Pakistan, 12 persona të vdekur në një sulm me bombë në zyrën e një kandidati për deputet

Raportohet se 12 persona humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën në një sulm me bombë në zyrën e kandidatit të pavarur për deputet, Asfandiyar Khan Kakar, në zgjedhjet që do të mbahen nesër në provincën Baluchistan të Pakistanit.

Sipas lajmit të televizionit “Geo News”, është kryer një sulm me bombë përpara zyrës së kandidatit të pavarur për deputet, Asfandiyar Khan Kakar, në rajonin Pishin të Balochistanit.

Në sulm humbën jetën 12 persona dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën.

Thuhet se Asfandiyar Khan Kakar nuk ishte në zyrën e tij kur u krye sulmi. Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin. Para zgjedhjeve të përgjithshme dhe provinciale që do të mbahen nesër në Pakistan ka një rritje të incidenteve terroriste në provincat e Khyber Pakhtunkhwa dhe Balochistan.

Më 31 janar, u krye një sulm i armatosur ndaj Rehan Zeb Khan, kandidati i pavarur parlamentar i lidhur me partinë e ish-kryeministrit Imran Khan, Lëvizja për Drejtësi e Pakistanit (PTI). Nga sulmi humbi jetën Rehan Zeb Khan dhe 3 persona u plagosën.

Në rajonin Chaman të provincës Balochistan, një politikan i cili ishte anëtar i Partisë Popullore Kombëtare (ANP) humbi jetën në një sulm të armatosur në zyrën e Komisionit Zgjedhor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne