Parlamenti si ‘Big Brother’ për protestuesit, deputetët futen nga një hyrje e fshehtë

Parlamenti i Shqipërisë është blinduar dhe nën masa të rrepta sigurie. Protesta e paralajmëruar nga opozita ka kaluar në gjendje gatishmërie Policinë e Shtetit.
Sipas një plani paraprak të përgatitur nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, ligjvënësit e maxhorancës do të duhet të hyjnë në seancë përpara orës 09:30 në mënyrë që të shmangen incidentet me protestuesit.

Kështu, kanw hyrw disa nga deputetwt qw përpara kësaj ore, si ministrja Gjonaj, ish ministri Xhafaj, deputeti Gjiknuri, Ulsi Manja, Rakip Suli etj…

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesit e Policisë së Tiranës, ndonëse i kanë refuzuar lejen për zhvillimin e protestës opozitës, kanë marrë të gjitha masat për të mos lejuar asnjë incident në tubimin e paralajmëruar sot para sallës sw seancave plenare.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, kërkesa e prerë e deputetëve të PS-së për ministrin Lleshaj ishte dhënia e garancisë që do të kishte siguri fizike gjatë hyrjes dhe daljes nga salla e seancave plenare.

Duke iu referuar incidenteve të ndodhura me ministrin Blendi Klosi dhe deputetin e Shkodrës, Paulin Stërkaj, deputetët e maxhorancës kanë kërkuar nga Policia e Shtetit siguri për të hyrë në sallën e seancave plenare.

Ministri Lleshaj në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit të PS-së ka siguruar ligjvënësit socialistë që do të ketë një siguri të shtuar për gjithsecilin, por ka kërkuar nga të gjithë ligjvënësit që të jenë në Parlament në orën 09:00.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, edhe Kryeministri Rama ka garantuar deputetët e PS-së se incidente nga ato të ndodhura një javë më parë nuk do të përsëriten dhe se për të gjithë ligjvënësit do të ketë një hyrje të veçantë.

MASAT

Protestuesit e opozitës dhe qytetarët që do të jenë sot në sheshin përpara Parlamentit për të protestuar do të jenë të monitoruar nga kamerat e vendosura nga Policia e Shtetit. Përplasja e protestuesve me deputetët e maxhorancës, djegia e gomave, thyerja e altopolantëve dhe tentativat për të hyrë në sallën e Parlamentit kanë detyruar Policinë e Shtetit ta kthejë sheshin përpara Parlamentit në një “Big Brother”.

Burime pranë Policisë së Shtetit flasin për monitorim të gjithanshëm të protestës përmes kamerave lëvizëse me rezolucion të lartë, të cilat do të fiksojnë çdo protestues të dhunshëm. Deputetët e maxhorancës, por edhe katër deputetët e rinj të LSI-së që do të marrin sot mandatin, janë njoftuar për një hyrje të veçantë që është përcaktuar pranë Parlamentit.

Policia e Shtetit ka montuar shkallë lëvizëse që do të mundësojnë hyrjen e deputetëve nga Kalaja e Tiranës. Gjithashtu, godina e Parlamentit do të jetë e rrethuar me tela me gjemba, ndërkohë që dera pranë selisë së Partisë Demokratike do të vijojë të jetë e mbyllur dhe e salduar.

Gjatë protestës së sotme të thirrur nga opozita do të jenë të angazhuar për ruajtjen e qetësisë mbi 1000 efektivë policie.

Në ruajtje nga Policia e Shtetit do të merret edhe godina e Kryeministrisë, pasi gjatë protestës mund të ketë thirrje që të orientojë protestuesit drejt godinës së Këshillit të Ministrave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne