Të gjitha partitë politike në Shqipëri imitojnë Partinë e Punës, janë banda të organizuara kontrabandistësh!

Mero Baze ka dhënë një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për politikën shqiptare dhe partitë politike, të cilat i konsideron imitime të Partisë së Punës.

Sipas gazetarit Baze, Shqipëria nuk ka arritur të ketë një sistem demokratik, por vendi ka pluralizëm. Baze e konsideron politikën, si biznesin më fitimprurës në Shqipëri.

“Nuk jemi në kushtet e një demokracie të pastër, jemi në kushtet e një pluralizmi real. Fenomeni që ka ndodhur, është që Shqipëria nuk arriti dot të kalojë nga diktatura në demokraci, por ka kaluar nga diktatura në pluralizëm, ku partia e vetme që sundoi Shqipërinë për 50 vjet, u imitua nga dhjetëra parti të tjera. Pas viti 1990 ne kemi një Parti Demokratike, që i ngjan Partisë së Punës, një Parti Socialiste që i ngjan Partisë së Punës dhe çdo parti që pjesëtohet prej tyre, deri në fraksionin më të vogël i ngjan Partisë së Punës.
Çdo parti ka shtypin e vet, ka sekretarin e parë të vet që nuk ndërrohet kurrë, ka byronë e vet që nuk ndërrohet.

Vëreni fenomenin e Partisë Demokratike, që në fakt është partia më tipikë komuniste që ka mbetur pas vitit 90’, në krizën e fundit që pësoi, në betejën mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ne pamë që Sali Berisha u nda dhe mori pjesën e vet, Basha u nda dhe tentoi të marrë pjesën e vet. Tani u nda edhe pjesa e Lulzim Bashës. Të gjithë imitojnë të njëjtin model, thelbi i çdo partie politike, është që të gjitha partitë në Shqipëri imitojnë Partinë e Punës.

I vetmi zhvillim pozitiv ka qenë reformimi i Partisë Socialiste në fillim, deri në vitet 2000 në kohën e Fatos Nanos, që futi garën në parti, arriti të fitonte ngushtë me Pandeli Majkon në vitin 1999. Prej atëherë, është rikthyer gjendja e partive jo demokratike, të cilat nuk kanë rregulla loje, kanë një udhëheqës, kur i godet i mirë fitojën dhe kur i godet i keq humbasin.

Ndodh që edhe shiten parti, por këtu nuk dorëzohen. Këtu është një shoqëri ku askush nuk dorëzohet. Është i njëjtë kryetari i shoqatës së fermerëve të bletërritësve… Ato shoqata që janë krijuar në 90’, të njëjtët kryetar kanë. Mund të kenë vdekur por nuk ndryshon kryetari…

Ky është fenomeni më i shëmtuar, që nuk arritëm dot të krijojmë struktura demokratike, krijuam struktura pluraliste. Ekziston liria e mendimit, liria e shprehjes, ka liri të plotë për zgjedhje politike, por nuk ka funksionim demokratik asnjë institucion i krijuar. Pra, nuk kemi prodhuar dot demokraci në qelizat tona.

Politika e ka gjetur zgjidhjen që versioni më i mirë i saj është të mos garojë. Politika shqiptare urren garën, urren zgjedhjet, urrën garën brenda partisë, urren institucionet, urren kuadrin rregullator të ligjeve si qeveriset një parti. Partitë politike shqiptare janë institucionet më jo legjitime të shtetit shqiptar. Partitë politike shqiptare janë të gjitha banda të organizuara kontrabandistësh që nuk kanë asnjë rregull brenda partisë.

Humbet një garë brenda partisë, edhe pse janë shkelur statuti dhe rregullat, nuk ke ku e kërkon të drejtën. Partitë politike edhe nga pikëpamja financiare janë të paçertifikuara. Me krizën e fundit të PD, të gjithë u kujtuan që PD e kishte dorëzuar Statutin e fundit në gjykatë në vitin 2005./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne