Partia Socialiste shkarkon Presidentin e Republikës, me ndihmën e “opozitës” aksidentale të Kujtim Gjuzit dhe të tjerëve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, institucioni i fundit që nuk kontrollohet nga mazhoranca socialiste e Edi Ramës,  është shkarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pro shkarkimit të Presidentit kanë votuar 104 deputetë, kundër kanë votuar 7 deputetë dhe 3 kanë abstenuar. Në votim morën pjesë 114 deputetë, 7 të tjerë munguan në sallë.

Mazhoranca nuk priti formimin e Kuvendit të ri në shtator, ku do të marrë pjesë opozita legjitime, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, por organizoi një procedurë “rrufe”, duke përdorur edhe deputetët e të ashtuquajturës “opozitë parlamentare”, njerëz të pa votuar nga populli shqiptar, të cilët përfunduan në Parlament në mënyrë aksidentale, pasi opozita dorëzoi mandatet.
Mes tyre, shquhen deputeti “legjendar” Kujtim Gjuzi, kryetari i pensionistëve, Selami Jenishehri dhe plot personazhe të tjerë, tashmë të njohur për publikun, që i kanë vënë vulën shkarkimi të Presidentit.

Mazhoranca formoi një Komision Hetimor, ku u paraqitën si argumenta për shkarkimin e Presidentit, cënimi i marrëdhënieve me aleatët e Shqipërisë dhe retorika e ashpër e Presidentit gjatë fushatës elektorale.

Fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta, do ta ketë Gjykata Kushtetuese.

Kujtojmë se Komisioni i Venecias, nuk e konsideroi shkelje të rëndë nga Presidenti, as shtyrjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, kur Presidenti nxorri një dekret që i anullonte zgjedhjet, të pasuar nga një tjetër dekret, me një datë të re për zgjedhjet. Krahasuar me dekretet e vitit 2019, në këtë rast nuk ka asnjë akt të Presidentit, por bëhet fjalë vetëm për deklarata të tij.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij përpara votimit në Kuvend, kërkoi shkarkimin e Presidentit me argumentat e mëposhtëm:

Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit, ka poshtëruar Kushtetutën, ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar, ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë në marrëdhënien krejt speciale me SHBA-të. Ilir Meta ka shgarravitur fytyrën e shtetit shqiptar, në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare. Ilir Meta, i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, në mënyrë të përsëritur,  për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës. në sytë e miqve të saj dhe vetë qytetarëve të saj“, tha Rama.

Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë, që një President shkarkohet nga Kuvendi.

/TPZ/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne