Pakistani i zgjat dorën e dialogut Indisë

Pakistani ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në bisedime me Indinë në mënyrë që dy vendet të shmangin përshkallëzimin e konflikteve.

Por kryeministri pakistanez, Imran Kan, deklaroi të enjten para parlamentit se India duhet t’i japë fund histerisë së luftës, të nxitur pas një sulmi kamikaz që në datën 14 shkurt la të vrarë 42 paraushtarakë indianë në zonën e Kashmirit.

Khan:“Ne u përpoqëm për zgjidhje përmes dialogut, ndërsa India nuk vonoi më shumë se 30 minuta për të fajësuar Pakistanin si shkak të incidentit. Dosjen e tyre për ngjarjen e kemi marrë vetëm sot, pas 14 ditësh, ndërkohë që mund të kishim evituar çdo acarim nëse shkëmbimi i të dhënave do të ndodhte më herët.”

Tensionet mes dy vendeve u tendosën më tej një ditë më parë, kur Pakistani njoftoi rrëzimin e dy avionëve të flotës indiane dhe arrestimin e komandantit që pilotonte njërin nga avionët gjuajtës.

Kreu i qeverisë tha se piloti i kapur do të lirohet ditën e premte, si një gjest paqeje por edhe duke përmbushur një kërkesë të Indisë zyrtare.

Në një konferencë të mëhershme, homologu i tij indian, Narendra Modi, nuk iu përgjigj ofertës për dialog nga pala kundërshtare, duke lënë të hapur mundësinë e ashpërsimit të mëtejshëm të gjendjes mes dy fuqive bërthamore.

Propozimi për negociata nga Pakistani erdhi pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist se dy vendet fqinje janë shumë afër dhënies fund konfliktit disa dhjetëvjeçar.

Tensionet mes dy vendeve ende nuk janë shuar plotësisht pas incidenteve të fundit, duke detyruar Pakistanin dhe Indinë të pezullojnë linjat ajrore dhe hekurudhore për të dytën ditë radhazi, ndërsa shkëmbimet e zjarrit në kufirin ndarës midis zonës indiane dhe pakistaneze kanë vijuar edhe gjatë orëve të para të së enjtes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne