Bota

Presidenti Erdoğan vizitë në Hungari

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Hungarisë janë përshpejtuar kohët e fundit në çdo fushë duke rritur vizitat dhe konsultimet reciproke të nivelit të lartë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, po qëndron në vizitë zyrtare dyditore në Hungari me ftesë të homologut të tij hungarez, Janos Ader.

Sipas presidencës turke, Erdoğan po ashtu do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover dhe kryeministrin Viktor Orban.

Zyrtarët do të diskutojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE, migracionin e parregullt dhe luftën kundër terrorizmit. Ata po ashtu do të shkëmbejnë mendime mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Vizita do të jetë shenjë e vullnetit të përbashkët në nivelin më të lartë, që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit tonë me Hungarinë në çdo fushë si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha presidenca turke në një deklaratë.

Presidenti Erdoğan po ashtu pritet që zyrtarisht të inaugurojë Varrin e Gul Babës në Budapest, të marrë pjesë në një forum biznesi me kryeministrin Orban si dhe të realizojë një vizitë në Varrezat Përkujtimore të Budapestit.

Ankaraja dhe Budapesti gëzojnë marrëdhënie miqësore të bazuara në lidhjet historike dhe kulturore, aleancën e NATO-s, bashkëpunimin e ngushtë brenda organizatave ndërkombëtare, veçanërisht në BE dhe Këshillin Evropian, përfshirë mbështetjen e Hungarisë për anëtarësim e Turqisë në BE.

Në vitin 2013, Këshilli i Bashkëpunimit Strategjik i nivelit të lartë (HLSCC) ndërmjet dy vendeve u dakordua gjatë vizitës në Hungari kur Erdoğan në atë kohë ishte kryeministër.

Takimi i parë i HLSCC-së u zhvillua gjatë vizitës së kryeministrit Orban në Turqi në vitin 2013. Një takim i dytë u pasua në vitin 2015 në Budapest dhe i treti në Ankara në vitin 2017 nën kryesimin e kryeministrit të atëhershëm Binali Yıldırım dhe kryeministrit Orban. Takimi i katërt do të mbahet në Budapest në vitin 2019.

Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hungaria ndjek një politikë të jashtme të ekonomisë dhe tregtisë, ndërsa Turqinë e konsideron si një nga vendet kyçe në politikën e saj “Hapja drejt Lindjes”.

Vëllimi tregtar dypalësh midis dy vendeve arriti në 2.5 miliardë dollarë në vitin 2017.

Rreth 80 mijë turistë hungarezë vizituan Turqinë në vitin 2017. Sipas ministrisë turke, në Hungari gjenden afërsisht 2.700 qytetarë turq.

Burimi: AA

OPINIONE