Pakistani thërret të ngarkuarin me punë të Indisë për të protestuar ndaj sulmeve ushtarake

Pakistani ka thirrur të ngarkuarin me punë të Indisë në Islamabad për të paraqitur një protestë ndaj sulmeve ushtarake të natës së kaluar në disa vende që vranë të paktën 26 persona. “Është përcjell se akti i hapur i agresionit i Indisë përbën një shkelje të qartë të sovranitetit të Pakistanit. Veprime të tilla janë në kundërshtim me Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe normat e vendosura që rregullojnë marrëdhëniet ndërshtetërore”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit.

Ministria pakistaneze theksoi se vendi hedh poshtë “vendosmërisht” justifikimet e pabaza të Indisë për sjelljen e saj armiqësore”. “Pala indiane u paralajmërua se një sjellje e tillë e pamatur përbën një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha ministria. India tha se nisi sulme në mesnatë në qytete në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani. Pakistani tha se sulmi shkel sovranitetin e tij dhe rezervon të drejtën për t’u përgjigjur. Në sulmet e Indisë, njoftoi ushtria pakistaneze, të paktën 26 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën.

Shtatë indianë u vranë dhe 35 u plagosën në një shkëmbim zjarri midis forcave indiane dhe pakistaneze në kufirin e diskutueshëm të Kashmirit. Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam të Kashmirit të administruar nga India, ku u vranë 26 persona. India ka fajësuar Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne