Paloka: Rama rrëzohet me dhunë, por popullin s’e bëjmë “mish për top”

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së akuzon kryeministrin Edi Rama se ka bërë pakt me krimin, ndaj shprehet i sigurtë se ai mund të rrëzohet vetëm përmes dhunës. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë që opozita do të bëjë popullin “mish për top” siç bëri Edi Rama me 21 janar. Por pavarësisht kësaj, z.Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita po përgatit terrenin për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ai përmend se PD ka paraqitur propozimet për rikthimin në rrugën e kushtetutshmërisë të reformës në drejtësi, ndryshimet kushtetuese për vetingun në politikë, platformën kundër korrupsionit dhe lidhjeve korruptive qeveri-oligarki ndërsa sot do të prezantojë platformën për një proces zgjedhor të lirë. Sipas zyrtarit të lartë të PD-së të gjitha këto lëvizje politike, synojnë rikthimin e vendit në normalitet nëpërmjet rrugëve institucionale.

Z.Paloka, opozita prej disa kohësh ka ndërmarrë një fushatë denoncimesh që jo rrallë kanë “shkundur” qeverinë, por nisma e fundit e kryeministrit Rama ‘antishpifje’ e frenon apo është një shtysë për një betejë më të ashpër kundër mazhorancës?
“Antishpifja” e Ramës nuk është gjë tjetër veçse ashtu si “kallëzimet” në grup të zëvendësit të tij, një tentativë për të mbuluar sa të mundet e për të tërhequr vëmendjen nga skandalet që nuk ndalen për këtë maxhorancë. PD dhe opozita kanë pesë vjet që denoncojnë me fakte të pakundërshtueshme çdo akt antikushtetues, antiligjor dhe korruptiv të Ramës dhe qeverisë së tij, kjo është detyra e parë e një opozite. Së fundmi, opozita ka qenë më e përqëndruar në situatën e rëndë që po kalon vendi lidhur me rendin dhe sigurinë publike si pasojë e lidhjes direkte të qeverisë dhe vetë Ramës me krimin e organizuar.

Në këtë aspekt opozita i ka dhënë zë dhe mbështetje qytetarëve që ndihen të pafuqishëm përballe koalicionit qeveri-krim-oligarki.

Ngjarja e fundit në Bllok, në zonën më të populluar dhe që presupozohet dhe më të sigurtë të kryeqytetit, tregon jo vetëm pasigurinë e jetës në Shqipërinë e Ramës por dhe fuqinë që ka marrë krimi me “rilindjen”. Zhvillohet një betejë e vërtetë nga individë që janë në kërkim nga policia, që në vend të fshiheshin, bredhin të armatosur në zemër të kryeqytetit, vrasin dhe plagosin e pastaj largohen me qetësi. Autori kryesor i krimit është dhe anëtarë i Forcave të Armatosura. Policia “kap” të vrarët. Kjo në zonën “më të sigurtë” të kryeqytetit, pak metra larg nga vendi ku të nesërmen Xhafaj ju fliste ministrave të Brendshëm të rajonit për sigurinë.

Atëherë pse krimi ndihet kaq i fuqishëm?
Për një arsye të thjeshtë, sepse ajo që duhet ta luftojë krimin, qeveria, është vetë pjesë e krimit. Djali i deputetit të “rilindjes” mund të të përdhunojë dhe gjithë shteti duke filluar nga kryeministri, ngrihen në mbrojtje të përdhunuesit dhe sulmojnë denoncuesit e krimit. E ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm. Për Ramën janë “horrat” ata që guxojnë të denoncojnë. Atyre Rama ju qepet këmba-këmbës për t’ju mbyllur gojën. Kështu bëri me Zaganin, kështu po bën dhe me Nuhun. Ndërkohë kriminelët, vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët janë “heronjtë” e Ramës. Siç mbron sot Rrajën e Taulant Ballën, ka mbrojtur dje dhe Roshin, Habilajt, Tahirin e me radhë gjithë krimin që ai ka mbledhur rreth vetes. Rama është i lidhur fort me krimin, por në mënyrën më simbolike e shprehu së fundmi dhe përdhunuesi më i vogël i “rilindjes”, i cili të vetmen fjali që tha publikisht e kishte kërcënim për kryetarin e opozitës; “do ta shohë në zgjedhje Lulzim Basha”. Ky është thelbi i kësaj situate sot në Shqipëri, e denoncuar prej kohësh nga opozita. Rama ka bërë pakt me krimin; ata i japin pushtetin duke marrë votat për të dhe ky iu jep pushtetin të bëjnë ç’të duan pa i prekur kush. Për këtë arsye ata përdhunojnë, dhunojnë, iu vënë gjoba e vrasin kë të duan se në fund e dinë që Rama nuk do t’i prekë. Se vetë zëvendësi i Ramës do shkojë t’i nxjerrë nga policia kur ndonjë “horr” të guxojë të merret me ta.

Si mund t’i kundërvihet opozita…?
E vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin nga koalicioni i së keqes që Rama ka bërë me krimin, është t’i vëmë përballë koalicionin opozitë-qytetarë. Çdo qytetarë, intelektual, i angazhuar ose jo, çdokush që kërkon të rrisë fëmijët në këtë vend pa patur frikë se ia dhunojnë apo përdhunojnë, kushdo që kërkon të ndërtojë jetën në këtë vend e nuk e sheh zgjidhjen tek ikja, duhet të bashkohet me opozitën për të larguar shkakun e gjithë të këqijave që kanë pushtuar vendin e që ka vetëm një emër; Edvin Rama.

Ju keni deklaruar se opozita do të ezaurojë të gjitha mënyra institucionale, e nëse Rama do të vijojë të jetë në pushtet, atëherë opozita do i bëjë thirrje qytetarëve për revolta. A besoni se shqiptarët do të ngrihen dhe do të rrëzojnë Ramën për të cilin jeni shprehur se do ta tërheqin zvarrë…?
Unë e kam thënë, siç më keni cituar, që opozita në rastin, kur rrugët institucionale të mos pranohen nga Rama, do t’iu bëj thirrje qytetarëve, të bashkohen me Frontin e Opozitës, për të rrëzuar Ramën e për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira.

Burimi: Balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne