Bota

Palestinezët shënojnë njëvjetorin e protestave masive

Mijëra palestinezë po mblidhen në Rripin e Gazës për të shënuar njëvjetorin e protestave masive përgjatë kufirit me Izraelin.

Dhjetëra mijëra persona pritet t’i bashkohen marshit të sotëm.

Protestuesit po kërkojnë që palestinezët të mund të kthehen në tokat e familjeve të tyre, të cilët u larguan ose u dëbuan gjatë luftës së vitit 1948, që u pasua me krijimin e shtetit të Izraelit.

Izraeli thotë se një kthim masiv i palestinezëve do të çonte në fundin e shtetit hebre, dhe se veprimet që ka ndërmarrë kanë qenë të nevojshme për të mbrojtur kufijtë e tij.

Izraeli po ashtu akuzon Hamasin se ka orkestruar dhunën, por ushtria izraelit është kritikuar për përdorimin e armëve të zjarrit.

Muajin e kaluar, një hetim i Kombeve të Bashkuara, gjeti se ushtarët izraelitë me qëllim kishin shtënë drejt civilëve, gjë e cila mund të përbëjë krim lufte.

Disa orë para protestave, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se një palestinez është qëlluar për vdekje nga forcat izraelite, në afërsi të rrethojës në kufi me Izraelin. Kjo ministri tha se një burrë 20-vjeç është qëlluar në orët e para të 30 marsit, në një kamp në afërsi të kufirit.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar lidhur me këtë rast.

OPINIONE