Palestinezët organizojnë grevë të përgjithshme

Palestinezët në tërë vendin kanë nisur një grevë të përgjithshme në shenjë proteste kundër Ligjit Shtet-Hebre dhe vendimit izraelit për rrënimin e fshatit Khan al-Ahmar në lindje të Kudsit Lindor të okupuar.

Greva, e cila do të zgjasë një ditë, është nisur nga palestinezët që jetojnë në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të okupuar dhe Rripin e Gazës e cila prej më shumë se një dekade vuan nën një bllokadë të vendosur nga Izraeli.

Në Bregun Perëndimor janë mbyllur bankat dhe shkollat dhe të gjitha institucionet e tjera publike, ndërsa është ndërprerë edhe transporti publik.

Bregu Perëndimor ka mbyllur po ashtu të gjitha dyqanet, përfshirë edhe pikat e karburantit.

Vasel Abu Yusuf, anëtar i Bordit Drejtues të Organizatës Çlirimtare Palestineze, tha për AA se krahas palestinezëve në Kudsin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gaza, greva është mbështetur edhe nga palestinezët që jetojnë në Izrael.

“Kjo grevë është mesazh si për okupatorët, ashtu edhe për botën, për të treguar se nuk e pranojmë Ligjin Shtet-Hebre dhe se kundërshtojmë praktikat e Izraelit ndaj popullit palestinez”, tha Abu Yusuf.

Greva është mbështetur edhe nga esnafët në Kudsin Lindor, të cilët nuk kanë hapur dyqanet e tyre, kryesisht në Qytetin e Vjetër, një nga zonat më të frekuentuara të Kudsit Lindor, ku gjendet edhe faltorja e shenjtë Mesxhid al-Aksa.

Për shkak të moshapjes së dyqaneve, Qyteti i Vjetër sot është duke përjetuar një nga ditët më të qeta.

Greva në Palestinë pritet të zgjasë një ditë.

Ndryshe, Gjykata e Lartë e Izraelit në muajin maj vendosi prishjen e barakave ku jetojnë rreth 190 palestinez në rajonin Khan al-Ahmar dhe një shkolle ku mësimet ndiqnin 170 nxënës të ardhur nga zona të tjera.

Megjithatë, pas reagimeve ndërkombëtare dhe rezistencës së palestinezëve, forcat izraelite nuk arritën ta realizojnë rrënimin, ndërkohë që gjykata izraelite pezulloi vendimin pas ankesës së banorëve të rajonit.

Më 5 shtator, Gjykata e Lartë e Izraelit refuzoi ankesën kundër rrënimit të fshatit, duke urdhëruar zbrazjen e zonës brenda shtatë ditëve dhe nisjen e procesit të rrënimit.

Autoritetet izraelite javën e kaluar u dërguan njoftim beduinëve palestinezë në rajonin Khan al-Ahmar, i cili përfshinte kërkesën për të prishur shtëpitë vetë.

Paralalisht me këtë, më 19 korrik të këtij viti, parlamenti izraelit miratoi një ligj i cili e definon Izraelin si shtet kombëtar hebre, duke i cilësuar si qytetarë të klasës së dytë arabët, të cilët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë së vendit, dhe duke e hequr arabishten si gjuhë zyrtare.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne