Paratë e krijimit të ABI Bank kaluan përmes ishujve Cayman

Paratë që kanë themeluar Bankën Amerikane të Investimeve kanë kaluar përmes ishujve Cayman. Dokumentat e siguruara nga regjistri global i kompanive dëshmojnë se pronësia e ABI Bank ruhet e fshehtë në parajsën më të madhe fiskale të botës, përmes dy kompanive guackë, New Century Holdings XI dhe NCH Balkan Fund.

Të dy këto fonde guackë janë themeluar në dhjetor të vitit 2012, por pak kohë më vonë do të shndërroheshin në një nga lojtarët më të rëndësishëm të sistemit bankar në Shqipëri.

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm Abi Bank vjen nga kompani offshore. Dyshimet për këtë bankë u shtuan kur në bordin drejtues të saj u ul Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, edhe ky një tjetër rast i papreçedentë për sistemin financiar global, ku familja kryeministrore përfshihet direkt në sektorin bankar.

Pronësia

Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta, i cili ka 30 për qind të aksioneve dhe dy fonde të tjera guackë, NCH Balkan Fund dhe Neë Century Holding XI, që kanë secila nga 35 për qind të aksioneve.

Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L. P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711.

Fondet fantazmë

Sipas Regjistrit Global të Kompanive, vlera e aseteve të New Century Holding  llogaritet 330 milionë dollarë. Ky fond mendohet se ka 426 përfitues, por për shkak të regjisrimit në ishujt Cayman ata janë të fshehtë.

Nga ana tjetër NCH Balkan Fund rezulton të ketë 673 milionë dollarë asete, ndërsa përfituesit e tij janë 57 vetë, po të panjohur.

Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.

Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?/ Syri.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne