Pakistani kundërshton raportin amerikan për liritë fetare

Pakistani ka kritikuar vendimin amerikan për të vendosur këtë shtet në listën e zezë të shteteve që shkelin liritë fetare, duke e cilësuar këtë vendim “të njëanshëm dhe të motivuar politikisht”.

Ky shtet “ka shoqëri pluraliste dhe disa religjione, ku njerëz me besime të ndryshme jetojnë së bashku”, ka thënë ministria e Jashtme e Pakistanit në një deklaratë më 12 dhjetor.

“Pakistani nuk ka nevojë për këshilla të asnjë shteti se si të mbrojë të drejtat e minoriteteve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Ndërkohë në raportin vjetor të Departamentin amerikan të Shtetit, të prezantuar më 11 dhjetor, Pakistani është renditur si “shtet që përbën shqetësim të veçantë”, sa i përket sigurisë që kanë njerëzit për të praktikuar besimet e tyre.

Më parë ky shtet ka qenë në një listë të veçantë të vëzhgimit.

Kjo ulje në pozita nënkupton se Islamabadi mund të përballet me sanksione amerikane ndonëse Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka hequr dorë nga ndëshkimet, duke cituar interesat kombëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vendimi për ta futur Pakistanin në këtë listë është rezultat i ligjit në këtë shtet që parasheh dënim me vdekje për blasfemi kundër Islamit.

Administrata e presidentit Trump ka tensionuar marrëdhëniet me Pakistanin, duke thënë se ky i fundit ka dështuar të luftojë talibanët dhe grupet tjera ekstremiste që kryejnë sulme në Afganistan.

Islamabadi në anën tjetër kundërshton akuzat.

Në listën e zezë amerikane sikurse Pakistani janë futur edhe Kina, Eritrea, Irani, Mianmari, Koreja Veriore, Suani, Arabia Saudite, Taxhikistani dhe Turkmenistani.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne