Nishani rikthen propozimin e PD: Vetting për politikën, Presidentë dhe kryeministra

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka propozuar Vetting për politikanët, një propozim ky i vjetër i Partisë Demokratike, që u la në harresë verën e vitit 2018. Nga Mati, ku takoi demokratët në mbështetje të kandidates për kreun e PD, Edith Harxhi, Nishani deklaroi se ky duhet të jetë ligji i parë që duhet të miratojë parlamenti i ardhshëm.

“Një muaj fushatë nuk folëm dhe denoncuam me dhjetëra raste korrupsioni dhe hajdutërie, nuk folëm. Çfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; Vetting, hetim dhe konfiskim i çdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite. Dhe jo vetëm këta që janë atje, por çfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, çfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit. Nuk e miraton Edi Rama? Referendum. Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit”, tha Nishani.

Ish-presidenti foli edhe për situatën në PD që e përshkroi si të zymtë. “S’dimë ku po shkojmë”,-tha ai. “Kur kam pësuar unë dëshpërim të thellë, imagjino si janë mijëra e mijëra të tjerë. Unë kam arritur, kam marrë maksimumin në karrierën time politike, ministër, president dhe nuk prisja që nga fitorja të merrja ndonjë tjetër, por mbi të gjitha është dëshira politike dhe që miqtë dhe shokët e mi do të drejtojnë nesër Shqipërinë. 8 vite në opozitë mijëra njerëz janë hequr nga puna se janë demokratë. Jemi në një situatë s’po dimë ku të shkojmë. Fataliteti na ka kapur prej fyti”,- tha ai.

Përgjigjia vjen disa ditë larg zgjedhjeve në Partinë Demokratike. 75 mijë demokratë pritet ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri. Në garë është kryetari aktual Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli. Deri më tani surpriza është Agron Shehaj, i cili e deklaroi kandidimin pak para skadimit të afatit zyrtar për të marrë pjesë në garë. Si e sheh publiku? Perceptimi i deritanishëm në media dhe debate televizive është se nga procesi në PD nuk do të ketë surpriza dhe se Lulzim Basha do të rikonfirmohet, por pritet data 13 qershor për të parë çfarë do të ndodhë.

(F.g/dosja.al)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne