Observatori Kundër Islamofobisë (OKKI)
Observatori Kundër Islamofobisë (OKKI) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me qarkullimin kohët e fundit në rrjetet sociale të përmbajtjeve që përmbajnë thirrje eksplicite për dhunë, mos durim fetar dhe cenim të rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.
Normalizimi i gjuhës që bën thirrje për “zhdukje” dhe “pastrim” fetar përbën një akt të hapur të ekstremizmit të dhunshëm që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë dhe harmoninë tonë kombëtare. Përdorimi i një retorike të tillë, e cila dehumanizon besimtarët dhe nxit sulme mbi objektet e kultit (xhamitë), synon të shkatërrojë indin e brishtë social të Kosovës duke instaluar frikën dhe përçarjen si mjete politike. Historia na ka mësuar se kur thirrjet për asgjësimin e tjetrit injorohen, ato shndërrohen në veprime tragjike; prandaj, heshtja përballë kësaj islamofobie agresive është bashkëfajësi në rrezikimin e paqes sonë të përbashkët.
Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mburojë për terrorin informativ dhe nxitjen e krimit të urrejtjes. Është detyrë qytetare dhe institucionale që kjo gjuhë e rrezikshme të denoncohet menjëherë te organet e rendit dhe të izolohet nga hapësira jonë publike. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të sigurisë dhe prokurorisë që të veprojnë me vendosmëri sipas kodit penal, ndërsa qytetarëve që të refuzojnë këtë narrativë radikale që nuk përfaqëson vlerat e popullit shqiptar. Mbrojtja e tjetrit, pavarësisht besimit, është mbrojtja e vetë shtetit dhe e ardhmërisë sonë demokratike.
/fb

















