Panik në drejtësi, gati të dhënat e verifikimit për Llallën, Zaganjorin dhe Dedjen, dosjet për pasuritë dhe figurën në dorë të SHBA-BE

Dosjet e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe karrierës për një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë gati. Pas ngritjes së dy komisioneve të vetingut, ILDKP, DSIK, KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme nisën verifikimet në bazë të kompetencave që u ka vënë ligji. Sipas informacioneve verifikimi ka nisur me disa kategori të veçanta. Të parët që kaluan në sitë janë krerët e institucioneve, pra kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe krerët e gjykatave dhe prokurorive në vend. Sipas burimeve nga 5 institucionet, për krerët e institucioneve dhe anëtarë të KLGJ e KLP procedurat kanë përfunduar dhe të dhënat janë gati. Dosjet do i jepen operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili po ndjek nga afër procesin e verifikimeve, ku dhe ai do kryejë një verifikim të vetin mbi secilin emër. Burimet thanë se në shtator Komisioni i Kualifikimit do të nisë punën dhe dosjet për të janë gati. Pritet që në mes të muajit puna të fillojë dhe vetë ky komision do të verifikojë krerët e institucioneve në vend, nëse kanë punuar sipas ligjit apo jo. Në verifikimin e personazheve kryesore të drejtësisë kanë asistuar dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave Hipoteka dhe institucione si SHISH dhe prokuroria me gjykatat. Gjatë hartimit të ligjeve, ndërkombëtarët kërkuan që vetingu të nisë me kokat e drejtësisë dhe shumë shpejt do të ndodhë një gjë e tillë, pasi me të filluar punë komisioni, ILDKP, DSIK dhe KLD me prokurorinë do i dorëzojnë dosjet e para.

Procedura e verifikimit

Të gjithë njerëzit e sistemit të drejtësisë po i nënshtrohen një kontrolli rigoroz, nga kontrolli i llogarive bankare, te të ardhurat e çdo familjari e deri te pasuritë e paluajtshme. Në lëvizje është vënë Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila po zhvillon kontrolle brenda dhe jashtë vendit për çdo transfertë bankare të bërë nga njerëzit e drejtësisë. Por paralelisht me ILDKP, verifikime po kryhen dhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sa i takon pastërtisë së figurës. Për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët po kontrollohet nëse kanë pasur apo jo lidhje me njerëz me rekorde kriminale. Ndërkohë në fund do ketë verifikime nëse gjyqtarët dhe prokurorët e kanë kryer si duhet punën dhe kanë formim të mjaftueshëm, duke kontrolluar vendimet dhe procesverbalet. Sipas ligjit,  secili institucion do i dërgojë Komisionit të Kualifikimit një raport për secilin emër. Interesant është fakti se për ta do bëhet një përllogaritje e vlerës së pasurisë dhe ajo do shihet nëse u korrenspodon të ardhurve gjatë këtyre viteve. Nëse dikush ka më shumë pasuri se shuma e të gjithë të ardhurve familjare, atëherë gjyqtari apo prokurori largohet. ONM pritet të angazhojë ekspertët e saj që të bëjnë verifikime edhe jashtë shtetit. Për këtë arsye, sapo të nisë punën Komisioni Kualifikimit pritet që të jepen dhe efektet e para, ku në tetor parashikohet që të nisin dhe largimet./Sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne