Shqiperia Sociale

PA NDIHMË EKONOMIKE, PA MUNDËSI PUNËSIMI: Efekti i skemës “së re” ekonomike të qeverisë Rama 2

Prej fillimit të vitit 2018 janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike më shumë se njëzet mijë familje në vetëm shtatë qarqe për të cilat ka të dhëna nga zyrat shtetërore. Nuk ka akoma të dhëna nga pesë qarqet më të mëdha, siç janë Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Përkundër ndërhyrjeve të shpeshta në skemën e ndihmës ekonomike, duket se skema “e re” është thjesht aplikimi i skemës së vjetër. Nëse i referohemi Shërbimit Social Shtetëror, skema aktuale e ndihmës ekonomike është e njëjtë më atë të vitit 2014, e aplikuar fill pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Atëherë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nën drejtimin e Erion Veliajt, u hoqi ndihmën ekonomike më shumë se njëzetepesë mijë familjeve. Para dy vitesh e njëjta qeveri u shpërndante familjeve në nevojë dekodera digjitalë në vend të ndihmës ekonomike, ndërsa sot ua heq këtë ndihmë qesharake sepse kanë televizorë me ngjyra.

Prej fillimit të këtij viti, zbatimin edhe më të ashpër të kësaj skeme e ka shoqëruar një fushatë denigruese e qeverisë, dhe veçanërisht e kryeministrit Edi Rama, kundër të varfërve dhe personave në pamundësi ekonomike. Akuzat dhe etiketimi i të papunëve si përtacë, parazitë apo qylaxhinj kanë mbushur kronikat televizive, rrjetet sociale dhe çdo takim propagandistik qeveritar. Por përkundër kësaj retorike urrejtjeje klasore dhe politikave diskriminuese ndaj të varfërve, të cilat veç janë shtuar vit pas viti nga qeveria Rama, shifrat janë të qarta dhe kokëforta.

Nga të dhëna të pjesshme në shtatë qarqe (Berat, Dibër, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës e Shkodër) dhe një bashki (Kamëz) rezultojnë 21,524 familje të hequra nga skema e ndihmës ekonomike pas “ndryshimeve” në të. Ndërkohë, sipas të dhënave nga zyrat e punës së këtyre qarqeve dhe bashkisë së Kamzës, numri total i vendeve të lira të punës është 705, pa përmendur këtu që një numër i konsiderueshëm i këtyre vendeve janë fiktive. Nëse secila prej këtyre familjeve ka minimalisht vetëm një të papunë, numri i familjeve që mbeten pa ndihmë dhe pa mundësi punësimi është 20,819, ose 96.7% e familjeve të hequra nga skema e ndihmës ekonomike.

Në shumë raste zyrat e punës raportojnë 0 vende pune të lira, edhe pse mijëra familje janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike. Ky është rasti i qarkut Shkodër, ku janë hequr nga skema 4,291 familje, dhe i bashkisë Mirditë, ku janë hequr 896 familje. Edhe pse nuk ka akoma të dhëna për numrin e familjeve të hequra nga skema, numri i vendeve të lira të punës në shumë bashki është 0, si psh. në Delvinë, Devoll, Finiq, Himarë, Klos, Kolonjë, Konispol, Kukës, Libohovë, Memaliaj, Pogradec, Poliçan, Pustec, Selenicë, Ura Vajgurore.

Në disa qarqe situata është tejet alarmante. Kështu, qarku Kukës, që sipas raportit të Bankës Botërore mbi varfërinë dhe pabarazinë në vitin 2015 është qarku më i varfër në vend, rezulton me 3,360 familje të hequra nga skema dhe me vetëm 77 vende të lira pune. Zbatimi i kësaj skeme lë 97.7% të familjeve në Kukës pa ndihmë ekonomike e pa mundësi punësimi. Qarkut të Dibrës i janë hequr 3,884 familje nga skema e ndihmës ekonomike, por numri i vendeve të punës, sipas të dhënave nga zyrat e punës, është vetëm 24, gjë që i lë 99.4% të familjeve të hequra nga skema pa asnjë mundësi punësimi.

Përballë situatës me dhjetëra mijëra vetë të lënë në mes të katër rrugëve dhe pa asnjë mundësi reale punësimi, kryeministri Rama ka nisur ditët e fundit një sulm ndaj drejtuesve të zyrave të punës, të cilët po fajësohen se nuk po lidhin dot të papunët me tregun e punës. Me shumë mundësi drejtuesit e zyrave të punës janë të paaftë, por është e qartë që sulmi ndaj tyre është përpjekje për të mbuluar faktin që modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria Rama, ashtu si ai i ndjekur nga qeveria Berisha, ka dështuar së krijuari vende pune.

Heqja e mijëra familjeve nga skema e ndihmës ekonomike dhe fushata e fajësimit të të papunëve është thjesht vazhdim i fushatës disavjeçare të qeverisë Rama kundër të varfërve: luftë kundër tregtarëve ambulantë, represion ndaj mijëra qytetarëve në pamundësi për të paguar energjinë elektrike, tolerim i moszbatimit të kushteve minimale të punës për dhjetëra mijëra punëtorë dhe, së fundmi, spastrim nga skema e ndihmës ekonomike i mijëra familjeve në mjerim.

Sistemi ynë ekonomik po merr gjithnjë e më shumë trajtat e kapitalizmit për të varfrit dhe shtetit social për të pasurit. Prandaj, sot më shumë se kurrë më parë, nevojitet organizimi i të gjitha grupeve të margjinalizuara dhe drejtimi i revoltës shoqërore kundër padrejtësive dhe institucioneve që i prodhojnë ato.

OPINIONE

INTERVISTA