Pamjet me dron/ Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin e Fitër Bajramit, kreu i KMSH: Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë

Sakrifica dhe lutjet përgjatë një muaji të tërë kanë kulmuar sot me festën e Bajramit për besimtarët myslimanë. Sheshi ‘Skënderbej’ i ka mirëpritur mijëra prej besimtarëve për të kryer faljen e madhe. Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë besimtarët myslimanë “Gëzuar Fitër Bajramin!”

Sakrifica dhe lutjet përgjatë një muaji të tërë kanë kulmuar sot me festën e Bajramit për besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën. 30 ditët e Ramazanit që konsistojnë në agjërim, dedikim, solidaritet dhe pastrim shpirtëror kanë përfunduar duke arritur në festën më të rëndësishme të kalendarit të islamit.

Sheshi ‘Skënderbej’ i ka mirëpritur mijëra prej besimtarëve për të kryer faljen e madhe.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ndau edhe urimin e tij në përfundim të muajit të shenjtë. Ai e ka fokusuar urimin e tij te luftërat duke u shprehur se lutjet janë për të gjithë ata që vuajnë, fëmijët që rriten mes frikës dhe popujt që duan paqe e drejtësi.

Spahia tha se feja islame predikon paqen e mëshirën për të gjithë besimtarët. Ai shtoi se është përgjegjësi e shoqërisë të kultivojnë këto vlera në çdo kohë e vend.

“Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Ne këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi.

Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo. Sot, aty ku ndodhet bota  kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin. Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojnë këto vlera shumë të rëndësishme të patjetërsueshme në të gjitha kohërat dhe vendet”, tha ai.

Falja është zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si Durrës, Fier, Lushnje, Pukë, Gjirokastër, Kukës, Vlorë etj.

Pas faljes, besimtarët takojnë të dashurit e tyre, dhurojnë sadakanë ose kontributin për nevojtarët dhe më pas mblidhen për drekën me familjarët.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, por njëkohësisht sjell edhe mesazhin se sakrifica, durimi dhe besimi mbeten vlera që duhet të shoqërojnë jetën e përditshme të çdo besimtari./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne