OPERACIONI I ANTANTËS PËR SHPËTIMIN E SERBËVE DHE ROLI I ESAD PASHË TOPTANIT

Xhafer Sadiku
Në gusht 1914, Alfred Rothshild ndikoi në prishjen e aleancës tridhjetë vjeçare të Italisë me Austro-Hungarinë dhe kalimin e Italisë në radhët e shteteve të Antantës. Po ato ditë, filloi lufta midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë.
Një vit më vonë, më 2 gusht 1915, Gjermania e Austro-Hungaria filluan luftën kundër Francës e Rusisë dhe atëherë lufta e Austro-Hungarisë kundër Serbisë bëhej kështu një episod dytësor. Ende nuk ishin përfshirë Italia dhe Anglia, ndërsa Gjermania kishte siguruar në mënyre sekrete ndihmën e Turqisë në momentin e duhur.
Kur skalionet e para franceze të dërguara në mënyrë të papritur zbarkuan në Selanik, një ushtri e përbashkët bullgaro-austro-gjermane sulmoi nga të tre anët Serbinë. Ditët e para të tetorit, austriakët kaluan Drinën dhe gjermanët të komanduar nga gjenerali Makesen kaluan Danubin, atëherë ushtrisë serbe nuk i mbetej rrugë tjetër veçse të tërhiqej. Pa deklaruar akoma formalisht luftën, bullgarët, më 11 tetor, sulmuan serbët dhe u prenë të vetmen rrugë tërheqje, hekurudhën Nish-Velezh-Selanik.
Ushtria serbe bëri një rezistencë të shkurtër dhe të ashpër, por humbi shumë njerëz, material dhe terren. Tërheqja nuk mund të bëhej drejt Selanikut, pasi në fillim të nëntorit bullgarët ishin në Nish e në Shkup.
Për të shpëtuar serbët, zbarkuan në Selanik disa divizione franceze e angleze që tentuan të ngjiteshin luginës së Vardarit, por nuk arritën më lart se në Krivolak ku u përballën dhe u thyen nga repartet e ushtrisë bullgare. Serbët nuk kishin veçse një rrugë kalimi: të tërhiqeshjn drejt Shqipërisë, nëpërmjet maleve të larta.
Filloi kështu për ta një kalvar i vërtetë: mbreti Pjetër, plak e i sëmurë, u vendos në një qerre të tërhequr nga qe. Qeveria, shtatmadhoria, trupat dhe një numër i madh civilësh me gra e fëmijë, murgj e priftërinj që merrnin me vete eshtrat e mbretit Stefani I, mbeturinat e një populli të tërë që kalonte përmes maleve të egra, në mes të dimrit, pa armë të tjera, përveç pushkëve, pa ushqim dhe në mes të një popullsiw shqiptare që nuk i kish harruar mizoritë serbe të një viti më parë. Turma, me të cilën udhëtonte kolera, tuberkulozi, tifua, dizanteria po derdhej drejt porteve të Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës. Gjendja në Shqipëri ishte alarmante dhe rreziku i epidemive kërcënonte popullsinë e saj.
Për të tërhequr ushtrinë serbe zbarkuan në brigjet shqiptare 584 anije të flotës luftarake detare të Italisë, 340 anije franceze dhe 235 angleze, që u ankoruan në Vlorë, Durrës e Shëngjin.
Në Shqipëri, në fund të vitit 1915 e në muajt e parë të 1916-ës, punuan bashkë dhjetëra mijëra italianë dhe disa mijëra francezë. Gjatë zhvillimit të operacionit të shpëtimit u mbytën 11 anije dhe 8 piroskafë.
Përmasat e tragjedisë serbe përshkruhen në shumë raporte të kohës. “Në Vlorë zbritën me shumë të vdekur se të gjallë, – shkruante në relacionin e 14 shkurtit 1916 Duka i Ambruzos, kryekomandant i flotës detare italiane (…). Të gjithë këta njerëz tek deti shikonin shpëtimin. E mbi det qëndronte Italia me aleatët.
Gjatë dy muajve, marina italiane twrhoqi për në Brindizi e Korfuz 260895 njerëz dhe 10158 kuaj. Ndihmë të konsiderueshme në operacionin e atyre përmasave dha qeveria e Esad Pashë Toptanit.
Për rolin e Esad Toptanit në shpetimin e serbëve, korrespodenti i luftës, Henry Barby, në librin “Epopeja serbe, agonia e një populli”, shkruan:
“Vetëm Esadit ne të gjithë, Serbë, Francezë, Englez, Rusë e të painkuadrum, antarë të misioneve ushtarake ose të Kryqit të Kuq i kemi borxh shpëtimin prej Austro-Gjermanëve e Bullgarëve. Atij e vetëm atij i kemi borxh na e mija ushtarë pa armë kalumjen në njw qetësi relative të Shqipnisë egër, Shqipnisë pakalueshme, Shqipnise anmike e të huajve shekuj me radhë”.
Mbreti Pjetër, ditën që u largua nga Viora, do të deklaronte se populli serb nuk do ta harronte kurrë ndihmën e shqiptareve dhe të Esad Pashë Toptanit.
Ushtria e Austro-Hungarisë me 23 shkurt 1916 hyri në Shkodër dhe pas katër ditesh arriti në Durrës). Me të u bashkuan rreth tetë mijë shqiptarw nga zonat e Veriut, kryesisht nga Mati, Malësia dhe Mirdita dhe arritën deri në anën e djathte të lumit Seman.
Pasojat e tërheqjes së qindra mijëra njerëzve (dhe mijëra kuajve nëpër Shqipëri ranë edhe mbi shqiptarwt që pësuan humbje të mëdha. Të mbjellat u shkatërruan, ndërsa gjatë pranverës dhe verës së vitit 1916, mijëra njerëz vdiqën nga sëmundjet dhe uria.
Në fund të shkurtit 1916, Esad Pasha u largua nga Shqipëria dhe si aleat i Antantës, trupat e tij morën pjesë në luftime në frontin e Lindjes. Rol të rëndësishëm luajtën në çlirimin e Pogradecit, kur se bashku me trupat franceze i shtynë bullgarët përtej kufirit dhe i detyruan të kërkonin armëpushim.
Trimëria e shqiptarëve ishte mbresëlënëse, aq sa oficeri shqiptar, Tosuni, u dekorua me dekoratat më të larta franceze, përfshirë edhe atë të Legjionit të Nderit.
Esad Pashë Toptani u dekorua nga shtetet fitimtare të Antantës me dekoratat më të larta. Kështu, Anglia e dekoroi me “Urdhrin e Shën Gjergjit”, Franca me “Oficer i Urdhrit të Legjionit të Nderit”, ndërsa Italia me “Kryqin e Madh të Shën Mërisë.
Deri atëherë, ai ishte shqiptari me i vlerësuar dhe më i dekoruar nga të huajt.
____________
Marrë nga: Xhafer Sadiku “Shqipëria 1878- 1928; Roli i elites politike”
Shkrimi mund te shpwrndahet, por te mos i ndryshohet permbajtja pasi eshte bazuar ne dokumente arkivore.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne