Pacientët e sëmurë me astmë, duhet të izolohen deri në 12 javë, sepse janë më të rrezikuar nga koronavirusi

Media britanike “Daily Mail”, raporton se personat e sëmurë me astmë në Britani, do të duhet të izolohen deri në 12 javë, për të reduktuar shanset e infektimit me Covid-19, çka mund të komplikonte seriozisht shëndetin e tyre.

Një prej mjekëve më të rëndësishëm në vend, Jonathan Van-Tam, zëvendës Oficer Mjekësor në Angli, u shpreh se këshilla për vetë-izolim, për personat që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara është “shumë e fortë”.

Kryeministri Boris Johnson, u shpreh se në ditët në vijim, do të vendoset që personat me sëmundje kronike bashkëshoqëruese, “të izolohen deri në 12 javë”.

Astma është një sëmundje respiratore, e cila ngushton rrugët e frymëmarrjes, duke krijuar vështirësi në frymëmarrje. Koronavirusi është gjithashtu një sëmundje respiratore, e cila mund të shtojë simptomat tek astmatikët dhe mund të sjellë goditje të cilat rrezikojnë seriozisht jetën.

Grupe të tjera të cilat janë të rrezikuara nga koronavirus, janë personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes, bronkiti, COPD apo emfizema.

Veç sëmundjeve respiratore, sipas Shëndetit Publik Britanik, Covid-19 paraqet rreziqe për të sëmurët kronikë me këto sëmundje:

– Sëmundjet e zemrës

– Sëmundjet e mushkrive

– Diabeti

– Tensioni i lartë

– Kanceri

Gjithashtu, sipas Shërbimit Shëndetësor në Irlandë, personat me sëmundje që dobësojnë sistemin imunitar, janë më të rrezikuar:

– Personat që marrin trajtim për kancerin

– Persona që marrin trajtim për sëmundjet autoimune, si atriti reumatik, lupus, skleroza multiple dhe sëmundja Crohn’s

– Pacientët me HIV

– Personat që kanë kryer transplante organesh dhe të palcës

Deri në këto momente në mbarë botën kanë humbur jetën 8,272 persona dhe janë infektuar 206,893  persona. Qeveritë në mbarë globin kanë nisur aplikimin e masave, të cilat sa vijnë e bëhen më radikale, në përpjekje për të ndalur përhapjen e virusit.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne