Partia Demokratike Turke e Kosovës reagon ndaj hapjes së ambasadës në Kuds

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KTDP) ka reaguar ndaj njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës se është hapur ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Kuds.

Nga KTDP thonë se janë “thellësisht të shqetësuar dhe të brengosur” nga hapja e Ambasadës në Kuds, statusi ndërkombëtar i të cilit është nën mbrojtje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Pavarësisht rekomandimeve të vendeve evropiane dhe Republikës së Turqisë, dhe përkundër reagimeve dhe paralajmërimeve tona në Parlament, ky hap i gabuar nga një qeveri e cila qëndron larg mbështetjes së qytetarëve si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, do të ketë efekte të drejtpërdrejta ndaj reputacionit të Republikës së Kosovës, proceseve diplomatike si dhe politikave tona të shtetndërtimit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e KTDP-së.

Gjithashtu theksohet se kjo parti do të ndjekë këtë vendim të gabuar me qëllim të rishikimit në çdo fushë.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës bëri të ditur se është zyrtarizuar Ambasada e Kosovës në shtetin e Izraelit, me seli në Kuds, “bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020”.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Kuds do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhej mes tjerash në njoftim./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne