Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK, në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Per te pritur Berishen ishin mbledhur militantët e tij para Prokurorisë së Posaçme. Krah tyre u shfaqën edhe besnikët e tij, Flamur Noka, Klevis Balliu, Luçiano Boçi apo edhe Tritan Shehu.
Pas daljes nga SPAK, Berisha sulmoi edhe drejtësinë.
“Do shpallet seksion i kartelit Troplini, i kartelit më të fuqishëm të drogës në Europë, karteli i vetëm që administron portin kryesor të vendit, Portin e Durrësit, Në shënimin që i lash Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani do ta quajmë Altin Troplini”.
“Kjo për arsye të forta ligjore sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të rrezikshëm, më të fuqishëm të Europës, mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojës, sepse Poja quhet në fakt ky kartel droge.
Dhe jo vetëm e mbajti 22 ditë, por e çoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet që kishin zgjedhur dhe të lirë sot, duke kontrolluar nga vendndodhjet e tyre përsëri në çdo metër katror portin e Durrësit dhe trarikun e kokainës.
Ndaj dhe unë i lashë këtë shënim: Me mbajtjen për 22 ditë të fletëarrestit të gjykatës për bosët e kartelit më të madh në Europë të drogës, kartelit Troplini, Altin Dumani do regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor i këtij karteli dhe do ndryshojë mbiemrin e tij nga Dumani në Altin Troplini”, tha Sali Berisha.
Ndërkohë, po sot, në GJKKO do të hidhet shorti për përzgjedhjen e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen “Partizani”. Më 19 maj u mor vendimi për kalimin e dosjes në gjykim, pas muajsh zvarritjeje proceduriale.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, një çështje për të cilën SPAK thotë se ai ka përdorur postin e kryeministrit për të favorizuar pasurimin e familjes, përmes dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi, i ndodhur në arrest shtëpie, është dërguar në gjyq me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Përveç Berishës dhe Malltezit, në këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i tokës ku ndodhej ish-kompleksi “Partizani”, i akuzuar për pastrim parash; si dhe Andia Pustina, financiere e kompanisë “Homeplan”, e dyshuar për kryerjen e operacioneve financiare dhe ligjore që lidhen me pastrimin e parave. Në gjyq janë çuar gjithashtu edhe tre kompani: “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, gjithashtu për pastrim parash./tpz