Për të kuptuar skandalin e ashtuquajturës Paqe Fiskale të Edi Ramës, mjafton të shohësh rastet konkrete të kompanive që pasi kanë grabitur shtetin, qytetarët, ligjet dhe punonjësit e tyre, sot synojnë të grabisin edhe truallin publik për ta kthyer në terren ndërtimi.
Birra Tirana është një nga asetet industriale më të rëndësishme që ka pasur vendi. Kur u privatizua nga qeveria e Ilir Metës, për blerjen e saj shfaqën interes kompani të mëdha të industrisë ushqimore europiane. Në atë kohë, Birra Tirana ishte një gjigand prodhimi aktiv. Kishte teknologji bashkëkohore, prodhonte birrë cilësore nga uji i Selitës përmes linjës direkte, përdorte malto bio të kontrolluar nga teknologë të kualifikuar dhe e karbonizonte produktin me gaz natyral të prodhuar në kushte laboratorike.
Ilir Meta ia kaloi këtë aset gjashtë biznesmenëve shqiptarë, të cilët nuk arritën kurrë ta menaxhonin. Konfliktet mes tyre e shndërruan Birrën Tirana nga një industri funksionale në një sipërmarrje që rrëshqiste vazhdimisht drejt dështimit.
Faza më e rëndë erdhi kur pronësia përfundoi te Luan Bregasi. Nën drejtimin e tij, Birra Tirana u kthye në një kompani që vetëm humbiste. Sipas një dokumenti të marrë nga dosjet e sekuestruara nga krimi ekonomik, kompania regjistronte humbje vjetore mbi 50 milionë euro. Kjo do të thotë se ndërmarrja nuk ishte në gjendje të paguante detyrimet ligjore, faturat e energjisë, ujit dhe shërbimeve të tjera. Ajo akumuloi borxhe të mëdha doganore dhe tatimore dhe mbi të gjitha nuk pagoi sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve.

Punonjësit u larguan pa paga, pa sigurime dhe pa asnjë detyrim të përmbushur nga kompania. Sipas ligjeve në fuqi, një subjekt që nuk arrin të kryejë detyrimet bazë duhet të shpallet në faliment dhe administrimi i kalon shtetit. Shteti duhet të vendosë nëse e rikapitalizon ndërmarrjen ose shpërndan pasurinë për të shlyer detyrimet ndaj punonjësve dhe institucioneve.
Por me Paqen Fiskale po ndodh e kundërta. Edhe subjekte si Birra Tirana zerohen nga detyrimet dhe u jepet mundësia të nisin nga e para mbi të njëjtat asete. Pronësia e Birrës Tirana, një truall me vlerë të jashtëzakonshme në zemër të Tiranës, shndërrohet në objekt ndërtimi ose shitet si pasuri, duke përjashtuar shtetin dhe punonjësit nga çdo e drejtë.
Kjo përbën një vjedhje të shumëfishtë. Vjedhje ndaj shtetit, vjedhje ndaj punonjësve dhe vjedhje ndaj qytetit. Sipas informacioneve, edhe nëse qeveria do të formalizojë Paqen Fiskale me Luan Bregasin, i cili është edhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe pjesë e mazhorancës, punonjësit nuk do të lejojnë që trualli i Birrës Tirana të kthehet në pallate.
Ish-punonjësit kanë në dorë prova dokumentare që tregojnë shkeljet dhe abuzimet ndër vite. Ata deklarojnë për Pamfletin se edhe nëse drejtësia nuk vepron, ata janë gati për një betejë të re. Në këtë betejë, ata kujtojnë Fatmir Pemën, teknologun e shkëlqyer që humbi jetën disa vite më parë pasi u hodh në rrugë nga këta biznesmenë.
“Shpirti i Fatmirit dhe i shokëve tanë na jep forcë. Nëse duhet, do ta tundim Tiranën”, thonë ish-punonjësit e Birrës Tirana./Pamfleti


















