Lise Grande, koordinatorja humanitare për Jemenin.

Grande kujtoi gjithashtu se luftimet kanë vazhduar në vend pavarësisht thirrjes së shefit të OKB-së në fund të marsit për një armëpushim global për shkak të shpërthimit të COVID-19.

“Më shumë se 800 viktima civile janë raportuar në Jemen si rezultat i luftimeve që nga janari dhe disa incidente që përfshijnë viktima të shumta civile janë raportuar që nga fundi i majit”, tha ajo.

Jemeni duket “i pashpresë për paqen”, tha Grande, duke shtuar se agjencive humanitare po u mbarojnë paratë ndërsa pandemia vazhdon të përhapet.

“Miliona njerëz që varen nga ndihmat ushqimore dhe shërbimet shëndetësore që ne ofrojmë për të luftuar kolerën dhe malarien, tani varen në një fije. Ka vetëm një përgjigje – lufta duhet të ndalet. Jemeni mbetet kriza më e keqe humanitare. Pothuajse 80 për qind të popullatës kërkon një formë të ndihmës dhe mbrojtjes humanitare”, theksoi Grande.

Jemeni është zhytur në një dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët filloi fushatën shkatërrimtare ajrore që synonte të parandalonte shtrirjen territoriale të Huthive.

Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt, i cili ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare në botë pasi miliona njerëz mbeten në rrezik të urisë.

Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në gjithë botën. Aktualisht SHBA-të, Brazili dhe Rusia janë vendet më të goditura./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne