Pas bregdetit dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore, qeveria ka nisur fazën e re të legalizimit të grabitjeve në emër të “zhvillimit turistik”. Projekti i ri përfshin edhe bashki që s’kanë male, si Durrësi, Kamza e Divjaka…
Sipas denoncimeve të siguruara nga “Pamfleti”, Edi Rama ka urdhëruar kryebashkiakët socialistë të miratojnë hartat e tokave që do jepen falas ose me qira simbolike për klientët e pushtetit, nën maskën e “Paketës së Maleve”. Projekti është kopje e skemës “100 fshatrat turistikë” dhe kontratave “1 euro”, që shërbyen për grabitjen e mbi 4000 hektarëve në bregdet.
Pasi grabiti bregdetin dhe ish-ndërmarrjet shtetërore përmes skemave të “investimeve strategjike” dhe kontratave “1 euro”, kryeministri Edi Rama ka kaluar në fazën tjetër të kolonizimit të pasurive publike: malet dhe tokat pyjore.
Në qendër të planit është projektligji i ri që ai e quan “Paketa e Maleve”, një program që, sipas qeverisë, synon zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonave të thella, por që në praktikë është një mekanizëm tjetër për transferimin e pronave publike tek oligarkët e pushtetit.
Sipas dokumenteve dhe denoncimeve të siguruara nga “Pamfleti”, Rama u ka bërë presion 56 kryebashkiakëve të Partisë Socialiste, që administrojnë rreth 90% të territorit të vendit, për të firmosur hartat e përgatitura nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZhT), ku janë përcaktuar paraprakisht sipërfaqet që do dhurohen.
Në këto harta janë përfshirë tokat pyjore, kullosat dhe pronat komunale që në shumicën e rasteve janë pasuri të përbashkëta të komuniteteve lokale.
Sipas burimeve, ultimatumi i kryeministrit për kryebashkiakët është që brenda 31 tetorit 2025 të firmosin hartat dhe t’i rikthejnë në AZhT, ndryshe do të konsiderohen si “pengues të zhvillimit ekonomik”.
Megjithatë, deri më tani rreth 50 kryebashkiakë socialistë kanë refuzuar të nënshkruajnë, nga frika e përgjegjësive penale për abuzim me pronat publike.
Qeveria pritet t’i anashkalojë me vendim të Këshillit të Ministrave, me justifikimin e “emergjencës kombëtare për zhvillimin e turizmit rural”.
Një kopje e skemës së vjetër: nga “100 fshatrat turistikë” te “Paketat e Maleve”
Ligji i ri është kopje e projektit “100 fshatrat turistikë”, që në periudhën 2017–2023 u përdor për të legalizuar grabitjen e 2200 hektarëve tokë publike për ndërtimin e resorteve në zonat rurale dhe bregdetare.
Në total, përmes skemave të “investimeve strategjike” dhe kontratave “1 euro”, qeveria ka transferuar mbi 4400 hektarë pasuri shtetërore tek klientët politikë dhe familjarët e zyrtarëve të lartë.
Tani, përmes “Paketës së Maleve”, të njëjtët oligarkë do të marrin toka pyjore, kullota dhe terrene malore në formë koncesioni për 10 deri në 20 vjet.
Sipas Ramës, në projekt kanë shprehur interes 500 kompani, por burime nga Ministria e Turizmit pranojnë se aplikimet janë fiktive dhe do të përdoren si mbulesë për pastrimin e parave.
Shumë prej këtyre “investimeve” parashikohen në zona të braktisura nga popullsia, ku nuk ekziston asnjë leverdi ekonomike reale, përveç mbulimit të kapitalit të pistë.
Grabiten edhe bashki që s’kanë male
Abuzimi shkon më tej: në listën e bashkive të përfshira në “Paketën e Maleve” janë edhe zona që nuk kanë asnjë terren malor.
Në dokumentet e AZhT-së janë listuar Durrësi, Fieri, Lushnja, Divjaka, Kamza, Vora, Shijaku dhe Rrogozhina, ku sipërfaqet që do “zhvillohen” janë në të vërtetë tokat më të shtrenjta bregdetare, kodrinore dhe urbane.
Në këto raste, projekti i maleve është thjesht maskë ligjore për ndërtimin e kullave, resorteve dhe vilave turistike në kodrat e Tiranës, në bregdetin e Durrësit dhe në Divjakë.
Në praktikë, kjo është faza e katërt e programit të grabitjes që ka nisur me koncesionet, vazhdoi me energjinë diellore dhe po përfundon me tokat e mbetura publike në zonat më të leverdisshme për ndërtim.
Një ligj që legalizon pastrimin e parave
Burime nga brenda qeverisë pranojnë se “Paketat e Maleve” është projekt politik për vitin elektoral 2027, i ideuar për të shpërblyer klientët financiarë të pushtetit.
Çdo projekt i tillë do të financohet me kapitale të paqarta që hyjnë përmes bizneseve të turizmit rural dhe resorteve ekologjike, të cilat nuk kanë as kthim real ekonomik.
Në zonat ku popullsia është zhdukur dhe infrastruktura mungon, këto “investime” nuk janë gjë tjetër veçse lavatriçe të parave të pista të qeveritarëve dhe oligarkëve që kontrollojnë sektorin.
Në fund, “Paketa e Maleve” nuk është program zhvillimi, është faza e fundit e grabitjes së tokave publike.
Pas detit dhe fushave, tani po privatizohen edhe majat e maleve, në një vend ku qeveria nuk administron dot as pyjet, por i jep me “qira zhvillimore” për të pastruar miliarda.
Ky është kulmi i babëzisë shtetërore që Edi Rama e shet si “strategji për turizmin malor”, në realitet, është turizmi i korrupsionit dhe i pastrimit të pasurisë publike./Pamfleti


















