Ore djali po të vjedh, Shkëlzeni bën biznes në Gërdec!”/ Mero Baze tregon pse u “prish” me Berishën: E kishte problem po ti tregoje se fëmijët e tij vjedhin!

Mero Baze ka dhënë një intervsitë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli edhe për marrëdhënien e tij me Sali Berishën dhe arsyen pse u prish me të.

Sipas Bazes, problemi kryesor i Berishës me bashkëpunëtorët e tij, ishte nëse ata i tregonin për “bëmat” e fëmijëve të tij. Ai e përshkruan PD-në, si një parti që Berisha e vendosi në funksion të dy fëmijëve dhe interesave të tyre ekonomike.

Gazetari foli për përfshirjen e djalit të Berishës në biznesin e armëve në Gërdec dhe deklaroi se është informuar për këtë nga njerëz mjaft të afërt të familjes Berisha. Këtë informacion, Baze ia ka komunikuar Berishës dhe më pas e ka thënë edhe publikisht, akt ky që më pas solli shpalljen e tij si “armik” nga Berisha dhe e gjithë Partia Demokratike.

“Hipokrizia e tij është që donte të mos i thoshe, që fëmijët e tu bëjnë kështu. Pra ti nuk duhet të lije gjurmë përpara tij, që ti e di që djali është hajdut. Këtu e kishte problemin me mua dhe këtu vazhdojnë ta kenë. Unë i thashë, ore po të vjedh djali, e ke shumë të thjeshtë. Djali i tij drejtonte çdo gjë, çdo gjë, çdo privatizim, çdo tokë të Shqipërisë, i del emri që nga Ksamili me 30 hektarë, deri në Gjirin e Lalëzit me 300, në çdo vend, në çdo cep të Shqipërisë, toka tendera, koncesione, ankande, drejtonte të gjithë Shqipërinë. Vajza e tij kishte një studio ligjore, ku njerëzit shkonin si tek Sudja, e paguanin 5 mijë euro, sikur shkonin te Kisha e Laçit, sepse nuk i duhej gjë, vetëm të thoshin që kemi paguar edhe ne atje”, tha ndër të tjera Baze.

Pjesë nga biseda në studio:

Ylli Rakipi: Shumë njerëz thonë që Mero Baze është i obsesionuar me Sali Berishën. Ç’është lufta juaj me Berishën? Pse nisi ajo?

Mero Baze: Në fakt është luftë me veten më shumë sesa me Berishën, për shkak se unë kam qenë për një periudhë më të gjatë se kushdo tjetër afër tij, por unë e kam besuar atë në opozitë. Unë i njihja defektet e tij demokratike, nuk prisja që Berisha të bëhej një lider demokrat, të demokratizonte PD-në, por seç kisha një bindje të fortë që ky do ta luftonte korrupsionin. Ky është ai obsesioni, që nuk ia fal vetes.

Ajo që më ka bërë shumë përshtypje, kur ky u rikthye në pushtet, ishin fëmijët e tij dhe sjellja e tij hipokrite. Shqetësimi i parë që kam patur në 2006 me këtë, ishte që disa biznesmenë të mëdhenj, më kapnin dhe më thoshin, duam të rregullojmë nja dy punë edhe kam kapur këtë gocën e Berishës, por më thotë unë e bëj por mos ta marrë vesh ai Mero se ai i thotë babit dhe pastaj babi vepron dhe e prish. Njëherë mu duk qesharak ai i pari që ma tha. Pastaj më thotë tjetri për djalin, pastaj tjetri për vajzën… U bënë 4-5 që më thoshin të njëjtën fabul, ne ta bëjmë por shiko mos ta marrë vesh ai, sepse ja thotë atij…

Kur u përsërit disa herë mu desh ta testoja edhe duhet të ketë qenë fundi i korrikut të 2006, kur një njeri i afërt i familjes Berisha erdhi dhe më tregoi vetë, që i biri i tij kishte filluar të merrej me punën e armëve në Gërdec. Është njeri i familjes Berisha, një nga të afërmit, që kishte edhe vetë një interes aty dhe dukej që e kishin nxjerrë jashtë loje, ia kishte marrë kushëriri punën.

Më thotë një natë, do të takosh një të huaj që merrej me trafik armësh, atij i kanë marrë dy avionë me armë, nga Shqipëria ka shkuar në Irak me letrat e kompanisë së tij dhe ai do të dijë nëse e di qeveria këtë, apo e ka bërë dikush privatisht. Ishte një histori kështu gjysmë-paranojake por që kishte ndodhur si ngjarje.

Unë ia them Berishës dhe ai u shqetësua pa masë, thirri Fatmir Mediun. Fatmir Mediu sa më pa mua tha, po ky ka qenë me filanin, CIA, FBI, CIA, FBI, brenda pesë minutash përmendi 60 herë CIA dhe e pashë që u destabilizuan të dy dhe ishin të dy, me idenë po ti çlidhje ke.

Prej atij momenti, e thërrash këtë dhe më tregoi të gjithë historinë se si i biri filloi të merrte punët, kishte filluar historinë e Gërdecit. Kur erdhi gazetari i New York Times, që po investigonte çështjen në 2007… Ky në 2006 sa kishte filluar letrat, në 2007 filloi të bëjë strukturën e asaj që do të bënte. Nga nëntori i 2007 e kisha provokuar këtë (Berishën) dhe i kisha thënë që djali po merret me këtë histori, kur isha në zgjedhjet e Sokol Olldashit në Tiranë.
Dha dorëheqjen Ilir Rusmali dhe unë kam qenë në një emision edhe më pyet Eni Vasili për këtë dhe i thashë kjo dorëheqje e Rusmalit është standart shumë i lartë për qeverinë, standart që nuk e mban dot qeveria, ka bërë gabim që ka dhënë dorëheqjen, se vëllai ka folur me një drejtor burgu, që po hyra në një tender që nuk u bë kurrë dhe dola barabarë, shiko mos ma jep mua… bisedë e keqpërdorur nga rrethi i ngushtë i Berishës, e regjistruar për shantazh ndaj Rusmalit, që nuk kishte firmosur letrat e Gërdecit për të birin.

Thashë nëse ky jep dorëheqjen për këtë gjë, çfarë duhet të bëjë Sali Berisha kur të dalë që djali i tij po merret me biznes në Gërdec, me biznesin e armëve në Gërdec? Ishte nëntori i 2007 dhe Gërdeci shpërtheu në mars 2008.

Të nesërmen (Berisha) mblodhi grupin parlamentar, më shpalli armik, kapterr të Gramoz Ruçit, sepse i përmenda djalin publikisht. Ia kisha përmendur si mik, por nuk e pranoi dhe kur e përmenda publikisht nisi luftën.

Nuk është puna vetëm që u rritën fëmijet dhe po vidhnin fëmijët dhe po drejtonin ekonominë shqiptare. Hipokrizia nuk është aty, sepse fëmija të bie në pjesë dhe mund të dalë fëmija edhe hajdut, nuk ke çfarë i bën. Problemi është që ti si shtetar duhet të mbash qëndrim dhe të vendosësh dinjitetin tënd dhe të fëmijës, e çon në Prokurori nëse e bën pa leje, nuk është problem i madh.

Por, hipokrizia e tij është që donte të mos i thoshe, që fëmijët e tu bëjnë kështu. Pra ti nuk duhet të lije gjurmë përpara tij, që ti e di që djali është hajdut. Këtu e kishte problemin me mua dhe këtu vazhdojnë ta kenë. Unë i thashë, ore po të vjedh djali, e ke shumë të thjeshtë. Djali i tij drejtonte çdo gjë, çdo gjë, çdo privatizim, çdo tokë të Shqipërisë, i del emri që nga Ksamili me 30 hektarë, deri në Gjirin e Lalëzit me 300, në çdo vend, në çdo cep të Shqipërisë, toka tendera, koncesione, ankande, drejtonte të gjithë Shqipërinë. Vajza e tij kishte një studio ligjore, ku njerëzit shkonin si tek Sudja, e paguanin 5 mijë euro, sikur shkonin te Kisha e Laçit, sepse nuk i duhej gjë, vetëm të thoshin që kemi paguar edhe ne atje.

Problemi i këtij ishte po ti thoshe që fëmijët e tij vjedhin. Kush thoshte që fëmijët e tij vjedhin, Partia Demokratike filloi të strukturohej në bazë të qëndrimeve që ti mban ndaj fëmijëve. Ndodhi Gërdeci, nuk firmosi Ilir Rusmali, iku nga qeveria. I doli zot Aldo Bumçi faksit? U rikthye në qeveri, megjithëse e kishte hequr si budalla nga qeveria. Pra, e gjithë historia e PD reformohej dhe ndryshonte në funksion të qëndrimit që njerëzit e PD mbanin ndaj fëmijëve të tij.

Ky ëhtë thelbi i asaj, që ai shkatërroi jo vetëm partinë, por e ktheu partinë në një parti vasale të fëmijëve të tij. U kthye në një biznes ku të gjithë përgjonin, ore si e do ky, e do ti lavdërosh fëmijët, po mirë po i lavdërojmë fëmijët. Kështu forcoi pushtetin e fëmijëve të tij./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne