Opinion

Paqja është një fjalë goje: Kur Perëndimi të mos e kontrollojë dot botën si pasojë e kundërshtimeve, kjo do të thotë luftë

nga Andre Vltchek.

Perëndimi pëlqen të mendojë për veten e vet sikur ai është një pjesë e veçantë e kësaj bote që e do paqen. Por a është kjo e vertete? Ju dëgjoni për këtë kudo, nga Evropa deri në Amerikën e Veriut, pastaj në Australi dhe përsëri në Evropë: “Paqe, paqe, paqe!”

Ajo është bërë një fjalë goje, një thenie, një recetë për të fituar fonde, simpati dhe mbështetje. Kur thoni paqe në të vërtetë nuk keni ndërmend dicka tjetër. Kjo do të thotë që jeni një qenie njerëzore e mëshirshme dhe e arsyeshme.

Çdo vit ka “konferenca paqeje” që zhvillohen aty ku paqja adhurohet dhe madje kërkohet me të madhe. Kohët e fundit kam marrë pjesë në një të tillë, si një prej folësve kryesorë, në bregun perëndimor të Danimarkës.

Nëse një korrespondent i luftës së vërtetë si puna ime merr pjesë aty, ai ose ajo tronditet. Ato që zakonisht diskutohen aty janë tema sipërfaqësore, të ndjeshme.

Tematikat më të vecanta janë ‘sa i keq është kapitalizmi’ dhe ‘gjithçka lidhet me naftën’. Për gjenocidin kulturor të Perëndimit as që bëhet fjalë. Asgjë nuk ka lidhur me përfitimet, grabitjet e vazhdueshme që vazhdojnë prej shekujsh, nga të cilat perëndimorët pothuajse përfitojnë akoma sot e kësaj dite.

Tematikat më të rëndomta flasin kryesisht për gjendjen në botë, “sa e keqe është ajo sot” dhe se “të gjithë njerëzit janë njësoj”. Ka gjithashtu edhe nga ato më të çuditshmet që shfryjnë kundër Kinës dhe Rusisë, vende të cilët shpesh etiketohen nga neo-konservatorët perëndimorë si “kërcënime” dhe “fuqi rivale”.

Pjesëmarrësit e këtyre tubimeve pajtohen se “paqja është e mirë” dhe “lufta është e keqe”. Kjo pasohet nga brohoritjet dhe lavdet drejtuar njëri-tjetrin në prapa skenë. Pak lot pikojnë nga zemrat e lënduara.

Megjithatë, motivet prapa këtyre shfaqjeve rrallëherë vihen në diskutim. Në fund të fundit, kush do kërkonte luftë? Kush do e dëshironte dhunën, lëndimet e tmerrshme dhe vdekjet? Kush do të donte të shihte qytete të rrafshuara, të djegura dhe fëmijë të braktisur që qajnë? E gjitha duket mjaft e thjeshtë dhe mëse logjike.

Pastaj, pse nuk dëgjojmë shpesh “fjalime për paqen” nga vetë njerzit e vendeve të Afrikës apo Lindjes së Mesme, tashmë të shkatërruara dhe akoma de facto të kolonizuara? A nuk janë ata që vuajnë më së shumti? A nuk ëndërrojnë edhe ata për paqen? Apo ndoshta ne të gjithë nuk po ja qëllojmë më kryesores?

Miku im Arundhati Roy, një shkrimtar dhe mendimtar i madh indian, shkroi në vitin 2001 duke reaguar ndaj “luftës të Perëndimit kundër terrorit”: “Kur njoftoi mbi sulmet ajrore, Presidenti Xhorxh Bush tha:” Ne jemi një vend paqësor”. Ambasadori i preferuar i Amerikës, Tony Blair, (i cili mbante gjithashtu portofolin e Kryeministrit të Britanisë së Madhe), ripërsëriti të njëjtat fjalë: “Ne jemi një popull paqësor”. Kështu që tani i dimë. Derrat janë kuaj. Vajzat janë djem. Lufta është paqe.”

Kur këto dalin nga gojët e vet perëndimorëve, a është ‘paqja’ vërtetë paqe dhe ‘lufta’ vërtet luftë?

A e kanë të lejuar ende njerëzit në ‘Perëndimin e lirë dhe demokratik’ të bëjnë pyetje të tilla? Apo është perceptimi i luftës dhe i paqes vetëm një pjesë e dogmës që nuk lejohet të vihet në diskutim, e cila mbrohet nga kultura perëndimore dhe ligjet e saj?

Nëse pyetje të tilla do parashtroheshin në Perëndim, ato do të tingëllonin pothuajse të ashpra dhe të dhunshme dhe si si pasojë do konsideroheshin ‘të paligjshme’. Për këtë dikush mund të përfundojë në Guantanamo ose në ndonjë burg të fshehtë të CIA-s. Para pak javësh, brenda në Ambasadën e Venezuelës në Nairobi të Kenias, ju drejtova drejtpërdrejt të rinjve opozitarë të krahut të majtë, që vinin nga Afrika Lindore. Po, atyre vërtet u zjente gjaku, ishin të zemëruar, të vendosur dhe të gatshëm.


Me opozitën e krahut të majtë të Afrikës Lindore në ambasadën e Venezuelës. © Andre Vltchek

Për ata që nuk janë shumë të njohur me kontinentin, Kenia ka qenë në Afrikën Lindore për vite dhe dekada me radhë një bazë e imperializmit britanik, amerikan, madje edhe e Izraelit. Ajo luante të njëjtin rol që Gjermania Perëndimore luante gjatë Luftës së Ftohtë – një dritare parajsë për shoping, e mbushur me shërbime dhe mallra luksoze. Në të kaluarën, Kenia mendohej ti ngjante eksperimentit socialist të Tanzanisë nën udhëheqjen e Nyereres.

Sot, rreth 60 për qind e kenianëve jetojnë nëpër lagjet e varfra; disa nga më të varfrat e Afrikës. Disa nga këto “vendbanime”, si Mathare dhe Kibera, strehojnë të paktën nga një milion njerëz, në kushte ekstremisht të tmerrshme. Katër vjet më parë, kur po bëja një film dokumentar në këto lagje të varfëra, për rrjetin TeleSUR të Amerikës Jugore, shkruajta:

“… Zyrtarisht, në Kenia ka paqe. Për dekada me radhë, Kenia funksiononte si një shtet klientelist i Perëndimit, që zbatonte një regjim të egër të tregut dhe mbante baza ushtarake të huaja. Këtu janë bërë miliarda dollarë. Por askund në tokë nuk gjen mjerim më brutal sesa këtu.

Kibera Slum në Nairobi strehon mbi 1 milion banorë. © Andre Vltchek

Dy vjet më parë, ndërsa po filmoja doumentarin “Tumaini” afër qytetit Kisumu në kufirin me Ugandën, pashë fshatra të tëra që qëndronin bosh si fantazma. Njerëzit ishin zhdukur, kishin vdekur, nga SIDA dhe nga uria. Megjithatë ajo ende quhej paqe.

Paqja ishte aty ku mjekët ushtarakë amerikanë punonin nën qiellin e hapur me haitianët e varfër dhe të sëmurë, në lagjen e varfër famëkeqe Cité Soleil. Aty pashë një grua dhe fotografova. Ishte e vendosur mbi një tavolinë të improvizuar dhe po i hiqnin një tumor duke përdorur vetëm disa mjete të thjeshta anestezije të prodhimit vendas. I pyeta mjekët e Amerikës së Veriut se pse po vepronin kështu? E dija se ekzistonte një strukturë ushtarake e nivelit të lartë dy minuta larg.

“Kjo i ngjason një situate të vërtetë lufte”, u përgjigj një mjek me ndershmëri. “Për ne ky është një trajnim i madh”.

Pas mbarimit të operacionit, gruaja u ngrit dhe u mbështet tek burri i saj i frikësuar dhe të dy u larguan drejt stacionit të autobusit.

Po, e gjitha kjo zyrtarisht quhet paqe.

Mjekët amerikanë duke eksperimentuar në Haiti. © Andre Vltchek

Gjatë punës sime, në pothuajse të gjitha qoshet e shkatërruara të botës, kam parë gjëra shumë më të këqija se ato që përmenda më lart. Ndoshta në gjithë atë ‘paqe’ pashë me shumë sec duhej. Pashë gjymtyrë të copëtuara të viktimave, pashë gjithë ato kasolle të djegura dhe gra që ulërinin, apo edhe fëmijë që vdisnin nga sëmundjet dhe uria para se të arrinin adoleshencën e tyre.

Nëse do bënit atë që kam bërë unë me siguri që do bëheshit doktor: Duhet tu rrezistosh të gjitha tmerreve dhe vuajtjeve, sepse ti ndodhesh këtu për të ndihmuar, për të ekspozuar realitetin dhe për të turpëruar botën. Ju nuk keni të drejtë të treteni, të demoralizoheni, të bini dhe të qani.

Mohammedi, irakieni 3 vjeçar me kancer në Kos, Greqi. © Andre Vltchek

Por gjëja të cilës nuk mund ti rezistosh dot është hipokrizia. Hipokrizia është një ‘anti plumb’. Nuk mund të zbardhet me argumente të sakta, me logjikë dhe me shembuj. Shpesh hipokrizia në Perëndim është xhahile, por në shumicën e rasteve më së shumti është thjesht vetë-shërbim.

Pra, cila është paqja e vërtetë për njerëzit në Evropë dhe Amerikën e Veriut? Përgjigjja është e thjeshtë: Është një gjendje e gjërave ku sa me pak që të jete e mundur perëndimorët të vriten ose të plagosen. Një gjendje e gjërave ku rrjedha e burimeve nga vendet e varfra, të plaçkitura dhe të kolonizuara të vërshojë pandërprerë drejt Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Po cmimi i një paqeje të tillë? Se sa afrikanë, latinë apo aziatikë vdesin si rezultat i një aranzhimi të tillë në botë, nuk ka fare rëndësi.

Paqja ekziston kur interesat e biznesit të Perëndimit nuk rrezikohen, edhe nëse dhjetëra miliona qenie njerëzore jo të bardhë do të zhdukeshin gjatë këtij procesi.

Paqe ka dhe do ketë atëherë kur Perëndimi të kontrollojë botën politikisht, ekonomikisht, ideologjikisht dhe ‘kulturarisht’, pa hasur në kundërshtime.

“Luftë” quhet kur ka rebelime. Lufta është kur njerëzit e vendeve të grabitura thonë “jo!”. Lufta është kur ata papritur refuzojnë të përdhunohen, grabiten, indoktrinohen dhe vriten.

Intifada në Gaza, zyrtarisht nuk quhet luftë. © Andre Vltchek

Kur ndodh një skenar i tillë, reagimi i menjëhershëm i Perëndimit për ‘rivendosjen e paqes’ është shkatërrimi i qeverisë që po përpiqet të kujdeset për popullin e vet, bombardimi i shkollave, spitaleve, shkatërrimi i rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike dhe hedhja e miliona njerëzve në mjerim dhe në një agoni totale.

Një skenar i tillë pritet të zbatohet së shpejti nga Perëndimi edhe në vendet e tilla si Koreja e Veriut, Kuba, Venezuela dhe Irani, vende që sot për sot janë masakruar nga sanksionet dhe opozitat vrastare të sponsorizuara nga jashtë”. Në leksikun Perëndimor, “paqja” është sinonim i “nënshtrimit”. Një dorëzim total i pakushtëzuar. Çdo gjë tjetër është luftë ose mund të çojë në luftë.

Sa për vendet e shtypura dhe të shkatërruara, përfshirë edhe vendet afrikane, thirrja për rezistencë do të përkëthehej në fjalorin perëndimor si një sinonim i “thirrjes për dhunë”, prandaj thirrje të tilla konsiderohen të jashtëligjshme. Ashtu siç ishin të jashtëligjshme edhe thirrjet për rezistencë nga vendet e pushtuara prej forcave naziste gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prandaj do të ishte logjike që qasjen perëndimore dhe këto mentalitete ti quanim “fundamentaliste” dhe tërësisht agresive./rt/Gazeta Impakt

Dedikuar mikut tim, filozofit John Cobb, Jr.

OPINIONE

INTERVISTA