Pakistani dhe Irani bien dakord për kthimin e ambasadorëve të tyre

Pakistani dhe Irani kanë rënë dakord të kthejnë ambasadorët e tyre në detyrat e tyre përkatëse, duke reflektuar një zbutje të marrëdhënieve të tensionuara pas një shkëmbimi të sulmeve me raketa në territoret e njëri-tjetrit javën e kaluar.

“Pas bisedës telefonike mes ministrave të jashtëm të Pakistanit dhe Republikës Islamike të Iranit, është rënë dakord reciprokisht që deri më 26 janar të vitit 2024 ambasadorët e dy vendeve mund të kthehen në postet e tyre përkatëse”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit.

Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se ministri iranian i Punëve të Jashtme, Hossein Amir Abdollahian, do të realizojë një vizitë në Pakistan më 29 janar me ftesë të homologut të tij, Jalil Abbas Jilani.

Tensionet midis dy fqinjëve u rritën javën e kaluar kur Irani pretendoi se kishte goditur një “strehë terroriste” në qytetin kufitar Panjgur në provincën jugperëndimore Balochistan, duke çuar që Islamabadi të tërheq ambasadorin e tij nga Teherani. Në më pak se 48 orë pas sulmeve ajrore iraniane, forcat pakistaneze “shënjestruan strehimoret e militantëve” në një fshat në qytetin Saravan të provincës Sistan-Baluchestan. Sipas mediave shtetërore të Iranit, si pasojë e sulmit u vranë nëntë persona, të gjithë të cilët ishin “shtetas të huaj”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne