Pacolli: Ftojmë BE-në ta disiplinojë Serbinë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Begjet Pacolli, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) që “ta disiplinojë” në të ardhmen Serbinë, duke thënë se ajo ka bërë thirrje shoviniste kundër Kosovës në Samitin Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton AA.

Duke folur në një konferencë për media, Pacolli tha se në samitin ku u nënshkrua marrëveshja e Roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia i theu të gjitha rregullat në mënyrë të organizuar duke bërë thirrje shoviniste kundër Kosovës.

“Serbia ka thyer secilën marrëveshje për të cilën është pajtuar vet. Sot ka provuar në mënyrë të organizuar, duke thyer secilën rregull gjatë mbajtjes së panelit të ministrave të Ballkanit Perëndimor, i moderuar nga sekretarja e përgjithshme e RCC (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), Majlinda Bregu. Gjatë këtij sesioni, organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojnë fjalën dikujt nga publiku i cili bën thirrje shoviniste kundër Kosovës. Në të njëjtën kohë, thirrjet shoviniste kundër Kosovës shfaqen nga organizatori në ekranin e madh para panelistëve. Ky është një fakt që tregon që e tërë ngjarja ka qenë e orkestruar nga nikoqirët, që në këtë rast janë Republika e Serbisë”, tha Pacolli.

Për të mos ndodhur gjëra të tilla në të ardhmen, Pacolli kërkoi nga BE-ja që, siç tha ai, ta disiplinojë Serbinë.

“Ftojmë Bashkimin Evropian ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe, Kosova nuk mund të jetë partnere, nuk mund të jetë e pranishme në konferenca të këtij lloji. E ftojmë BE-në të sqarojë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve të cilat i ndodhin Kosovës pothuajse çdo ditë”, tha Pacolli.

Pacolli në këtë konferencë për media gjithashtu ka prezantuar turneun e tij treditor zyrtar në Afrikë, mes datave 1-3 prill, duke thënë se ka takuar zyrtarë mjaft të rëndësishëm. Ai tha se Kosova ka nevojë për miq dhe se partneriteti me shtetet e botës është mjaft me rëndësi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne