Paria shtetërore turke dënon tentativën për grusht shteti në Venezuelë

Për tentativën për grusht shteti në Venezuelë Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se “parësore në demokraci është kutia e votimit”.

Tentativën për grusht shteti në Venezuelë Presidenti Erdoan e vlerësoi me një postim në median sociale Twitter.

“Ata që (në Venezuelë) po përpiqen të emërojnë një guvernator kolonie postmoderne, duhet të dinë që mënyra se si do të qeveriset vendi do të përcaktohet me zgjedhje”, thotë Erdoan.

“Si një vend që kemi luftuar kundër puçeve dhe që kemi përjetuar pasojat negative të tyre ne e dënojmë tentativën për grusht shteti në Venezuelë”, thekson Erdoan në mesazhin e tij në Twitter.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop (Şentop) në një postim të bërë në median sociale Twitter shkruan kështu: “Aplikimi i konflikteve të brendshme dhe grusht shtetet ushtarake për të rregulluar vendet joperëndimore dhe politikat e tyre ishte një metodë e sëmurë e përdorur gjatë Luftës së Ftohtë. Nga ato që po jetohen në Venezuelë shohim se kjo metodë e sëmurë është rishfaqur në Amerikën e Jugut, e cila ka pësuar shumë nga grusht shtetet ushtarake. Shpresojmë që problemi të zgjidhet duke e marrë për bazë demokracinë dhe që popujt e këtij rajoni dhe të Venezuelës të arrijnë sa më parë në paqe dhe prosperitet”.

Në anën tjetër ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) në një postim të bërë në Twitter shprehu shqetësimin nga disa tentativa për prishjen e rendit kushtetues në Venezuelë.

“Ne jemi kundër përpjekjeve jodemokratike për të ndryshuar qeveritë e ligjshme. Jemi pro zgjidhjes së problemeve me dialog dhe jemi gjithmonë pranë popullit të Venezuelës”, tha Çavushollu.

Edhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ëmer (Ömer) Çelik gjatë konferencës për shtyp kritikoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Venezuelës duke thënë që “Asnjë shtet nuk mund të zgjedh presidentin e një vendi tjetër duke e emëruar atë”.

Duke vënë në dukje se Turqia është pranë udhëheqësve të zgjedhur, zëdhënësi Çelik tha: “Ashtu siç jemi kundër çdo përpjekje për grusht shteti në çdo vend, ashtu jemi kundër përpjekjeve për grusht shteti në Venezuelë. Ne jemi pro demokracisë dhe nuk kemi anë politike. Natyrisht se do të mbajmë këtë qëndrim ndaj këtij fakti të kryer”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne