Pakistani kërkon nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbledhje urgjente

Pakistani zyrtarisht ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) kundër lëvizjeve të fundit “të paligjshme” të Indisë për revokimin e statusit të veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir, transmeton Aandolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, tha se ai i dërgoi një letër kryesuesit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes të cilës kërkoi një mbledhje urgjente mbi zhvillimet aktuale në Xhamu dhe Kashmir.

“Sot ia dërgova letrën përmes përfaqësueses tonë në OKB, Maleeha Lodhi. Ajo ia përcolli kreut të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Qureshi në një deklaratë me video të publikuar në rrjetet sociale.

Duke paralajmëruar se Islamabadi “do të kalojë në çfarëdo mase për mbrojtjen e atdheut”, Qureshi tha se ai e informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se veprimet e Indisë në Kashmir rrezikojnë paqen rajonale dhe globale.

Tensionet midis Islamabadit dhe New Delhit u përshkallëzuan më tej pas lëvizjes së Indisë për të revokuar statusin e veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir, i cili lejonte banorët të miratojnë ligjet e tyre dhe pengonte të huajt të vendosen dhe të zotërojnë tokën në këtë territor.

Rajoni i Himalajeve, ku ndodhet Xhamu dhe Kashmir, mbahet në pjesë nga India dhe Pakistani, por pretendohet në tërësi nga të dy vendet.

Që kur u ndanë në vitin 1947, India dhe Pakistani zhvilluan tre luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave ishin mbi Kashmirin.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, që nga viti 1989 mijëra persona janë vrarë në konfliktin në rajon./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne