Arrihet marrëveshja historike mes vendeve të G7

Vendet e G7 (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia) kanë arritur një marrëveshje historike për të aplikuar një taksë universale mbi kompanitë multinacionale, në masën 15%.

Ministrat e financave të vendeve me ekonomitë më të zhvilluara, u mblodhën në Londër, ku u diskutua mënyra më e mirë për të ndalur kompanitë që shmangin pagesën e taksave në vendet ku kryejnë biznes, duke ndërtuar filiake dhe përdorur sistemin lokal të taksimit

Gjigandët si Amazon, apo Google, mund të jenë dy prej kompanive që do të taksohen me këtë rregull.

Javën e kaluar u raportua se një filial i Microsoft në Irlandë, ka paguar zero taksë koporate, edhe pse fitimet ishin në shifrën e 315 miliardë dollarëve, për faktin se e kishte rezidencën pë arsye taksash në Bermuda.

Kjo marrëveshje mund të arkëtojë miliarda dollarë më shumë në buxhetet e shteteve, para që më pas mund të përdoren për shërbimet publike.

Ministri britanik i financave, Rishi Sunak, tha se kjo marrëveshje u krijua për të ndërtuar një fushë të barabartë për kompanitë globale.

Me zhvillimet e shumta teknologjike dhe digjitale, është bërë mjaft i vështirë taksimi i koproratave multinacionale. Për momentin, kompanitë mund të hapin filiale në vende të tjera dhe t’i deklarojnë atje fitimet, duke ulur ndjeshëm, sasinë e taksave që paguajnë. Kjo do të thotë se ata paguajnë taksat lokale, pavarësisht se fitimet janë gjeneruar në një nivel global.

BBC shpjegon se si do të ndërmerren hapat që këto kompani të paguajnë më shumë taksa.

Së pari, G7 do të përpiqet t’i bëjë këto kompani që të paguajnë më shumë taksa në shtetet ku ata i shesin produketet dhe shërbimet e tyre dhe jo vetëm në vendet ku i deklarojnë fitimet. Së dyti, ata kërkojnë vendosjen e një takse globale në minimumin 15%, për të mos lejuar që vendet të rivalizojnë njëra tjetrën me uljen e taksave.

Marrëveshja pritet të diskutohet në detaje, gjatë mbledhjes së ardhshme të G20, me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave. Mbledhja do të zhvillohet në korrik në Venecia të Italisë.

Taksimi i korporatave multinacionale ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë, për faktin se kompani me fitime marramendëse kanë paguar fare pak, ose në disa raste zero taksë.

/TPZ.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne