Palmat tek “Veliera” dëmtojnë arkeologjinë dhe shkelin vendimet e gjykatave

Prej rreth 6 muajsh vijojnë me intensitet të lartë deri në orët e mbrëmjes, punimet për ndërtimin e sheshit të ri të qytetit të Durrësit, pagëzuar me emrin “Veliera”.

Pas daljes në dritë të strukturave murale, këmbëngulja e qytetarëve të Durrësit detyroi frimën që po zbaton punimet, që mos t’i dëmtonte plotësisht gjetjet arkeologjike.

Megjithëse u ngulën pilota mbi muret e zbuluara, varret u hodhën në det, copat e qeramikës dhe gjylet u hodhën po ashtu në det, e u shtrua me beton sipërfaqja mbitokësore e strukturave murale, arkeologët arritën të kryenin disa sondazhe arkeologjike.

Sot ky perimetër “mbrohet” zyrtarisht dhe ligjërisht nga disa vendime të gjykatave të Durrësit. Por kjo nuk e ka penguar firmën që po zbaton projektin dhe bashkinë Durrës të kapërcejnë shiritin “Vend ngjarje mos kalo” dhe të ngulin kazmat në nëntokën e pasur me objekte arkelogjike.

“Gropat që po hapim do shërbejnë për mbjelljen e palmave dhe variojnë midis 1-1.5 metër thellësi”, na bënë me dije punonjës të firmës që po zbaton projektin. Thellësi relativisht e lartë kjo, duke marrë parasysh se kaq gërmim u desh për të zbuluar murin rrethues të qytetit (shek. V-VII i erës sonë) dhe varret mesjetare.

Si pasojë, në gropat e hapura në një perimetër, që me vendim gjykate nuk lejohet asnjë punim nga firma private, vërehen copa të shumta qeramike, të cilat edhe mund të jenë prodhuar nga dëmtimi me kazëm.

Ditën e djeshme qytetarët na sollën një video, që tregonte një kamion dhe eskavator që punonte brenda territorit të ndaluar nga Gjykata e Durrësit, me kërkesë të prokurorisë. Masa “Sekuestro preventive” e prokurorisë, nuk i ndaloi mjetet e rënda të futeshin në këtë perimtër pa monitorimin e arkeologëve apo leje të posaçme.

Por palmat janë më shumë se histori abuzimi dhe dëmtimi. Ato paraqesin bashkëpunimin midis privates dhe publikes, në kurriz të qytetarit. Kamioni i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal të bashkisë Durrës, solli palmat. Projekti parashikohet të kap vlerën e 6 milion dollarëve dhe megjithatë firma private nuk është e aftë që me shpenzimet e saj, të marr përsipër zbatimin e plotë të projektit.

 

Çfarë thonë arkeologët?

Sipas drejtuesit të gërmimeve arkeologjike, Dr. Asc. Eduard Shehi, sondazhet arkeologjike kanë përfunduar dhe aktualisht po kryhet dokumentimi i zbulimeve, për t’ia paraqitur Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i cili do të marr një vendim.

Nga kjo kuptojmë se kantieri i ndërtimit nuk është në monitorimin e përditshëm të arkeologëve dhe garanci është vendimi i prokurorisë dhe gjykatave të Durrësit, të cilave përgjatë këtyre ditëve i është vënë kazma për mbjelljen e palmave.

Gjykatat, prokuroria dhe përmbarimi të paaftë për zbatimin e vendimeve të tyre;

Me datë 3 mars, Prokuroria e Durrësit kërkoi vendosjen e sekuestros preventive (të përkohshme) ndaj firmës që po kryente punimet në zonën e sipërme të projektit. Gjykata Administrative Durrës, me datë 16 shkurt, vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të projektit.

Me datë 24 shkurt, Zyra e Përmbarimit Durrës nxorri një urdhër që detyronte bashkinë Durrës, të ndërpriste punimet në “vendin ku janë gjetur zbulimet arkeologjike (sesioni i pallatit)”.

Urdhëri ishte afat lënie kohë ndaj bashkisë 5 ditë, e ndërkohë që kaluan 4 ditë nga lëshimi i tij, punimet dhe pompat e betonit nuk u ndalën së punuari edhe përgjatë orëve të mbrëmjes.

Por bashkia Durrës e apeloi vendimin e gjykatës dhe pak javë më parë, me 25 prilll, Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi vendimin për “Pezullimin e punimeve në zonën arkeologjike A”.

A kishte dijeni bashkia Durrës për situatën e sotme?

Ashtu siç e përcaktonte Vendimi i Këshillit të Ministrave të vitit 2011, për miratimin e rregullores “Për administrimin e zones arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit”, pjesa e sipërme e projektit “Veliera” vendosej mbi zonën arkeologjike A, që nuk lejon ndërtimet, aq më shumë ato me ndërhyrje në nëntokë.

Ndryshe nga çfarë pretendoi kryetari i bashkisë Durrës, Vangjush Dako, në dëgjesën publike me qytetarët, VKM-ja e vitit 2011-të e vendos kufirin e zonës arkeologjike A, ngjitur me pjesën e sipërme të rrugës automobilistike, ndërsa sipas hartës së paraqitur nga Dako, kufiri ishte mbi torrën veneciane.

Por duke i besuar manipulimit të tyre dhe jo ekspertizës së arkeologëve, sipas kufirit të zonës arkeologjike A, u zbuluan edhe strukturat murale të periudhës mesjetare (ndërtuar me gurë që i përkasin shekujve të ndryshëm), vijimi i mureve rrethuese të qytetit dhe varre të periudhës mesjetare.

Për qytetin e Durrësit duket se ditët e zeza që u risollën në kujtesë me “Velierën”, do të përsëriten. Viti 2008 kur mozaikët e banesave luksoze romake përfunduan në bregdetin e Porto-Romanos, apo viti 2010, kur u shpartallua “Pompei” shqiptar, do të përsëriten.

Dy projekte të bashkisë Durrës, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe dy projekte private, tek ish-Parku Sportiv, që synon të ndërtoj një kompleks pallati, e po ashtu në zonën e Vollgës, një firmë po ashtu e provuar në të shkuarën për krimet arkeologjike, do të ndërtoj në pallat, që përveç betonit, nuk i lidh asgjë me karakteristikat e Durrësit mijëravjeçar./ amfora.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne